E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjobë 4 mijë euro dhe kërcënime biznesmenit, arrestohen dy të rinj



Artan CENA
TIRANË - Kërcënime dhe gjobë 4 mijë euro për të përfituar para. Këtë kanë bërë dy të rinj në qytetin e Pogradecit, por që janë vënë në pranga nga uniformat blu. Arrestimi i tyre është bërë mbrëmjen e dy ditëve më parë nga uniformat blu, në qytetin e Pogradecit. Lajmi është konfirmuar zyrtarisht nga Policia e Shtetit gjatë një konference për shtyp. Sipas tyre, ka qenë operacioni i koduar “Liqeni i pastër” që ka çuar në pranga Aleks Hamzallari, 27 vjeç lindur dhe banues në Pogradec, i dënuar më parë për “vrasje e mbetur në tentative” dhe Meardi Berberi, 24 vjeç, lindur dhe banues po në Pogradec i pa dënuar më parë. Të arrestuarit mësohet se i kishin vënë gjobë një biznesmeni në shumën e 4 mijë eurove dhe e kishin kërcënuar se, nëse nuk do të paguante atëherë ata do të hakmerreshin. Por viktima e kërcënimit me inicialet Gj. L., kishte bërë denoncim në polici e këta të fundit kanë vënë në pranga dy gjobëvënësit.
Arrestimi
Burime zyrtare nga Policia e Shtetit thanë se nga efektivët e Departamentit Kundër Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda në bashkëpunim dhe me strukturat e Policisë së Korçës, rreth orës 20:30 të dy ditëve më parë ka përfunduar me sukses operacioni i koduar “Liqeni i pastër”. Gjatë këtij aksioni policor, është bërë dhe arrestimi në flagrancë Meardi Berberi, 24 vjeç, lindur dhe banues në Pogradec i pa dënuar më parë dhe Aleks Hamzallari, 27 vjeç lindur dhe banues në Pogradec i dënuar më parë për "vrasje të mbetur në tentativë". Policia e Shtetit tha se, dy të arrestuari akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kryer veprën penale të "shtrëngimit me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë".
Gjoba
Me tu njohur me gjobën e vënë, qytetari me inicialet Gj. L., ka shkuar në polici. Aty ka bërë denoncimin. Uniformat blu janë kujdesur që hetimet të bëhen në fshehtësi dhe pa bujë. Pasi kanë instruktuar viktimën e kërcënimit, është vendosur që të paguhet një shumë e caktuar. Por kjo gjë do të bëhej nën monitorimin e policisë. E kështu, dy ditë më parë në orët e mbrëmjes është lënë takimi mes tre personave. Qytetari nga Pogradeci ka dhënë një shumë parash dhe është larguar ndërkohë që dy të rinjtë me makinën e tyre kanë udhëtuar drejt qytetit. Në këtë moment ka ndërhyrë policia që i ka vënë në pranga duke përfunduar me sukses dhe operacionin e nisur. Shuma prej 4 mijë eurosh ishte kërkuar disa ditë më parë dhe gjobëvënësit e kishin kanosur me jetë personin me inicialet Gj. L. Gjatë arrestimit, policia ka bllokuar në cilësinë e provës materiale, 200 mijë lekë të cilat ja kishin marrë shtetasit Gj. L., një automjet tip “Benz” me targa OH 112 F, dy celularë, si dhe një diktofon. Këto sende janë përdorur nga autorët gjatë kryerjes së veprës penale.

Thirrja e policisë
Strukturat e Policisë së Shtetit thanë se janë duke punuar për dokumentimin e veprimeve të tjera të këtij lloji ndaj subjekteve juridike e fizike (biznesmenë), për të cilat dyshohet se janë autorë këta persona. E për këtë arsye bëjnë thirrje për denoncime. Sipas tyre, dosja me materialet procedurale në ngarkim të të dy personave të arrestuar i kanë kaluar për hetime te mëtejshme Prokurorisë së Krimeve të Rënda për veprën penale “shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie pasurie në bashkëpunim”.

31 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›