E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tiranë, ndërpritet energjia, vendoset transformator i ri

Ditën e djeshme energjia ka munguar për më shumë se gjashtë orë në disa zona të kryeqytetit. Por këtë herë arsyeja nuk ka qenë mungesë furnizimi për shkak të ndonjë defekti, apo planifikimi të ndërprerjes së dritave. Një transformator i ri prej 10 kV është duke u instaluar në nënstacionin e Selitës, në Tiranë.

Operatori i Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) ka bërë të ditur dje për publikun se "ka vazhduar puna edhe ditën e djeshme për vendosjen e një transformatori të ri 10 kV në nënstacionin e Selitës, në Tiranë". Sipas drejtuesve të këtij operatori mësohet se përfitimi që do të sjellë instalimi i këtij transformatori të ri për kryeqytetasit do të jetë përmirësimi i ndjeshëm në furnizimin me energji elektrike të të gjithë zonës juglindore të Tiranës. Ndërkohë që, ata që do të duhet të "vuajnë" mungesën e zgjatur të energjisë në këto ditë të ftohta, janë banorët e ish-NPV-së, zonës së Parkut dhe ata të bllokut "Vasil Shanto" në kryeqytet. Sipas përfaqësuesve zyrtarë të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes u konfirmua fakti se "për vënien në punë të këtij transformatori OSSH ka vijuar punën ndaj për këtë arsye ka pasur ndërprerje të energjisë elektrike nga ora 10:00-16:00 në ish-NPV, zonën e Parkut dhe bllokun ‘Vasil Shanto‘ në kryeqytet".

Ata sqarojnë më tej se ky transformator pritet të vihet në punë ditën e hënë, ndërkohë që brigadat e riparimit të avarive po punojnë edhe për disa defekte të ndodhura në zonën e Yzberishtit dhe Selitës. "OSSH po investon për fuqizimin e nënstacionit me fondet e veta shumën prej 12 milionë lekësh. Përmes këtij investimi rritet kapaciteti i nënstacionit të Selitës, pasi do të ketë 4 transformatorë me një fuqi totale të instaluar prej 120 Megavat, gjë që do të përmirësojë furnizimin me energji elektrike në pjesën juglindore të kryeqytetit, si në zonën e Selitës, Rrugën e Elbasanit", rrugën "1 Maji", Sauk etj.", shprehen përfaqësuesit e OSSH-së. Punimet për rikonstruksionin e nënstacionit elektrik të Selitës nisën në fillim të muajit nëntor 2008. Më parë u deklarua se brenda muajit dhjetor do të përfundonte puna për fuqizimin e të gjitha nënstacioneve që furnizojnë me energji elektrike kryeqytetin, investime këto të parashikuara edhe në buxhetin e 2008-ës. Por duket se situata e rënduar e këtij dimri me temperatura të ulëta dhe reshje të dendura, janë bërë shkak për vonesat. Këto kushte atmosferike pohojnë përfaqësuesit e OSSH-së kanë bërë që në shumë raste forcat e tyre të përqendrohen në defektet e ndodhura që kanë qenë të shpeshta dhe të vështira për t‘u riparuar. Aktualisht, drejtuesit e OSSH-së, por edhe ata të Ministrisë së Energjetikës flasin për një vit të mirë të furnizimit me energji elektrike, jo vetëm për shkak të garantimit të fondeve, në rast të nevojës për import, por edhe prej rezervave të akumuluara si pasojë e reshjeve të fundit të kësaj stine dimërore.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›