E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkimin Evropian ndihmon Pakistanin

Bruksel - Bashkimi Evropian pritet t’i akordojë Pakistanit një ndihmë humanitare prej 20 milionë eurosh për të përballuar situatën e krijuar pas luftimeve në rajonin Suat. Lajmin e bën të ditur një zyrtar i Komisionit Evropian, duke bërë të ditur se ndihma do të akordohet gjatë samitit të sotëm.

Zyrtari deklaroi se gjatë punimeve të samitit, që do të përqendrohet në zhvillimin e tregtisë dhe luftën kundër terrorizmit, ekzekutivi i BE-së do të nxisë gjithashtu shtetet anëtare të sigurojnë një fond tjetër shtesë prej 45 milionë eurosh ndihmë nga fondi rezervë.

"Komisioni do të njoftojë sot që BE-ja do t'i ofrojë Pakistanit 20 milionë euro si ndihmë humanitare", deklaroi zyrtari para bisedimeve të planifikuara ndërmjet presidentit pakistanez Asif Ali Zardari dhe zyrtarëve të BE-së në Bruksel.

"Komisioni gjithashtu do të kërkojë nga shtetet anëtare dhe nga Parlamenti Evropian të sigurojnë një shumë shtesë prej 45 milionë eurosh nga fondi rezervë i BE-së", shtoi zyrtari, ku i referohej një fondi të krijuar për raste emergjencash.

Samiti është i pari ndërmjet 27 shteteve të BE-së dhe Pakistanit. BE-ja dhe SHBA-ja kërkojnë marrëdhënie më të mira me Pakistanin, për shkak të shqetësimit të tyre lidhur me përhapjen dhe furnizimin e militantizmit islamik në vend.

Ushtria e Pakistanit po lufton kundër militantëve talebanë në rajonin Suat. Rreth 2,5 milionë persona mendohet të jenë larguar nga rajoni i konfliktit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›