Tre pistat për zjarrvënien e makinës së Ahmetit
TIRANË- Zjarrvënia ndaj makinës së kreut të policisë rrugore të kryeqytetit, Krenar Ahmeti, ka mbetur ende pa autor ndërsa prokuroria po heton në tre pista të ndryshme. Ky lajm konfirmohet nga burimet zyrtare të prokurorisë së Tiranës. “Që nga dita 16 dhjetor, kur dosja është sjellë në prokurori, po verifikohen dhe hetohen të gjitha pistat e mundshme. Dyshimet janë përqendruar në tre pistat kryesore, që janë: zjarrëvënie për shkak të detyrës që ai kryen si Shef i Qarkullit të Policisë Rrugore në Tiranë, për ndonjë problem të mundshëm privat që ai mund të ketë dhe zjarrvënies së qëllimshme nga të njohur të tij. Këto janë tre pistat ku janë përqendruar hetimet e prokurorisë dhe po punohet në mënyrë intensive për zbardhjen e ngjarjes sa më shpejt që është e mundur”,-thanë burimet e “Shekullit” pranë prokurorisë së kryeqytetit. Sipas akuzës, ka qenë mesnata e datës 14 dhjetor duke u gdhirë mëngjesi, kur policia është lajmëruar nga vetë shefi i qarkullimit rrugor Krenar Ahmeti se po i digjej makina. Në vendngjarje kanë mbërritur kolegët e tij dhe zjarrfikësit të cilët kanë mundur të shuajnë zjarrin e nisur brenda makinës me targa “POLICIA 0044” të tipit “Volksvagen Passat”. KryepoliciAhmeti e kishte parkuar makinën pranë banesës së tij në rrugën “Mihal Grameno” në kryeqytet ku dhe i është vendosur zjarri me benzinë, që mendohet se fillimisht është thyer dritarja a xhami i pasëm dhe brenda saj është hedhur benzinë dhe një fije shkrepëse.