Milo: PD e PS të dialogojnë për kodin
Kryetari i PDS-së, Paskal Milo, i ka bërë thirrje politikës shqiptare që të ulet dhe të dialogojë për të gjetur një zgjidhje në lidhje me Kodin e ri Zgjedhor. Gjatë një konference për shtyp, Milo theksoi se "janë krijuar të gjitha mundësitë, që përmes një dialogu dhe ndoshta edhe ndërmjetësimi, të hidhen hapa përpara, të cilat të çojnë në kompromise që nuk dëmtojnë asnjë parti, përveçse shëndoshin procesin e hartimit përfundimtar të kodit dhe do të garantojnë një lojë të ndershme elektorale me një rezultat të pakontestueshëm nga forcat politike". Gjithashtu, ai i kërkoi PD-së dhe PS-së që të shikojnë dhe reflektojnë edhe një herë lidhur me Kodin Zgjedhor, larg interesave të tyre elektorale e partiake dhe në favor të interesave të shqiptarëve e stabilitetit politik të vendit.