Liqeni rrezikon qytetin e Shkodrës, Buna shton rrezikun për katastrofë
Rritja e nivelit të liqenit me 13 cm kërcënon banesat në qytet
Albert Gjoka
SHKODËR – Tashmë edhe liqeni i Shkodrës po bëhet shkaktar për rritjen e dëmeve të përmbytjeve. Përveç lumit Buna dhe Drinit, kërcënim real po kthehet edhe liqeni, i cili ka shtuar ndjeshëm prurjet dhe iu është afruar shtëpive në zonat periferike të qytetit verior. Rreziku i trefishtë ka alarmuar edhe ministrin e Brendshëm, Lulzim Basha, që të përsërisë apelin për largimin e banorëve nga zonat e rrezikuara. Gjendja po përkeqësohet edhe për shkak të motit me shi, i cili do të vazhdojë deri më datë 12 janar, ndonëse temperaturat do të ulen disa gradë nën zero në Veri të vendit. Burimet zyrtare të Komitetit Ndërministror të Emergjencave, pasditen e së shtunës raportuan për 2405 shtëpi dhe mbi 1000 hektarë të përmbytura. Duke iu referuar të dhënave të grupit të emergjencave, bilanci i dëmeve nuk ka ndryshuar gjatë gjithë pasdites së djeshme, ndërkohë që flitet për më shumë shtëpi dhe tokë nën ujë.
Liqeni, rrezik
Nëse deri ditën e djeshme Shkodra rrezikohej nga lumenjtë Drin dhe Buna, tashmë po kthehet në kërcënim për qytetin verior edhe liqeni i Shkodrës. Shtimi i madh i prurjeve gjatë dy javëve të fundit ka bërë që niveli i tij t’iu afrohet shumë pranë banesave në lagjet periferike. Një fakt i tillë është konfirmuar zyrtarisht edhe nga drejtuesit e qeverisë që po ndjekin nga afër situatën në terren. Fryrjen e liqenit dhe pasojat që mund të sjellë në zonat e banuara fillimisht e ka lajmëruar kryeparlamentarja Topalli, e cila bëri apel të hapur për largimin e banorëve nga zonat që mund të mbulohen nga uji. “Edhe pse në këto momente ka një lloj uljeje të nivelit të ujit në lagjet hyrëse të Shkodrës në Bahçallëk, niveli i liqenit është rritur me 13 cm”, - tha dje në mesditë Topalli, e cila është zgjedhur deputete në këtë qark. Edhe të dhënat e Komitetit Ndërministror të Emergjencave flasin për shtrirje të sipërfaqes së përmbytur, përfshirë edhe banesa në qytetin e Shkodrës, të cilat kanë ardhur për shkak të daljes së ujërave nga liqeni i Fierzës.
Buna, në pikë kritike
Prej më shumë se 48 orësh edhe lumi Buna përbën rrezik për mijëra banesa në qytetin e Shkodrës. Dje në mesditë u bënë matjet e niveleve dhe kapacitetit të shtratit të tij, i cili është thuajse në pikat maksimale, ku më pas ujërat e tij dalin nga shtrati dhe shkaktojnë dëme katastrofike. Burimet nga Grupi i Emergjencave njoftuan dje në mesditë se Buna është në kuotën 9.11 metra, ku pika kritike e tij është 9.25 metra. Situata është rënduar që prej mbrëmjes së premte, kur u rritën prurjet nga lumenjtë dhe përrenjtë e vegjël që derdhen në Bunë. Me dhjetëra specialistë dhe forca ushtarake kanë verifikuar argjinaturat e lumit dhe kanë bërë ndërhyrje në disa vende për të shmangur daljen e ujit nga shtrati. Gjatë ditës së djeshme u zhvendosen më shumë se 300 persona nga lagjet periferike të Shkodrës.
Drini vazhdon përmbytjet
Ndonëse ditën e premte zonat që preken nga Drini patën një numër të vogël përmbytjesh, gjatë ditës së shtunë pati një rritje të banesave dhe sipërfaqeve të tokës që u mbuluan me ujë. Kjo erdhi për shkak të rritjes së kuotave të shkarkimit nga hidrocentrali i Vaut të Dejës. Në mëngjesin e djeshëm sasia e derdhjeve ishte në kuotat e 1900 metrave kub për sekondë dhe në mesditë u rrit në 2100 metra kub për sekondë. Kjo solli rritje të nivelit të ujit në zonat e banuara dhe për pasojë zgjeroi hartën e përmbytjes dhe bilancin e dëmeve. Komuna e Dajçit është ndër më të goditurat nga katastrofa që ka ndodhur. (Shih tabelën e zonave të përmbytura.)
Apeli: Largohuni!
Edhe mbrëmë ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, përsëriti apelin për banorët e Shkodrës, duke kërkuar largimin e të gjithë personave që ndodhen të rrezikuar. Ai bëri thirrje sidomos për banorët e komunës së Dajçit. Ndonëse, sipas tij, situata është nën kontroll, Basha e motivoi largimin e banorëve për të lehtësuar dhënien e ndihmës nga forcat e Ushtrisë. “Të gjithë të bashkëpunojnë me autoritetet dhe të vazhdojë evakuimi”, - është shprehur Basha, duke njoftuar edhe hapjen e rrugës tokësore për komunikimin me Dajçin.
