E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përmbytjet në ditën e dhjetë, situatës së vështirë i shtohen edhe reshjet

Të dhënat nga KESH-i flasin për ulje të nivelit të ujit në Fierzë me dy cm në orë
Ervin KOÇI

Situata e përmbytjeve në zonat e Shkodrës dhe të Lezhës ka hyrë sot në ditën e dhjetë të saj dhe gjendja vazhdon të mbetet e rënduar. Reshjet e shumta që kanë rënë gjatë orëve të para të mëngjesit vazhdojnë të mbajnë nën ujë lagjet periferike të qytetit të Shkodrës. Reshjet e dendura të shiut, të shoqëruara dhe me erë të fortë, e kanë shtuar më shumë ankthin te banorët. Situata më e fundit në kaskadën e lumit Drin, zyrtarisht pranohet nga autoritetet shqiptare si e stabilizuar. Pas një inspektimi në terren të hidrocentraleve, kryetari i Këshillit Mbikëqyrës të KESH-it, Pjetër Dema, tha se gjendja hidrike nuk është më kritike. “Në të tria hidrocentralet punohet me kapacitet të plotë dhe për punonjësit kjo është një situatë tashmë normale”, - u shpreh Dema. Sipas tij, nuk ka vend për panik se digat janë në rrezik, pasi është marrë çdo masë. Por reshjet e rëna në 24 orët e fundit duket se për Ministrinë e Energjetikës nuk e kanë përkeqësuar situatën hidrike. Gjatë orëve të para të ditës së shtunë, zyrtarë të Ministrisë pohuan se shkarkimet dhe prurjet e ujit në HEC-e kanë një tendencë uljeje. Megjithatë, Hidrocentrali i Fierzës mbetet në një kuotë të lartë, mbi 292 metra. Drejtues të Korporatës kanë hedhur poshtë zërat politikë dhe mediatikë për një ndërhyrje të mundshme të politikës në menaxhimin e situatës hidrike. Drejtori i Prodhimit në KESH, Robert Nika, ka sqaruar se, “asnjë politikan, qoftë ky kryeministri i vendit, nuk ka dhënë urdhra për afatin se kur duhet të hapen portat e shkarkimit të ujit nga hidrocentralet”. Sipas tij, çdo veprim është bërë në zbatim të rregullores, e cila është miratuar që në vitin 1988 dhe që zbatohet edhe sot.

Niveli në kaskadë

Korporata Elektroenergjetike Shqiptare njofton se niveli i Fierzës bie me 2 centimetra në çdo orë, ndërkohë që shkarkimet nga tri hidrocentralet vazhdojnë. Sipas njoftimeve të orëve të fundit, nga Fierza shkarkohen 665 metra kub në sekondë, nga Komani 1100 metra kub në sekondë dhe nga Vau i Dejës 1400 metra kub në sekondë. Drejtuesit e KESH-it bëjnë me dije se prodhimi i përgjithshëm është 23.2 milionë kv/h energji, ndërsa konsumi është 20 milionë kv/h. Sipas të dhënave të KESH-it, mëngjesin e djeshëm prurjet në kaskadat e hidrocentraleve ishin përkatësisht: Fierza 650 m3/sekondë, Komani në kuotën e 440 m3/sekondë dhe Vau i Dejës 340 m3/sekondë.

Zonat më problematike

Problematike vazhdon të mbetet situata në komunat Ana e Malit, Dajç, Bërdicë, Velipojë, ku në këto zona vazhdon evakuimi i banorëve nga forcat e Ushtrisë. Që nga 1 janari i këtij viti, niveli i ujit në këto zona ka ardhur duke u rritur deri në sasinë e dy metrave. Shifrat e fundit flasin për mbi 10 270 ha tokë të përmbytur, 2175 shtëpi nën ujë dhe mbi 3700 persona të evakuuar. Në aksin Shkodër-Tiranë, në vendin e quajtur "Harku i Bërdicës", për momentin nuk ka probleme, ndërsa niveli i ujërave në Drin ka rënë disi. Pavarësisht situatës, forca të shumta të Policisë Rrugore dhe të Ushtrisë kanë qëndruar gjatë gjithë natës në gatishmëri. Por edhe pse është ulur niveli i ujërave të Drinit, është rritur niveli i ujërave të Bunës dhe liqenit të Shkodrës. Situata më e vështirë vazhdon të mbetet në zonën e Nën-Shkodrës, ku uji ka përmbytur mijëra hektarë tokë, si dhe qindra shtëpi, ku tashmë uji është prezent në katet e para të tyre.

