E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkimi familjar, kushtet e reja ekonomike për emnigrantët në Itali



Artan CENA
ROMË - Të huajt jokomunitarë mund të bashkojnë bërthamën familjare, edhe drejtpërdrejt në Itali, por me plotësimin e disa kushteve të përcaktuara me ligj. Është fjala pikërisht për kohezionin familjar që u lejon familjarëve të një shtetasi jokomunitar me qëndrim të rregullt në Itali të marrin lejen e qëndrimit për motive familjare pa kaluar nëpër ambasadë. Kushtet që duhen plotësuar për kohezionin familjar janë të njëjtat që parashikohen për bashkimin familjar, por në rastin e parë kërkohet bashkimi i bërthamës familjare me të afërm që ndodhen në Itali, ndërsa në rastin e dytë familjarët janë rezidentë jashtë Italisë. Kohezioni familjar, i disiplinuar nga neni 30 paragrafi 1 germa c) i Tekstit unik për imigracionin, konsiston në konvertimin e një lejeje qëndrimi çfarëdo në një tjetër për motive familjare, dhe kjo gjë është e mundshme të bëhet vetëm brenda një 1 viti nga data e skadencës së lejes. Kjo do të thotë që, kush ka ardhur në Itali, për shembull, me vizë për studime, mund të konvertojë lejen për motive studimi në leje për motive familjare (nëse përmbushen të gjitha kushtet e parashikuara nga ligji për bashkimin familjar) vetëm nëse leja e qëndrimit nuk ka skaduar prej më shumë se një vit.
Të marrësh lejen
Ligji në fuqi parashikon që për ardhjet për kohë të shkurtër, deri në tre muaj, i huaji të mos kërkojë më leje qëndrimi (për shembull për turizëm, biznes), por megjithatë ai duhet të deklarojë praninë e tij në territorin italian. Në këto raste, viti brenda të cilit duhet bërë leja për motive familjare, fillon nga skadenca e deklaratës së pranisë që llogaritet nga data e vulës së vizës Shengen në pasaportë (në rastin e ardhjeve nga një vend jokomunitar), nga kopja e dekleratës së pranisë që merret në Kuesturë brenda 8 ditëve nga hyrja në territorin italian (në rastin e ardhjeve nga një vend tjetër i BE-së.
Në linja të përgjithshme që të kërkojë kohezionin familjar, përveç kushtit të sipërpërmendur, duhet që i interesuari (ai që do të kërkojë kohezionin familjar) para së gjithash të ketë një kartë qëndrimi (apo lejeqëndrim për BE për qëndruesit afatgjatë) ose një lejeqëndrim me kohëzgjatje mbi njëvjeçare dhe të plotësojë kriteret e parashikuara me ligj për bashkimin familjar si lidhja familjare (nuk duhen harruar kufizimet e vëna për rastin e prindërve si dhe faktin që për ta duhet paguar sigurimi shëndetësor), të ardhurat vjetore (që llogariten në bazë të çekut social siç tregohen në artikullin për bashkimet familjare), përshtatshmëria e strehimit (me dokumentet që merren pranë zyrave të komunës dhe Asl-it të zonës).
Si kërkohet leja
Kërkesa për konvertimin e lejes së qëndrimit fillestar në një lejeqëndrim për motive familjare, i bëhet kuesturës kompetente për territorin, me anë të kompletit postar të formularëve (duhet përpiluar vetëm moduli 1 i modelit 209) që gjendet pranë çdo zyre postare të autorizuar për shërbimin (ato që kanë “sportello Amico”.
Kompletit i duhen bashkangjitur, në fotokopje, të gjitha dokumentet që dëshmojnë përmbushjen e kritereve të parashikuara nga ligji (certifikata që dëshmojnë lidhjen familjare që nëse janë të lëshuara nga një shtet tjetër duhet të përkthehen, legalizohen dhe t’u dëshmohet vlefshmëria, certifikata e përshtatshmërisë së strehimit, deklarata e të ardhurave, lejeqëndrimi i kërkuesit dhe lejeqëndrimi i familjarit falë të cilit po kërkon konvertimin e motivit të dokumentit të qëndrimit, pasaportë të paskaduar).

Bashkim familjar me gruan
Shtetasi i huaj, rezident në Itali, që kërkon bashkimin familjar me gruan e tij duhet të fitojë në vit të paktën 5.349,89 euro për vete, dhe 2.674,94 euro për gruan. Pra të ardhurat e tij vjetore duhet të jenë, të paktën 8.024,83 euro.

Bashkim familjar me gruan dhe një fëmijë
Në këtë rast i huaji që paraqet kërkesë duhet të fitojë të paktën 5.349,89 euro për vete, 2.674,94 euro për gruan dhe 2.674,94 për fëmijën, pra të ardhurat e tij vjetore nuk mund të jenë nën 10.699,78 euro.

