I ftohti i madh, roja e fabrikës digjet në kabinë
TIRANË- I ftohti i madh i ditëve të fundit i ka marrë jetën babait të tre fëmijëve natën e djeshme në kryeqytet. Ai punonte si rojë në një fabrikë këpucësh dhe gjatë natës ngrohej me një furnelë elektrike. Por gjatë natës atë e ka zënë gjumi dhe mjeti ngrohës ka shkaktuar tragjedinë. Policia deklaroi se viktima është 52- vjeçari Zenel Hoxha, lindur dhe banues në Tiranë. Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimi zjarrfikës dhe forcat policore të Komisariatit të Policisë Nr.3 për të marrë masat e sigurisë dhe sqaruar rrethanat e kësaj ngjarjeje. Hetuesit thanë se nga veprimet e para dyshohet se shkak i zjarrit, i cili ka asfiksuar dhe djegur pjesërisht viktimën ka qenë furnela elektrike, e vendosur në kabinën e rojës.
Ngjarja
Zenel Hoxha, babai i tre fëmijëve, ka marrë turnin e natës në fabrikën e këpucëve në Laprakë të kryeqytetit ku ai punonte si roje. Në kabinë ku strehohej gjatë orarit të punës mësohet se 52-vjeçari kishte ndezur një furnelë elektrike për të përballuar të ftohtin. Por dyshohet se atë e ka zënë gjumi gjatë natës dhe në rrethana ende të pasqaruara nga policia furnela ka marrë flakë. Tymi ka asfiksuar që në fillim rojën i cili nuk ka mundur të shmangë vdekjen e tij për të dalë nga kabina pasi ndodhej në gjumë. Ndërsa më pas flakët e zjarrit janë përhapur në kabinë. Ka qenë kolegu i 52-vjeçarit i cili do ta zëvendësonte atë në mëngjes, ai që ka konstatuar dhe flakët në kabinë. Roja tjetër ka lajmëruar menjëherë policinë e cila mbërriti në vendin e ngjarjes.
Policia
Forca të shumta të komisariatit nr.3, që kanë në juridiksion zonën ku ndodhi ngjarja por edhe punonjësit e zjarrfikëses mbërritën pranë fabrikës për të shuar zjarrin dhe hetuar rrethanat e rënies së tij. Pasi është bërë e mundur shuarja e zjarrit, oficerët e policisë hynë në ambientet e brendshme të kabinës ku dhe gjetën të vdekur rojën Zenel Hoxha. Burime nga policia thanë se ai ishte djegur pjesërisht nga flakët e zjarrit. “Dyshohet që Hoxha të ketë vdekur nga asfiksia më parë se të digjej nga flakët e zjarrit, kjo për shkak se ai mund të ketë qenë në gjumë. Nëse do të ishte zgjuar, Hoxha mund të shpëtonte duke dalë menjëherë jashtë kabinës” thanë për “Shekullin” burime nga policia. Pas këqyrjes së provave në vendngjarje, trupi i pa jetë i 52-vjeçarit u transportua në morgun e spital për ekzaminime të mëtejshme. Ndërkohë që për hetime të mëtejshme materialet e kësaj ngjarjeje i kaluan prokurorisë.