Nuk jam rezervist

Beg Ferati ende nuk i ka shijuar emocionet e Bundesligës. Mbrojtësi kosovar i Freiburgut në ndeshjen e parë të sezonit të ri kundër Augsburgut (2:2), u la në bankën rezervë pas asnjë arsye.
24-vjeçari, i cili të mërkurën debutoi me përfaqësuesen A të Zvicrës në ndeshjen miqësore kundër Lihtenshtajnit, ka thënë se nuk është futbollist rezervist dhe se dëshiron të luajë titullar.
“Hitzfeld më ka pyetur pse kamë qenë në bankën rezervë. Unë nuk kam mundur t’i jap ndonjë përgjigje, sepse nuk e dija”, ka thënë ish-mbrojtësi i klubit zviceran, Basel për të përditshmen sportive gjermane, Kicker.
Në pyetjen se a është i mllefosur, kosovari me pasaportë zvicerane është përgjigjur: “Më parë i dëshpëruar”. Mbrojtësi shtatlartë është i befasuar pasi nuk ka pasur asnjë bisedë me trajnerin Marcus Sorg rreth kësaj çështjeje.
“Unë kam ardhur këtu për të luajtur. Nuk jam lojtar për bankën rezervë”, ka thënë Ferati, i cili gjatë aftit kalimtar të kësaj vere nga ekipi zviceran Basel u transferua tek ai gjerman, Freiburg.
Në anën tjetër, trajneri gjerman ka disa arsye që e ka lënë Feratin në bankinë. Sipas Sorgut, kosovari ka qenë i ngarkuar dhe atij i duhen përgatitje më të mëdha për të luajtur në Bundesligë, e cila e ka intensitetin më të madh sesa elita e futbollit zviceran.
Ai tregon se kur futbollistët e rinj transferohen në Freiburg, iu duhet më shumë kohë për t’u përshtatur dhe sipas tij, për këtë është folur me lojtarët qysh në fillim. “Ne jemi krenarë që Beg Ferati dhe Garra Dembele kanë ardhur te ne”, vlerëson Sorg.
Edhe pse Freiburg nuk ka arritur më shumë se një barazim përballë Augsburgut (2:2), Sorg nuk pritet të bëjë ndryshme në mbrojtje për ndeshjen e radhës kundër Mainzit, me çka nënkupton që Ferati duhet të presë ende derisa të debutojë në Bundesligë.