E Diel, 1 Nëntor 2026

Aksidenti në Tepelenë, fëmija 18 muajsh në koma



TIRANË - Fëmija 18 muajsh i aksidentuar dy ditë më parë në aksin rrugor Tepelenë–Lopez është në gjendje të rëndë shëndetësore në koma, ndërsa gruaja 33-vjeçare është jashtë rrezikut për jetën. Kështu kanë bërë të ditur burime nga Spitali Ushtarak, Tiranë. Sipas tyre, dy ditë më parë në aksidentin tragjik gjetën vdekjen 2 persona dhe 6 të tjerë u plagosën kur një makinë me targa të Tiranës 56 30 C, që drejtohej nga shtetasi Zigur Tafilaj doli nga rruga. Drejtuesi i automjetit ka gjetur vdekjen e menjëhershme dhe viktima tjetër është një grua me inicialet SH. D. Ndërsa ndërmjet 6 të plagosurve ishin edhe 2 fëmijë. Fillimisht të plagosurit janë dërguar në spitalin e Tepelenës ndërsa më pas fëmija 18 muajsh dhe gruaja 33 vjeçe u nisën drejt Spitalit Ushtarak të Tiranës me helikopter për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore ku po mbahen nën kujdesin e vazhdueshëm të mjekëve. Policia e mbërritur në vendngjarje ka konstatuar në hetimet e para se shkak i këtij aksidenti ka qenë pakujdesia e drejtuesit të mjetit duke bërë që makina të dilte nga rruga dhe të binte 50 metra poshtë rrugës. Policia po vijon hetimet për të zbardhur tërësisht shkaqet e këtij aksidenti.

Në hetim dy vëllezër, akuzohen për plagosje
DURRËS - Forcat e policisë së Durrësit kanë kapur dy vëllezër, të cilët dyshohet se kanë marrë pjesë në ngjarjen e ndodhur dy javë më parë në lokalin "Laguna", ku mbeti i plagosur një person. Të shoqëruarit janë vëllezërit Geri dhe Ali Bërdaku, përkatësisht 21 dhe 24 vjeç, që të dy banues në qytetin bregdetar. Mësohet se ata janë shpallur në kërkim në datën 16 korrik, pasi rezultojnë si persona të dyshuar që kanë marrë pjesë në ngjarjen e ndodhur në lokalin "Laguna" ku në orën 20:30 të datës 15 korrik 2010, ka mbetur i plagosur me pistoletë, 40-vjeçari me inicialet G. A., lindur në Gostivar e banues në Tiranë. Pas kryerjes së veprimeve hetimore dhe nga konsultimi me prokurorinë e Durrësit, u vendos që hetimi i tyre të kryhet në gjendje të lirë.

Digjet nga flakët ura në fshatin Pezë

TIRANË - Digjet ura e vogël e cila ndodhet pranë banesës së deputetit të PS-së Dashamir Peza në fshatin Pezë të Tiranës. Ngjarja ka ndodhur në orën 23:00 të mbrëmjes së dy ditëve më parë dhe sipas informacioneve një person i panjohur i ka vënë flakën urës e cila ndodhet 2 kilometra larg shtëpisë së deputetit të PS-së Dashamir Peza. Mësohet se kjo urë lidh shtëpinë e deputetit Peza me pjesën tjetër të fshatit. Ndërkohë policia nuk ka dalë ende me një deklaratë zyrtare në lidhje me këtë incident. Sipas informacioneve një person i panjohur i ka vënë flakën urës. Policia tha se ka nisur hetimet për të identifikuar autorin e kësaj ngjarjeje të çuditshme.

Fuoristrada përplas motorin, rëndë 42-vjeçari

TIRANË - Një aksident automobilistik ka ndodhur mesditën e djeshme në rrugën “Ali Demi” në Tiranë, ku një motoçikletë që po udhëtonte në drejtim të Shkozës, është përplasur nga një mjeti fuoristradë me targa greke. Për pasojë është aksidentuar drejtuesi i motoçikletës, një 42-vjeçar me emrin Serxho Karanxha. Goditja ka qenë aq e fortë sa mjeti tip motorr është shtyrë në një distancë 35 metrash. I aksidentuari është nisur drejt Spitalit Ushtarak të Tiranës, në gjendje të rëndë shëndetësore pas përplasjes. Policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe ka shoqëruar drejtuesit e fuoristradës, për ta marrë në pyetje. Gjithashtu është duke u hetuar për të zbardhur dinamikën e aksidentit.

Gjendet adoleshentja e larguar nga shtëpia

ELBASAN - Një vajzë adoleshente është gjetur pasi ishte shpallur në kërkim nga policia. Ajo ishte denoncuar si e zhdukur nga familjarët. Burimet zyrtare nga Policia e Elbasanit thanë se mëngjesin e djeshëm, “nga ana e shërbimeve të komisariatit të policisë Elbasan, ësht bërë e mundur gjetja e shtetases me inicialet S. P., 17 vjeç, banuese në fshatin Babje, Librazhd. Kjo shtetase ishte e shpallur në kërkim për largim nga banesa”. Pasi është marrë në pyetje, 17-vjeçarja është shoqëruar në familjen e saj. Ajo ka deklaruar se kishte ikur me dëshirën e saj.

31 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›