E Diel, 1 Nëntor 2026

Greva, sot beteja në Parlament

Afrimi i seancës parlamentare ka intensifikuar edhe deklaratat e deputetëve grevistë, të cilët theksojnë se nëse PD-ja dhe PS-ja miratojnë kodin e ri, do të përshkallëzojnë protestën. Duke iu dhënë fund hamendjeve se sot mund të mbyllet greva e urisë së dhjetë deputetëve, zëdhënësi i grevës, Dritan Prifti, ka deklaruar se "nëse PD dhe PS vendosin me arrogancë konsensuale të miratojnë Kodin Zgjedhor pa ndryshimet e domosdoshme, greva jo vetëm do të vazhdojë në Parlament, por ajo do të zgjerohet e fuqizohet edhe përpara Parlamentit, si dhe do të zgjerohet në të gjithë vendin". Prifti e ka bërë këtë deklaratë rreth orës 21:00, duke theksuar se "nuk do të pranojnë kurrë shkeljen e parimeve ndërkombëtare për zgjedhje të ndershme dhe të lira". Sipas tij, në rrugë demokratike dhe paqësore, ata do ta çojnë deri në fund aksionin e tyre për shenjtërinë e votës në vendin tonë.

Shëndeti

Gjendja shëndetësore e dhjetë deputetëve grevistë ka qenë e rëndë edhe dje. Kujdesi mjekësor ka qenë i vazhdueshëm. Në orët e pasdites, ata janë vizituar nga ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo. Pas vizitës në sallën e Kuvendit, ministrja theksoi se gjendja shëndetësore e deputetëve grevistë përgjithësisht është e qëndrueshme dhe se ata po u nënshtrohen kontrolleve mjekësore të vazhdueshme. Ministrja ka kërkuar që deputetët të mos e refuzojnë ndihmën mjekësore, pasi dihet se prej dy ditësh, deputeti Frrok Gjini, refuzon të marrë serum dhe të pijë ujë. Kjo na është konfirmuar në orët e vona të darkës edhe nga deputeti Pëllumb Xhufi. Ai ka theksuar për "Shqip" se deputetët kanë probleme me tensionin, por gjendja e tyre është paksa më e qëndrueshme. Edhe deputeti Ymer Tola ka qenë më i qetë dje pas ndihmës mjekësore që ka marrë në urgjencën e spitalit.

Protesta

Dhjetë deputetët grevistë janë mbështetur edhe dje nga militantët e tyre, të cilët kanë vijuar protestën deri në orët e vona të mbrëmjes. Protesta ka nisur ashtu si gjithmonë rreth orës 17:30, ku nuk kanë munguar thirrjet dhe parullat e shumta kundër dyshes Rama-Berisha dhe pro votës së lirë. Podiumi i ngritur në sheshin para Parlamentit ka shërbyer edhe dje për qytetarët, të cilët kanë shprehur mendimet e tyre në lidhje me grevën dhe nuk kanë kursyer akuzat dhe sharjet ndaj Kryeministrit Berisha dhe kryetarit të PS-së, Rama. Protestat në mbështetje të dhjetë deputetëve grevistë, sipas LSI-së, kanë vijuar edhe jashtë vendit, para selisë së OSBE-së dhe komunitetit evropian në Romë. Protestuesit janë shprehur në unison të plotë me atë që kërkojnë deputetët në grevë urie. LSI-ja ka njoftuar se manifestime të ngjashme po përgatiten edhe në Bruksel dhe në SHBA përpara Shtëpisë së Bardhë, etj. Me grevën e urisë janë solidarizuar edhe gazetarët e pavarur dhe intelektualët e Radio Televizionit, Zëri i Kosovës në Danimarkë. Ata kanë përcjellë indinjatën e tyre dhe të qindra shqiptarëve që u kanë telefonuar ditët e fundit nga Skandinavia për indiferencën dhe arrogancën që institucionet shtetërore të Shqipërisë tregojnë karshi grevës së urisë së dhjetë deputetëve. Në mesazh thuhet se sot, më shumë se asnjëherë më parë, duhet të mobilizohemi për t‘i ndalur hovin tendencave antidemokratike që dëshirojnë të kthejnë prapa proceset historike të Shqipërisë.

Lazer Stani: Nëse PD-PS votojnë Kodin, atëherë përshkallëzohet greva e urisë

Kryesia e PDK: 900 anëtarë të PDK-së, në grevë urie të martën

PDK-ja paralajmëron me grevë urie masive. Kryesia e kësaj partie ka vendosur dje që greva të përhapet në të gjitha degët e PDK-së në të gjithë Shqipërinë. Sipas sekretarit politik të kësaj partie, Lazer Stani, do të jenë 900 anëtarë të PDK-së, të cilët do t‘i bashkohen grevës së urisë së deputetëve grevistë nesër në orët e para të mëngjesit, në rast se PD-ja dhe PS-ja miratojnë Kodin e ri Elektoral. Sekretari politik i kësaj partie bëri me dije se anëtarët e PDK-së do të jenë të pranishëm edhe në protestën që do të zhvillohet në orën 16:00 përpara Kuvendit të Shqipërisë.

