E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet, Meta: Në mars do shpallim koalicionin

Zyrtarisht, objekti i Lëvizjes Socialiste për Integrim deklarohet fitorja e zgjedhjeve parlamentare të muajit qershor. Ky vendim u bë publik dje nga Ilir Meta në mbledhjen e Komitetit Drejtues Kombëtar të partisë. Kryesia e LSI-së kthehet në Shtab Qendror Elektoral, ndërsa kryesitë e LSI në rrethe kthehen në shtabe vendore elektorale. "Është detyra jonë që të udhëheqim ndryshimin që shqiptarët kërkojnë, duke qenë i bindur se është dhe detyra ime që t‘u jap shqiptarëve një program konkret qeverisës, në emrin tuaj dhe të alternativës sonë, unë nuk do të merrem me vitin 2008, por do të merrem gjatë këtij viti, jo vetëm me vitin 2009, por edhe deri në vitin 2013", nënvizoi Meta. Sipas tij, duke nisur që nga kjo mbledhje deri në mars duhet të tërhiqet mendimi i çdo anëtari të LSI-së për kandidatët për deputetë, sipas zonave, rretheve dhe qarqeve, me procedura transparente, sipas parimit "Një anëtar, një votë". Po kështu, vijoi Meta, brenda këtij muaji ne do të lançojmë disa nga idetë kryesore të projekt-programit tonë elektoral dhe qeverisës për zgjedhjet e ardhshme, i cili është diskutuar dhe draftuar në një gjendje, e cila tani pret verifikim, ballafaqim me opinionin publik. "Ne sot kërkojmë si Kryesi nga ju si Komitet Drejtues Kombëtar mandatin për të ndërtuar dhe formalizuar koalicionin fitues të zgjedhjeve të ardhshme, në mënyrë që brenda muajit mars të formalizohet gjithçka që ka të bëjë me koalicionin, por edhe me programin, i cili do të jetë i përbashkët", u shpreh Meta. Në këndvështrimin e të cilit, thelbi i programit është rritja e mirëqenies për çdo qytetar shqiptar, e cila nis në radhë të parë nga lufta me program konkret kundër varfërisë dhe kundër monopoleve, që janë një nga arsyet themelore të rritjes së kësaj varfërie dhe polarizimit të frikshëm social në vend. Në këtë drejtim, tha Meta, në programin tonë në luftën kundër varfërisë, e cila prek në mënyrë tepër të rëndë dhe stresante gati 1/3 e shqiptarëve do të jenë bonusi jetik dhe punësimi jetik. LSI në reformën e asistencës sociale do të institucionalizojë modelin e "punësimit jetik", i cili kushtëzon përftimin e ndihmës ekonomike kryesisht me punësimin në sektorin publik dhe sferën komunitare. Ky model do të përfshijë punësimin në shërbimet komunitare, si ato të mjedisit dhe ambientit, në shërbimet publike që lidhen me qendrat spitalore, rehabilituese, azileve të moshës së tretë. "Duke qenë një forcë politike, e cila në themel të saj ka solidaritetin social, ne jemi të bindur se nuk mund të ketë zhvillim dhe mirëqenie për të gjithë vendin në rast se ne nuk luftojmë me devotshmëri, jo vetëm politike, por dhe sociale e njerëzore, pikërisht pra varfërinë", insistoi Meta. Teksa e cilësoi kundërshtarin më të madh dhe më të frikshëm jo vetëm për 1/3 e shqiptarëve sot, që e vuajnë dhe e përjetojnë çdo ditë, por edhe për stabilitetin social për vendin, edhe për sigurinë e cila tronditet gjithnjë e më shumë nga krimi që vjen për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike. "Do t‘ju ftoja që të diskutonim, duke e ndier veten të gjithë anëtarët e këtij Komiteti si pjesë e një Komiteti Drejtues elektoral gjatë gjithë këtyre ditëve që kanë mbetur deri në qershor të këtij viti", u shpreh kreu i LSI-së. Ai shprehu besim të plotë se LSI do të jetë forca e parë politike dhe koalicioni fitues i zgjedhjeve të ardhshme. Sepse, sqaroi Meta, jemi jo vetëm më të ndershëm në raport me shqiptarët se çdo forcë tjetër politike, jo vetëm se jemi më të drejtë në raport me shqiptarët se çdo forcë politike, jo vetëm se jemi më atdhetarë dhe më kombëtarë në raport me interesat e vendit dhe të kombit, se çdo forcë tjetër politike, por edhe sepse jemi më të aftë se kushdo tjetër.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›