Cannabisi, pranga kryeplakut dhe dy policëve pyjorë
SHKODËR - Mos raportimi për mbjelljen e lëndën narkotike ka çuar në pranga dy inspektorë të policisë pyjore dhe një kryeplak fshati, në komunën Pult. Ndërkaq policia ka asgjësuar në këtë zonë 1550 rrënjë bimë të dyshuara canabis sattiva. Burime zyrtare nga Policia e Shkodrës bënë të ditur se, në orën 22:00 të dy ditëve më parë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Shkodër, gjatë një operacioni të organizuar për luftën kundër kultivimit të bimëve narkotike, bëri të mundur ndalimin i shtetasve: Gjergj Prozhmi, 52 vjeç, banues në fshatin Bleran, Komuna Rrethina Shkodër, me detyrë inspektor i Policisë Pyjore, në zonën e Komunës Pult, Gëzim Hagrepi, 41 vjeç, banues në fshatin Domen, Komuna Postribë, me detyrë inspektor i Policisë Pyjore, në zonën e Komunës Pult dhe Mëhill Demaj, 53 vjeç, banues në fshatin Bruçaj, Komuna Pult, kryeplaku i këtij fshati. Arrestimi i tyre është bërë pasi në vendin e quajtur Lugina e Qutit, në fshatin Bruçaj, komuna Pult, janë konstatuar parcela të mbjella me gjithsej 1550 rrënjë bimë narkotike të dyshuar si canabis sattiva, që janë asgjësuar me anë të djegies. Dy inspektorët e policisë pyjore që mbulojnë këtë zonë si dhe kryeplaku i fshatit Bruçaj, nuk kanë informuar policinë në lidhje me kultivimin e këtyre bimëve. Uniformat blu kanë kryer veprimet e duhura proceduriale e hetimore dhe materialet në ngarkim të personave të lartpërmendur, do i kalojnë për veprime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprat penale të “mos kallëzim të krimit” dhe “kultivim të lëndëve narkotike”.
31 Korrik 2010