Bashkitë opozitare mbledhin ndihma për familjet e dëmtuara nga përmbytjet
Bashkitë opozitare, në të këtë situatë tejet të vështirë të përmbytjeve në Veri të vendit, solidarizohen për të mbledhur ndihma për banorët e dëmtuar. Shoqata për Mbrojtjen e Autonomisë Vendore zhvilloi dje një takim me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, për situatën në Veri të vendit nga përmbytjet. Pas një takimi rreth 30 minuta, kryetari i kësaj shoqate dhe njëkohësisht kryetari i Bashkisë së Pogradecit, Artan Shkëmbi, deklaroi se të gjitha bashkitë opozitare do të ndihmojnë financiarisht, por ndërkohë do të solidarizohen në përpjekjet për të mbledhur ndihma për familjet e dëmtuara. Anëtarë të tjerë të Shoqatës për Mbrojtjen e Autonomisë Vendore akuzuan sërish kryeministrin Berisha për këtë katastrofë, e cila, sipas tyre, është rrjedhojë e keqmenaxhimit.
Takimi
Ndihma financiare e gjithsecilit prej nesh është mënyra më e duhur për të ndihmuar familjet e dëmtuara nga përmbytjet. Kreu i Shoqatës Vendore deklaroi se krerët e bashkive dhe punonjës të tjerë do të japin kontributin e tyre për banorët e Shkodrës. “Ne do të jemi krah tyre për të ndihmuar financiarisht, ku kryetarët e bashkive dhe komunave do të japin pjesë nga pagat e tyre, ku biznesmenë, punonjës të administratës dhe qytetarët e qyteteve dhe komunave tona, do të sensibilizohen që të kontribuojnë në përmirësimin e situatës", - tha Shkëmbi. Anëtarë të tjerë të Shoqatës kanë pohuar se korrupsioni, babëzia kanë sjellë shkaktimin e
katastrofës në Veri. “Kam qenë në terren para dy ditësh dhe kam parë se çfarë shkakton korrupsioni, babëzia dhe paaftësia e kësaj qeverie, e cila ka hapur portat pikërisht në kuotat kritike, ku specialistët, drejtuesit, deri në dikastere e deri te kryeministri nuk ia kanë idenë se si funksionon sistemi energjetik atje dhe pikërisht u krijua kjo situatë", - u shpreh Rustem Struga, kryetar i Bashkisë Pukë.
Ndihma
Dy ditë më parë, në zonën e Shkodrës, Partia Socialiste ngriti shtabin e emergjencës, i cili do të bashkëpunojë me çdo bashki dhe komunë, për t’u ardhur në ndihmë familjeve të dëmtuara. Përveç kësaj, PS-ja ka hapur dy llogari bankare, në dy banka të ndryshme, ku secili prej nesh mund të kontribuojë me një shumë sado modeste, për t’i bërë këto familje të mos ndjehen vetëm. Siç deklaron PS-ja, shumat e mbledhura në këto llogari bankare do të shkojnë për familjet në nevojë, dhe ky proces do të kryhet me transparencë të plotë. Duke inspektuar zonën, Rama tha se opozita do të kërkojë nxjerrjen e përgjegjësve për këtë katastrofë. Në mënyrë të përsëritur, Rama i ka bërë thirrje prokurores së Përgjithshme, Ina Rama, që të marrë çdo masë konform ligjit, për të hetuar këtë katastrofë, me qëllim nxjerrjen në pah të përgjegjësve kryesorë.
Tahiri: “Babëzia qeveritare, përgjegjëse për katastrofën, ministri Prifti të lërë postin”
Nuk është natyra shkaktare e katastrofës në Veri të vendit, por përgjegjësi kryesor është korrupsioni qeveritar. Ky është konstatimi i ripërsëritur nga Partia Socialiste nëpërmjet deputetit Saimir Tahiri, i cili ka kërkuar të vërë para Drejtësisë përgjegjësit, sidomos ministrin e Ekonomisë, Dritan Prifti, i cili duhet, sipas tij, të lërë postin. Deputeti Tahiri tha se kjo katastrofë e shkaktuar edhe për arsye korruptive duhet të ketë përgjegjës dhe përgjegjësi. Sipas tij, babëzia e qeverisë për të fituar me çdo kusht nga eksporti i energjisë, duke mbushur digat edhe përtej limitit të lejuar, solli një krizë humanitare në vend. “Jemi dëshmitarë se si po përkeqësohet dita-ditës situata në Veri të vendit për shkak të përmbytjeve. Ndërkohë askush nuk po merr përgjegjësi. Kjo katastrofë nuk është natyrore. Ka ligje dhe rregullore teknike që nuk janë respektuar, duke sjellë këto pasoja të paimagjinueshme”, - u shpreh deputeti Tahiri. Sipas tij, dëmet e shkaktuara deri më sot nga përmbytjet kapërcejnë disa miliona euro, të cilat do të ishin tërësisht të shmangshme në qoftë se qeveria do të kishte qenë e kujdesshme dhe e interesuar jo për të fituar para nga eksporti i energjisë në kurriz të qytetarëve, por për të ruajtur jetën dhe pasurinë e tyre në radhë të parë.
Deputetët socialistë: Qeveria të miratojë fondin për situatën
Deputetët socialistë kanë theksuar se qeveria urgjentisht duhet të miratojë një fond paraprak pa pritur llogaritjet e dëmeve për situatën në Veri. Namik Dokle, Xhemal Qefalia, Tom Doshi, Gjovalin Kadeli dhe Skënder Hasa kanë parë nga afër disa komuna të përmbytura në qarkun e Shkodrës. Deputetët socialistë kanë qenë në disa fshatra të komunës së Bushatit, të Velipojës dhe në fshatin Mali i Jushit. Ata janë takuar me banorë të këtyre zonave dhe kanë dëgjuar prej tyre shqetësimin për ndarjen më të mirë të ndihmave. Sipas vëzhgimeve të socialistëve, në komunën Velipojë ishte e pamundur të hyje nga rruga e re, ku të cilët kanë përshkruar rrugën e vjetër për të shkuar në këtë komunë pa mundur të hyjnë tërësisht në thellësi të saj pasi edhe ura për të shkuar atje ishte e bllokuar nga uji. “Çdo ditë do të jemi këtu për t’iu gjendur pranë këtyre banorëve, për të shprehur në vazhdimësi solidaritetin e Partisë Socialiste, të Grupit të saj Parlamentar me të gjithë banorët që u janë përmbytur shtëpitë dhe gjithçka”, - janë shprehur deputetët socialistë. Deputetët i kanë bërë thirrje qeverisë që të menaxhojë situatën sepse po të shikosh stallat e mbytura, shtëpitë e mbytura, fshatarë, të cilët nuk kanë ndonjë rrugëdalje. Situata duket si një “Gërdec” i mbuluar me ujë.
11 Janar 2010