E Shtunë, 31 Tetor 2026

Apeli i PS-së: Kontribuoni për të ndihmuar banorët e dëmtuar

Gjendjes së vështirë në Veri të vendit i bashkohet apeli i Partisë Socialiste, ku simpatizantë të PS-së, qytetarë, të solidarizohen për të dhënë kontributin e tyre në vlerë monetare për banorët e dëmtuar. Thirrjen për të mbështetur banorët e zonave të përmbytura në emër të PS-së e ka shprehur deputetja Eglantina Gjermeni, e cila ripërsëriti faktin se kushdo me një kontribut të vogël e modest mund të bëjë shumë në këtë katastrofë që ka përfshirë Veriun e vendit. “Partia Socialiste solidarizohet me të gjithë banorët në nevojë në zonat e përmbytura, të cilët po përballen me vështirësi të mëdha edhe po luftojnë për të mbijetuar”, - u shpreh Gjermeni, duke theksuar se “u bëjmë thirrje të gjithë anëtarëve dhe simpatizantëve të Partisë Socialiste, si dhe të gjithë qytetarëve shqiptarë që jetojnë brenda Shqipërisë apo në emigracion, të shprehin solidaritetin dhe mbështetjen e tyre për familjet, shtëpitë e pasuria e së cilave janë nën ujë”. Nëse shqiptarët do të solidarizohen për të dhënë kontributin e tyre financiar, Gjermeni theksoi se PS-ja ka hapur dy llogari bankare, në dy banka të ndryshme. “Secili prej nesh mund të kontribuojë me një shumë sado modeste, për t’i bërë këto familje të mos ndjehen vetëm. Shumat e mbledhura në këto llogari bankare do të shkojnë për familjet në nevojë, dhe ky proces do të kryhet me transparencë të plotë”, - tha deputetja socialiste. Gjermeni u shpreh se PS-ja do të vazhdojë të insistojë për kompensimin nga ana shtetit e të gjithë të dëmtuarve, por në të njëjtën kohë edhe për nxjerrjen e përgjegjësive për këtë katastrofë. “Jemi të ndërgjegjshëm se vështirësitë me të cilat përballen këto familje nuk mund të mbarojnë me shmangien e rrezikut të përmbytjes. Këto familje do të kenë nevojë për mbështetje, ushqime, veshmbathje dhe më pas, derisa jeta e tyre të kthehet në normalitet. Natyra nuk mund të fajësohet për fatkeqësi të tilla, të cilat mund të ishin parandaluar”, - tha Gjermeni.

11 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›