E Diel, 1 Nëntor 2026

EUROSTAT: Janë rreth 16 milionë të papunë në eurozonë



Zyra evropiane e statistikave ''EUROSTAT'' publikoi dje të dhënat sipas të cilave, përqindja e papunësisë në eurozonë ka qenë e qëndrueshme gjatë muajit qershor me 10 për qind të popullsisë aktive. Ky është muaji i katërt radhazi, që papunësia është në nivelin e 10 për qind, më i larti që prej krijimit të zonës euro në vitin 1999. Teksa në zonën euro rreth 15,771 milionë persona janë të papunë, në 27 vendet e Bashkimit Evropian, numri i të papunëve ka arritur në 23,062 milionë persona. Vendet me papunësinë më të madhe janë Spanja dhe Letonia, me rreth 20 për qind të popullsisë së aftë për punë.

Kriza ekonomike detyron grekët të heqin dorë nga celulari

Qytetarët grekë do të duhet që tashmë të heqin dorë edhe nga ai që konsiderohej hobi i tyre më i madh, të folurit në celular. Përpara krizës, Greqia renditej si vendi i parë në Europë për lidhjet telefonike në raport me popullsinë e saj. Por tashmë, qytetarët grekë jo vetëm që nuk po e shijojnë më këtë luks, por kanë nisur reduktimet në masë të të folurit. Shkak është bërë mungesa e të ardhurave, që i ka detyruar të heqin dorë nga shumë shërbime ose të kufizohen në maksimum. Nga ana tjetër, kompanitë e telefonisë mobile po përballen me humbje të mëdha dhe po përpiqen të kapërcejnë situatën e rëndë duke hedhur në treg oferta nga më të ndryshmet.

Ekonomia e Malit të Zi, shteti i vogël ndodhet ende në recesion

Ekonomia e Malit të Zi nuk ka dalë nga recesioni, ndërsa rimëkëmbja e saj pritet deri në fund të vitit. Lajmi bëhet i ditur nga mediat malazeze të cilat citojnë ministrin e Ekonomisë. "Është vështirë të flasim për rimëkëmbjen ekonomike, por presim se kushtet për stabilizimin e saj mund të krijohen deri në fund të vitit",- ka thënë ministri malazez i Ekonomisë, Branko Vujoviç. Sipas mediave malazeze, Vujoviç theksoi se, GDP-ja në tremujorin e parë të këtij viti ishte në shkallën zero dhe se gjatë këtij viti pritet rritja prej 0.5 për qind. Ekonomia malazeze ka shënuar vitin e kaluar rënie prej 5.3%. Megjithatë, është vërejtur trendi i rimëkëmbjes në sektorët e industrisë dhe prodhimit të energjisë.

31 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›