Dërgohen në gjyq trafikantët e 212 kg hashash
TIRANË- Prokuroria e Krimeve të Rënda dorëzon pranë togave të zeza dosjen penale ndaj tre personave të akuzuar për trafik lëndësh narkotike. Të pandehurit Edmond Çaci, Vladimir Tusuni dhe Hajri Buçi akuzohen se kanë tentuar të kalojnë nga Shqipëria në Greqi një sasi prej 212 kg lëndë narkotike të llojit hashash. Sipas dosjes së përpiluar dhe hetuar nga prokurori Behar Dibra, dy të pandehurit,Edmond Çaci e Hajri Buçi, nën urdhrat e Vladimir Tusunit, kanë ngarkuar makinën e këtij të fundit të tipit “Opel Fuoristrada” me targa “GJ 9014 A” me 212 kg hashash e paketuar në 122 pako të mbështjella me natriban dhe të futura në 4 çanta dhe në disa thasë plastmasi dhe janë nisur në drejtim të kufirit grek. “Ka qenë paraditja e datës 16 dhjetor 2006 kur i pandehuri Edmond Çaci ka rënë dakord me të pandehurin Vladimir Tusuni që me makinën e këtij të fundit të transportonin një sasi të konsiderueshme hashashi nga fshati Bulo e Gjirokastrës për në kufi me shtetin grek, në fshatin Çatister ku prisnin disa persona të tjerë që do transportonin drogën në Greqi më pas. Pasditen e datës 16 dhjetor, Vladimiri i ka telefonuar Edmondit dhe i ka dorëzuar makinën për të transportuar drogën deri në kufi. Edmondi ka marrë makinën dhe është nisur në fshatin Bulo ku është ngarkuar me ndihmën e të pandehurit Hajri Buçi drogën në makinë dhe janë nisur në drejtim të kufirit grek”,- thuhet në materialin e prokurorisë. Sipas tij, pasi kanë bërë rreth 15 minuta rrugë me makinë, në segmentin rrugor të Labovës kanë vënë re një patrullë policie, që u ka bërë me shenjë të ndalonin. I pandehuri Edmondi nga frika ka shtuar shpejtësinë e makinës dhe kur ka vënë re që makina e policisë u është vënë nga pas, ka devijuar nga rruga, ka ndaluar makinën dhe të dy kanë ikur me vrap duke i ikur policisë dhe kanë braktisur makinën me drogë në fushë. Pas gjetjes së drogës policia ka sekuestruar drogën dhe ka arrestuar të pandehurin Vladimir Tusuni dhe ka shpallur në kërkim të pandehurit Edmond Çaci dhe Hajri Buçi.