Bashkimi i së majtës, zbardhet projekti
Anëtari i Asamblesë së socialistëve, Maqo Lakrori, publikoi dje projektin për bashkimin e socialistëve. Dokumenti propozon mbledhjen e kongresit të bashkimit të socialistëve shqiptarë në PSSH, me pjesëmarrjen e delegateve aktualë të Kongresit dhe të Konventës së LSI, si edhe të përfaqësuesve të PS91. Ky kongres voton dhe shpall bashkimin e të gjithë socialistëve shqiptarë në PS, ndërsa paraprakisht shpallet shkrirja e LSI dhe PS91. Gjithashtu, propozohet miratimi i ndryshimeve të domosdoshme imediate në statut që të ligjërohet bashkimi i AKS-së me KD-në e LSI dhe përfaqësues të PS91. Më tutje parashikohet zgjedhja e kryetarit ose kryetares së PS-së së bashkuar. Hapi tjetër është shtrirja e bashkimit në nivelet vendore të strukturave partiake dhe përshtatja e strukturave elektorale 2009. Në platformë përfshihet edhe njohja dhe garantimi eksplicit i së drejtës për organizimin e fraksioneve në forumet përfaqësuese qendrore (mbi bazë platformash të votuara drejtpërdrejt dhe me mbështetje konsistente nga anëtarët e partisë), si garanci strukturore për demokraci të brendshme.