E Shtunë, 31 Tetor 2026

Regjistrimi elektronik i pronës, Qirjako: “Tirana e para në program”



Ervin KOÇI

Shumica e zonave kadastrale në zonën urbane të kryeqytetit janë të përfshira në programin e regjistrimit elektronik fillestar. Kryeregjistruesi Arben Qirjako ka deklaruar dje për mediat se, ecuria në disa zona ka avancuar dhe se pritet vendimmarrje që për një zonë të bëhet afishimi publik. "Po procedohet në lidhje me punën në terren, aktualisht nga firmat kontratore dhe ka ardhur një zonë, që është 8270 për afishim publik. Po bëhet kontrolli dhe besoj që ditën e hënë do bëhet mbledhja përfundimtare për të marr vendimmarrjen nga ana e zyrës qendrore dhe vendore",- tha kryeregjistruesi Arben Qirjako. Rritjen e aplikimeve në zyrat lokale, kryeregjistruesi Qirjako e lidh me fluksin e madh që këto zyra po përballojnë me hipotekimin e banesave që dalin nga procesi i legalizimit. "Ritmi i regjistrimit të lejeve të legalizimit është duke u rritur, është një punë shumë e madhe. Duhet të theksoj se fluksi i shërbimeve në zyrat vendore, sidomos në zyrën e Tiranës, në krahasim me vitin tjetër është shtuar. Ka një shtim afërsisht rreth 18 për qind",- vijoi më tej Kreu i ZQRPP-së, Arben Qirjako. Zona urbane e kryeqytetit është e ndarë në 25 njësi kadastrale dhe me regjistrimin fillestar elektronik të tyre po punojnë në terren 2 kompani private.

Projekti
Projekti i qeverisë ka nisur nga regjistrimi elektronik për rreth 500 mijë pronave të patundshme në të gjithë vendin. Këto prona, pasi janë fotografuar nga fotografimet ajrore satelitore, do të hidhen që të gjitha në një regjistër elektronik që do të administrohet nga ZQRPP-ja. Sipas ZQRPP-së, regjistrimi fillestar ka nisur në disa zona kadastrale të qyteteve kryesore si Tirana dhe Durrësi pasi ka përfunduar përgatitja e hartës dixhitale topografike dhe topogjeodezike. Sipas të dhënave janë mbi 500 mijë pasuri të paluajtshme të cilat kanë nisur të hidhen në kompjuter dhe ndryshe nga regjistrimet e tjera të kryera ndër vite, këtë herë do të kenë si bazë hartën topografike. Sipas ZQRPP-së, regjistrimi elektronik për këto pasuri të paluajtshme do të kryhet falas nga shteti, por qytetari duhet të bashkëpunojnë me kompaninë për t’i dhënë dokumentacionin që nevojitet për të saktësuar pasurinë. Regjistrimi fillestar i pasurive të paluajtshme do të nxjerrë në pah edhe gabimet teknike të deritanishme, apo mbivendosjet e kryera ndër vite.

Procedurat
Sipas ZQRPP-së për regjistrimin e një prone dhe për bërjen e saj të vlefshme nevojiten një sërë dokumentesh. Të rëndësishme cilësohen të gjitha dokumentet e pronësisë të lëshuara nga komisionet e ngritura për zbatimin e ligjeve mbi privatizimet, të cilat funksionojnë që nga viti 1991 e në vazhdim. Dokumentet e lëshuara pas vitit 1991 nga komisionet e kthimit e kompensimit të pronave që kanë lidhje me prona të kthyera apo të kompensuara fizikisht, si dhe të gjitha dokumentet e kalimit të pronësisë dhe të të drejtave të tjera reale mbi pronësinë me kontratë shitblerjeje, kontratë dhurimi, akt trashëgimie apo me vendim gjykate. Sipas procedurave të reja, individët, familjet dhe personat juridikë, privatë apo shtetërorë që zotërojnë këto dokumente pronësie, por nuk kanë të përcaktuar në to sipërfaqen e pasurisë së paluajtshme, kanë të drejtë t’i paraqesin regjistruesit të ZVRPP-së një kërkesë për regjistrim pronësie, e cila duhet të shoqërohet me dokumentin e pronësisë, një plan-vendosje apo gen-planin e pasurisë, deklaratën noteriale të pronarëve fqinjë që vërtetojnë përmbajtjen e kërkesës për pronësinë dhe kufijtë e pasurisë që pretendohet, si dhe kopje të vërtetuara nga noteri të dokumenteve të ndryshme që mbështesin kërkesën për regjistrim, shtojnë më tej specialistët dhe ekspertë e projektit të BB-së dhe ZQRPP-së.

Projekti i Korridorit 8, vendet e Ballkanit nisin punën

Projekti i Korridorit 8 duket se po ngjall interesimin në zyrat e fqinjëve duke bërë që të riflitet sërish për zbatimin e tij. Kështu, siç bëhet me dije nga mediat ballkanike, ministri maqedonas i Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakieski ishte dje në Sofje për të zhvilluar një takim me kolegun e tij bullgar, Aleksandar Cvetkov. Bëhet me dijeni paraprakisht se të dy ministrat, do të bisedojnë për çështjen e projektit të përbashkët të Korridorit 8. Ideja rreth tij është përfolur në takimet që para dy ditësh, ministri shqiptar i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, ka zhvilluar në Shkup me autoritetet e larta maqedonase, gjatë një vizite zyrtare të ndërmarrë në vendin fqinj. Duket se projekti i shumëpërfolur para pak vitesh, do të ketë një rizgjim të tij, ku për realizimin e tij janë më të interesuar Maqedonia, Bullgaria dhe Shqipëria.

31 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›