METE: Në kaskadën e Drinit prurjet janë në rënie

Në kaskadën mbi lumin Drin prurjet janë drejt rënies dhe situata po stabilizohet, pavarësisht reshjeve të shiut në zonat verilindore të vendit. Drejtori i kabinetit në Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Ilir Ciko, deklaroi dje se është duke u stabilizuar situata dhe se ka tendencë në zvogëlim të prurjeve në kaskadën e lumit Drin. Sipas tij, “strukturat e METE-s ndodhen në terren për të ndihmuar me mjetet e nevojshme financiare banorët e prekur nga përmbytjet në Shkodër”. Ciko tha gjithashtu se, në Hidrocentralin e Vaut të Dejës shkarkimet kanë rënë nën 2000 m3/sek, aktualisht janë 1900 m3/sek, ndërsa prurjet në hidrocentralin e Fierzës maten rreth 650 m3/sek, që do të thotë se kanë tendencë rënieje. "Ne kemi vënë në dispozicion të zonave të përmbytura edhe repartin e inspektim-shpëtim të minierave, që është një strukturë e specializuar për ndërhyrje në raste të tilla", - deklaroi Ciko.

Rinis qarkullimi në urën mbi lumin Drin

Dje ka rinisur qarkullimi në urën mbi lumin Drin që lidh rrethin e Tropojës përmes Qafë-Malit, pranë Hidrocentralit të Fierzës. Ura u dëmtua ditën e premte për shkak forcës së madhe të shkarkimeve të fuqishme të ujërave nga porta 4 e Hidrocentralit të Fierzës. Forca e ujit dëmtoi një këmbë të urës, si dhe gërreu zhavorrin, duke hapur një gropë me diametër 1.5 mera mbi urë. Një postbllok policie ndodhet në këtë zonë për t’u ardhur në ndihmë të gjithë drejtuesve të mjeteve. Mësohet se gjatë ditës së djeshme është punuar pa ndërprerje deri në orët e pasdites nga punonjësit e firmës "Geci" për përforcimin e këmbës së urës së dëmtuar. Po dje paradite shkarkimet nga kjo portë janë përgjysmuar dhe situata duket më e stabilizuar. Ndërkohë reshjet e dendura të shiut, të cilat kanë nisur sot në mëngjes, po vështirësojnë situatën në basenin e Fierzës. Policia nuk lejon lëvizjen e mjeteve të rënda të kalojnë në urën e Drinit.

Ministri Ruli: “Porta 3 e Fierzës nuk do të hapet”

Ministri i Bujqësisë, Genc Ruli, i pranishëm në Shkodër, deklaron se situata nuk është e tillë sa të hapet porta 3 e Hidrocentralit të Fierzës. Ministri Ruli deklaroi se, “porta 3 hapet vetëm në ditën e kiametit. Vetëm kur situata është e jashtëzakonshme dhe kemi prurje të jashtëzakonshme. Nuk jemi aspak afër atij rreziku dhe paralajmërimi”. Sipas ministrit të Bujqësisë, ish-ministër i Energjetikës në qeverinë e mëparshme, Fierza është mbajtur nën kontroll dhe është zbatuar rregullorja e miradministrimit të saj. “Fierza nuk mund të mbahej bosh. Vetëm nëse do të mbahej 20-30 metra poshtë nivelit të tanishëm, atëherë nuk do të kishte ndodhur hapja e portave. Fierza është brenda parametrave, ka qenë natyra e reshjeve, reshje të mëdha dhe të befasishme bore të cilat u shkrinë brenda pak ditësh”, - vazhdoi më tej Ruli. Ministri shtoi se situata në kaskadën e Drinit është ekuilibruar dhe janë pakësuar prurjet në Fierzë, Koman dhe Vaun e Dejës dhe nëse do të vazhdohet me këtë ritëm, situata mund të përmirësohet brenda 3 ditësh. Ruli thotë se zhvillimet gjatë ditës së sotme janë të ndryshme në zona të ndryshme. Ai informon se janë ulur derdhjet në kaskadën e Drinit, çka tregon se ka filluar dhe rënia e nivelit të ujit në lagjen Bahçallëk në hyrje të Shkodrës, si dhe harku i Bërdicës, tashmë është i kalueshëm.

11 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›