Italia, tjetër kapitull i zi në futboll

Këtë herë pezullimi i të gjitha kampionateve të futbollit mund të jetë për më shumë se një javës. Vendimi është marrë nga Luka PanKali, Komisari i Figc.
Futbolli, pezullim në kohë të pacaktuar
Ai flet për një pezullim "me kohë të pacaktuar" dhe të gjithë drejtuesit e tjerë të futbollit janë dakord mbi faktin se sinjali duhet të jetë i fortë dhe i paharrueshëm. Ndërkohë që mbledhja mes drejtuesve më të lartë të futbollit dhe përfaqësuesve të qeverisë për të diskutuar rreth kësaj cështjeje është shtyrë për të dielën në mëngjes.
Nuk dihet se kur do të fillojë aktiviteti normal i futbollit, dhe këtë herë, është shumë e mundshme, edhe pse praktikisht e paqartë, që nuk do të jetë thjeshtë një stop simbolik për një javë, por mendohet se edhe për javën e ardhshme mund të mos ketë futboll në Itali. Kjo është ajo që kanë bërë të ditur drejtuesi më i lartë të sportit, por mbi të gjithë komisari i jashtëzakonshëm.
Itali, mund të mos luhet në 2 javët e ardhshme
"Mjaft, nuk mund të vdesë një njeri për një ndeshje futbolli dhe por 1.200 euro në muaj, - kjo ka qenë deklarata e ashpër e Pankalit – I gjithë futbolli do të ndalet për një kotë të pacaktuar dhe, kur them e pacaktuar, do të thotë se derisa të vihen në përdorim masa ashpra, drastike dhe serioze, që do të mund të ndalojnë përsëritjen e episodeve si ky". Në fund përfundim të mbledhjes në Federatën Italiane të futbollit, Pankali ka konfirmuar vullnetin për të pezulluar gjithcka: "Ky vendim do të marrë fund, kur nuk do të duhen më ndërhyrje të tjera drastike, të cilat do të më japin qetësinë e duhur për ta rishikuar vendimin tim. Theksoj se është një përfundim në të cilin kam arritur vetëm duke bërë llogaritë me koshiencën time".
Zgjedhjet e Federatës Italiane në plan të dytë
"I shprehim ngushëllimet familjes, - ka thënë presidenti i "Coni"-t Xhiani Petruci. – Tani vlejnë faktet. Nuk mund të mendohet për zgjedhjet e presidencës së Figc. Në një moment të tillë duhet një Komisar i Jashtëzakonshëm që të na udhëheqë. Ndërsa fëmijëve të policit të vrarë do t'ju jepet bursë studimi". E reja më e fundi është se po mendohet që zhvillohet turneu u Vireggios vetëm me skuadra të huaja. Vetë Petruci ka theksuar se Komisari i jashtëzakonshëm duhet të vazhdojë të udhëheqë, pasi "zgjedhjet në federatë janë mendimi ynë i fundit".
Kampana: Të paktën një vit pezullim
Akoma dhe më të ashpra kanë qenë fjalët e Serxhio Kampana, presidentit të Shoqatës së lojtarëve në Itali: "Një javë stop nuk mjafton, duhet një pezullim për të paktën një vit. Eshtë i nevojshëm një pezullim i gjatë për të dalë nga ky perversitet". "Kështu nuk mundtë ecet përpara, nuk mundtë ketë të ardhme", - ka qenë reagim i Vincenco Matareses, presidentit të Ligës. Përfshihet edhe ministrja e sporteve Xhiovana Melandri: "Eshtë momenti për të thënë mjaft, duhet menjëherë të ndërrojmë faqe. Kampionatet duhet të rinisin, por në një mënyrë krejt ndryshe, të shoqëruar me masat drastike që duhet të merren". Për këtë arsye është shtyrë për sot në mëngjes mbledhja e jashtëzakonshme e "Coni"-t, ku do të jenë prezentë Pankali, Melandri, presidenti i "Coni"-t Petruci, ministri i brendshëm Amato dhe kryeministri Prodi. Ndoshta nga kjo mbledhje do të mësohet më shumë se kur futbolli do të kthehet të luhet në fushat italiane.
Hetimet
Katania, 22 të ndaluar mes të cilëve 9 minorenë
Një ditë pas incidenteve të dhunshme në Katania-Palermo nuk është gjetur ende fajtori i vdekjes së inspektorit të policisë Raciti. Proguroria e qytetit sicilian, që po heton atë cfarë ndodhi, ka hapur një fashikull, për momentin pa të akuzuar konkret, për vrasje të vullnetjshme. Deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme ishin arrestuar 22 persona, për veprime të dhunshme, mes të cilëve edhe 9 minorenë, por askush prej tyre nuk rezulton të ketë marrë pjesë në vdekjen e policit. Ndërkohë që numri i të plagosurve është 71.
* * *
Precedenti
Në '95-ën vdekja e Spanjolo në Xhenova-Milan
Një e dielë pa sport për të bërë të reflektojnë të gjithë poas një vdekjeje në stadium. Kjo ka ndodhur edhe 12 vjet më parë, kur i gjithë sporti italian, dhe jo vetëm kampionati i futbollit, u ndalën të dielën e 5 shkurtit 1995, pas vdekjes së një jave më parë të Vincenzo Spanjolo, tifoz i i kuqebluve, i therur me thikë gjatë një ndeshjeje Xhenoa-Milan (ndeshja u ndërpre në fundin e pjesës së parë). Vendimi u mor atëherë i shtyrë nga një kërkesë e Shoqatës së Futbollistëve në Itali dhe pas një marrëveshjeje mes presidentit të atëhershëm të "Coni"-t Mario Pescante, zëvendësve të tij Bruno Grandi e Bartolo Consolo, me Antonio Matarrese, që atëherë ishte presidenti i "Figc" dhe Luciano Nizzola që ishte n.1 i "Lega"-s. Por ishte pikërisht gazeta sportive italiane "Gazzetta delo Sport", që në edicionin e të martës së 31 janarit, dy ditë pas vrasjes së tifozit, ajo që u bë promotori për "stop"-in me një titull në faqen e parë: "Ndalemi". Dhe kështu më 5 shkurt 1995, disa stadiume, si ai i Komos dhe Kosenza, patën disa zhvillime alternative futbolli. Për fat të keq leksioni nuk shërbeu. Pas shumë episode të tjera dhune u regjistruan pas tragjedisë së 1995-ës.