PS, asnjë koment për grevën e urisë
Partia Socialiste nuk ka bërë asnjë koment për propozimet e deputetëve grevistë, të cilët kanë kërkuar të rishikohet edhe një herë kodi në administrimin e procesit të votimit dhe numërimit të votave. Ish-bashkëkryetari socialist i Komisionit për Reformën Zgjedhore, Kastriot Islami, një nga ekspertët e njohur për çështjet elektorale, dha përgjigje vetëm për çështjen e buxhetit, për të cilën kishte dalë para gazetarëve. "Kam dalë sot për buxhetin... Jam i gatshëm në çdo moment, madje edhe në diskutimin që do të bëhet për reformën zgjedhore në Parlament, do të ketë një diskutim të gjatë dhe nen për nen", tha Islami. PS-ja është shprehur kundër grevës së urisë së dhjetë deputetëve grevistë, duke theksuar se ky është një presion që u bëhet partive politike.