Bashkim familjar me gruan dhe
tre fëmijë mbi moshën moshën 14 vjeç
Në këtë rast i interesuari duhet të fitojë në vit, përveç shumës së një çeku social për vete edhe gjysmë çeku për secilin prej familjarëve, pra duhet të ketë të ardhura vjetore të paktën sa trefishi i çekut social, pra 16.049,67 euro.

Lejeqëndrim për kura mjekësore e konvertueshme në motive familjare

Ministria e Brendshme duke iu përgjigjur një pyetjeje të ngritur nga Kuestura e Romës (me qarkoren e 5 shkurtit 2009) ka saktësuar se edhe të huajt me lejeqëndrim për kura mjekësore të lëshuar në bazë të ndalimit të dëbimit të parashikuar nga ligji për gratë shtatzëna (që i shtrihet edhe bashkëshortit bashkëjetues) mund të kërkojnë konvertimin në leje për motive familjare nëse përmbushin kriteret e parashikuara nga ligji (si qëndrimi i rregullt në Itali i kërkuesit dhe përmbushjen e kritereve të nevojshme për bashkim familjar nga i afërmi me të cilin bëhet kohezioni familjar.

box
Kërkesa për bashkimin familjar
Kërkesa për bashkim familjar është një moment i rëndësishëm në jetën e çdo emigranti. Ajo gjithashtu, është një fazë e re në proçesin e gjatë dhe të vështirë të integrimit dhe të stabilizimit në këtë vend. Ligjet e fundit e kanë bërë më të vështirë proçeduren e bashkimit familjar, sidomos për sa i përket prindërve në ngarkim. E rëndësishme është të dihet se kërkesa tani nuk bëhet nëpërmjet postës por vetëm online nga faqja e Ministrise së Brendshme. Në plotesimin e kërkesave mund t'u drejtoheni edhe Zyrave të Patronateve dhe Sindikatave. Në momentin e paraqitjes së kërkesës duhet të dispononi këto dokumente:
- Kopjen e lejes së qëndrimit
- Kopjen e kodit fiskal
- Kopjen e pasaportës me datën e lëshimit dhe skadencës
- Kopjen dhe origjinalin e “idoneità allogiativa” (përshtatshmëria e banesës dhënë nga komuna e rezidencës)
- Kopjen e pasaportës (jo të skaduar) me të dhënat për familjarin për të cilin bëhet kërkesa
- Marca da Bollo 14,62
- Kopjen e deklarimit të fundit të të ardhurave 2010
- Kopjen e busta-pagës së fundit (për bashkëpuntorët familjare duhet kopjen e riçevutave postale tremujorshe të INPS-it)
- Kopjen e kontratës se lejes së qëndrimit (moduli Q ose R si dhe kopja e rakomandatës me të cilën është dërguar në Sportelin Unik për Imigrimin)
- Kopjen e Visura Camerale për rastin e të huajve sipërmarrës privat

Kufiri minimal i të ardhurave për:
· personin që kërkon bashkim me 1 familjar - 7,714,05 euro
· personin që kërkon bashkim me 2 familjarë - 10,285,34 euro
· personin që kërkon bashkim me 3 familjarë - 12.856,35 euro
· personin që kërkon bashkim me 4 familjarë - 15.428,01 euro
Sipas Dekretit Legjislativ 160 kërkohet që prindërit në ngarkim të mos kenë fëmijë të tjerë në vendin e origjinës.
Kushti për të ardhurat: në rastin kur familjari që bën kërkesën, nuk ka të ardhura të vetat ose ato janë të pamjaftueshme, mund të konsiderohen të vlefshme edhe të ardhurat e bashkëshortëve përkatës ose të familjarëve që jetojnë me të.
Kushti i banesës: kur ai që bën kërkesën deklaron një banesë të ndryshme nga ajo aktualja, kushti mund të konsiderohet i plotësuar si në rastin kur përcaktohet se kërkuesi ka në mend të transferohet në të me ardhjen e familjarëve, si në rastin kur ai që bën kërkesën synon që ti strehojë familjarët në një banesë tjetër. Në këte rast, i huaji duhet të paraqesë në aktin e kërkesës për lejen e qëndrimit ( perveç kopjes së çertifikatës për pershtatshmeri banese - idoneità di alloggio- që i është kërkuar nga Sporteli Unik edhe personit me banim në Itali) arsyen për të cilën mbahet banesa dhe, pas regjistrimit në gjendje civile (që duhet bërë brenda 20 ditëve nga paraqitja e lejes së qëndrimit) dokumentat që dëshmojnë për këtë te fundit.
Kur bëhet fjalë për prindërit mbi 65 vjeç ju kujtojmë se duhet paguar një kontratë sigurimi mjekësor që mbulon shpenzime urgjente shëndetësore deri në një vlerë prej 30 mijë Euro.

31 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›