Një pjesë e mirë e territorit të Shkodrës ndodhet nën ujë që prej datës 2 janar, ku pasojat më të rënda të përmbytjeve u shënuan ditën e enjte, pikërisht në momentin kur po bëheshin shkarkime masive të ujit nga diga e Vaut të Dejës. Të dhënat zyrtare duket se nuk korrespondojnë me ato në terren, pasi banorët ankohen për përmbytje masive si dhe akuzojnë qeverinë për mungesë strategjie në largimin e ujit nga pronat e tyre dhe zgjidhjen e shpejtë të situatës. Duke iu referuar sinoptikanëve, edhe ditët në vijim nuk do të shënojnë përmirësim përsa u përket kushteve të motit dhe ndër të vetmet zgjidhje për të mbajtur nën kontroll prurjet nga lumenjtë dhe kaskada e Drinit, është konsideruar bashkëpunimi me fqinjët në Malin e Zi dhe Maqedoni.
I - STATISTIKAT SIPAS DITËVE
Tokë e përmbytur Persona të evakuuar Shtëpi të përmbytura
E shtunë – Ora 18:00
10 000 ha 4177 persona 2405 shtëpi
E shtunë - Ora 12:00
10 000 ha 4177 persona 2405 shtëpi
E premte – Ora 22:00
10 100 ha 4025 persona 2205 shtëpi
E premte - Ora 19:00
10 270 ha 3850 persona 2205 shtëpi
E premte - Ora 13:00
10 270 ha 3752 persona 2175 shtëpi
E premte - Ora 08:00
10 170 ha 3752 persona 2110 shtëpi
E enjte - Ora 19:00
9150 ha 3407 persona 2080 shtëpi
E enjte - Ora 9.00
4786 ha 527 familje 870 shtëpi
E mërkurë - Ora 19:00
4816 ha tokë 527 familje 870 shtëpi
II - SHKARKIMET NGA HEC-et
Vau i Dejës Shkopet Ulëz
Ora 17:00 (m3/sec)
2150 164 180
Ora 12:00 ((m3/sec)
1900 264 280
Njësia vendore Tokë e përmbytur Persona të evakuuar Shtëpi të përmbytura
Bashkia Shkodër 250 ha 448 330
Komuna Dajç 2000 ha 2000 1187
Komuna Ana Malit 1200 ha 282 180
Komuna Velipojë 2000 ha 25 50
Komuna Bërdicë 1800 ha 370 300
Komuna Guri Zi 1000 ha 730 200
Komuna Bushat 1700 ha 312 150
Komuna Qendër, M.Madhe 50 ha 10 8
Gjithsej 10.000 ha 4177 persona 2405 shtëpi
Edhe moti kundër Shkodrës, shi dhe ngrica për disa ditë
Deri më datën 12 janar i gjithë vendi dhe kryesisht zona ku ka përmbytje në vendin tonë, do të përfshihet nga reshje shiu, shtrëngata dhe reshje dëbore. Sipas meteorologëve, kjo periudhë do të regjistrojë edhe ulje të temperaturave në verilindje dhe veriperëndim, të cilat do të arrijnë disa gradë nën zero. Por, për disa ditë me radhë pjesa më e madhe e kohës do të jetë me mot të lagësht dhe shira të rrëmbyeshëm. Më poshtë jepen të dhënat sinoptike në vendin tonë deri ditën e martë.
PARASHIKIMI I MOTIT DERI MË 12 JANAR
Moti, datë 10 janar
Moti do të jetë me vranësira të dendura, të cilat do të jenë shtresore e grumbullore. Reshjet do të jenë të pranishme në të gjithë vendin. Ato priten në formën e shtrëngatave në perëndim të vendit. Njëkohësisht, reshjet e dëborës do të jenë të pranishme në lartësitë 700 m mbi nivelin e detit, kryesisht në verilindje e juglindje të vendit. Temperaturat do të kenë tendencë zbritje të mëtejshme dhe në zonat malore do të jenë edhe nën 0 gradë. Era do të ketë drejtim veriperëndim-verilindje, e vrullshme në bregdet.
Moti, datë 11 janar
Duke u gdhirë data 11 janar moti do të mbetet i vranët dhe me praninë e reshjeve të pakta, në formë shiu e dëbore mbi 700 m. Gjatë ditës priten përmirësime të kushteve atmosferike. Vranësirat do të shoqërohen me kthjellime të përkohshme. Temperaturat në mëngjes do të jenë përsëri nën 0 gradë në zonat malore, ndërsa gjatë ditës do të dalin nga vlerat negative.
Moti, datë 12 janar
Gjatë ditës do të ketë vranësira mesatare e të dendura, të cilat do të shoqërohen me reshje të pakta, thuajse në të gjithë vendin, jo të vazhdueshme. Temperaturat do të kenë një tendencë rritjeje të lehtë.
Ekspertët: Digat kanë siguri absolute
Të gjithë specialistët shqiptarë të digave, përfshirë edhe ekspertët e huaj që janë thirrur për të dhënë konsulencë në këtë periudhë kritike, kanë deklaruar se kaskada e Drinit është e sigurt. Sipas tyre, Fierza është projektuar për të përballuar një prurje prej 9600 metrash kub për sekondë, ndërsa prurjet aktuale nuk arrijnë më shumë se 1200 metra kub për sekondë. Njëri prej projektuesve të digave të HEC-eve, Egon Gjadri, dy ditë më parë u shpreh për VOA-n, tha se uji në liqenin e Fierzës është 20 metra poshtë kuotës së kurorës së digës. Ai thotë se situata aktuale tregon se tërësia ujore e Shkodrës, ndoshta me introduktimin e hidrocentralit të Bushatit, ka nevojë për një studim më të gjerë. Duhet përfshirë edhe pjesa poshtë e Lezhës, përveç argjinaturave dhe kullimeve, stacioneve të pompimit dhe shumë punime janë bërë atje. Duhet përfshirë edhe ajo ardhja e jashtëzakonshme të e ujit të detit për herë të parë.
11 Janar 2010