E Shtunë, 31 Tetor 2026

Festat e fundvitit, policia në gatishmëri

Një urdhër i kreut të policisë ka bërë që të gjithë efektivët të kalojnë në gjendje gatishmërie për të parandaluar krimet

TIRANË- Policia e Shtetit kalon në gatishmëri për të siguruar qetësinë gjatë festave të fundvitit. Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi, me anë të një telegrami që iu ka dërguar të gjitha drejtorive të policisë në qarqe, ka urdhëruar marrjen e masave me qëllim parandalimin e ngjarjeve të mundshme kriminale. Burime nga policia e shtetit thanë për “Shekullin” se në telegramin e kreut të policisë së shtetit, janë një sërë masash që duhet të marrin punonjësit e policisë duke filluar nga shtimi i efektivave në pikat kufitare deri në regjistrimin e menjëhershëm të kallëzimeve të cilat duhet të merren me seriozitet nga ana e oficerëve të policisë.

Masat

Festat e fundvitit do të angazhojnë jo pak punonjësit e policisë së shtetit të cilët kanë për prioritet garantimin e rendit dhe qetësisë publike. Ndërkohë që mbërritja e emigrantëve për të kaluar festat e fundvitit në atdhe ka detyruar policinë të marrë masa në pikat e kalimit kufitar për verifikimin e tyre me qëllim evidentimin e personave të shpallur në kërkim nga policia. Gjithashtu në gatishmëri të plotë është urdhëruar të jetë edhe zyra e prodhimit të pasaportave pranë drejtorive të policisë në qarqe kryesisht e Tiranës për shkak të pajisjes me pasaporta të emigrantëve. Mësohet se afati për pajisjen me pasaportë të emigrantëve duhet të jetë nga tre deri në gjashtë ditë. Gjithashtu patrulla e përgjithshme pranë policisë së kryeqytetit do të shtohet për të mbajtur nën kontroll rendin kryesisht gjatë ditëve të festave.

Aksidentet

Shtimi i patrullave në rrugët kryesore të vendit kryesisht në akset më problematike ka qenë një nga kërkesat në telegramin e drejtorit të përgjithshëm të policisë së shtetit. Burime nga policia thanë se eksperiencat kanë treguar për shtimin e numrit të aksidenteve në periudhat që kthehen emigrantët ndaj dhe akset rrugore më problematike do të jenë të kontrolluara nga punonjësit e policisë rrugore të cilët do të marrin masa ndëshkimore ndaj drejtuesve të mjeteve të cilët shkelin kodin rrugor. Punonjësit e policisë rrugore do të jenë të angazhuar në rrugët e kryeqytetit gjatë festave të fundvitit, me qëllim shmangien e aksidenteve rrugore. Ndërkohë që janë urdhëruar oficerët e policisë të mbajnë nën kontroll personat me precedentë penalë, për të evituar ndonjë ngjarje të mundshme ndërsa hetimi i tyre duhet të jetë në maksimum. “Janë një sërë masash që drejtori i përgjithshëm ka urdhëruar me anë të një telegrami të zbatohen nga punonjësit e policisë. Secila drejtori policie ka hartuar planin e masave për të siguruar rendin dhe qetësinë publike gjatë festave të këtij fundviti”,- thanë për “Shekullin” burimet policore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›