Greva e urisë së deputetëve të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Partisë Demokristiane dhe Partisë Socialiste 91, pritet të marrë përmasa të tjera edhe më të gjera. Edhe pse sot në Kuvend do të votohet Kodi i ri Elektoral, por gjithashtu edhe do të protestohet paralelisht jashtë mureve të Parlamentit nga të gjithë anëtarët dhe mbështetësit e tri forcave politike që i janë bashkuar grevës në emër të votës së lirë, greva do të fillojë të përshkallëzohet edhe më tej.

Sekretari politik i PDK-së, Lazer Stani, ka bërë me dije se sot protestës së orës 16:00 do t‘i shtohen edhe anëtarët e PDK-së të ardhur nga të gjitha rrethet e vendit. Po kështu, një numër i konsiderueshëm militantësh të LSI, PDK dhe PS91 do të rreshtohen sot përpara Kuvendit, që kanë ardhur nga të gjitha anët e vendit.

Kampi rival

Nga ana tjetër, kampi rival brenda Partisë Demokristiane, ai i drejtuar prej Anton Gurakuqit, ka reaguar nëpërmjet një deklarate duke bërë me dije se "çdo deputet ka të drejtë sipas arsyetimit të tij personal të marrë vendime për të hyrë qoftë dhe në një grevë urie, por askush nuk mund të deklarohet në atë grevë urie se përfaqëson Partinë Demokristiane dhe aq më shumë kur këtë grevë e bëjnë disa deputetë që janë shquar për lojëra politike gjatë kësaj legjislature dhe bëjnë grevë vetëm e vetëm sepse, sipas llogarive të tyre, nuk u janë përmbushur kushtet dhe interesat vetjake për t‘u rizgjedhur deputet në zgjedhjet e 2009-ës". Partia e drejtuar nga Anton Gurakuqi ka sqaruar se "akti i grevës së urisë së disa deputetëve nuk gjen mbështetjen e demokristianëve në të gjithë vendin, ndërsa si një parti e qendrës së djathtë, ne i bëjmë thirrje edhe një herë forcave politike të mazhorancës për t‘u unifikuar në bashkëpunim për një përgatitje serioze për maksimalizimin e fitores në zgjedhjet parlamentare të 2009-ës".

Mbështetja

Organizatat civile përkrahin deputetët grevistë

Organizatat e shoqërisë civile dhe minatorët kanë mbështetur publikisht grevën e dhjetë deputetëve. Nëpërmjet një deklarate, ata kanë shprehur shqetësimin e tyre për mungesën e transparencës së nevojshme në përgatitjen e Kodit të ri Elektoral. Ata kanë propozuar një paketë parimesh në dobi të garantimit të një procesi zgjedhor të barabartë dhe të gjithëpranuar. Përfaqësuesit minatorëve u kanë kërkuar përfaqësuesve të shtetit dhe ndërkombëtarëve që të gjejnë një zgjidhje për krizën politike dhe të garantojnë gjithëpërfshirje në procesin zgjedhor.

Sot pritet që Kuvendi të miratojë Kodin i ri Zgjedhor

PD e PS, jemi gati ta votojmë sot kodin

Kuvendi pritet të miratojë sot Kodin e ri Zgjedhor, i cili ka marrë formën e tij përfundimtare tri ditë më parë nga Komisioni i Reformës Zgjedhore. Miratimi i këtij kodi pritet të zhvillohet në sallën e Kuvendit, në kushte jo të zakonshme, pasi prej shtatë ditësh dhjetë deputetë janë të ngujuar në Kuvend në grevë urie, në shenjë proteste ndaj kodit të hartuar prej dy partive të mëdha. Përfaqësuesit e dy partive të mëdha kanë bërë të ditur se janë gati ta miratojnë kodin në seancën e sotme. Ndërsa zëdhënësi i grevës së urisë, deputeti Dritan Prifti, u ka bërë edhe një thirrje të fundit dy partive të mëdha, që të reflektojnë ndaj kërkesës së bërë nga disa parti të vogla parlamentare. "I kemi kërkuar PS-së dhe PD-së zyrtarisht me letër dhe gojarisht të bashkëpunojmë për zgjidhjen e krizës, por deri tani nuk kemi asnjë përgjigje. Presim me shpresë që këto forca politike do të ndërgjegjësohen dhe do kontribuojnë për atë që presin të gjithë shqiptarët, një zgjidhje që të garantojë besim, barazi dhe ndershmëri në zgjedhjet e vitit 2009", është shprehur Prifti. Por kjo deklaratë sërish ka rënë në vesh të shurdhër, pasi dy partitë e mëdha kanë vijuar punën e tyre, duke i dhënë formën përfundimtare Kodit të ri Zgjedhor. Dy ekspertë, përfaqësues të PD-së dhe të PS-së, që janë marrë me hartimin e këtij kodi, kanë zhvilluar pasdite një takim mes tyre, ku kanë rregulluar edhe gjërat e fundit teknike që kishin mbetur para se kodi të kalojë për miratim në sallën e Kuvendit. Pas këtij takimi, ekspertët kanë mbrojtur edhe njëherë nenet e ndryshuara në kod. Dy ekspertët kanë shpjeguar arsyet se pse kanë vendosur për reduktimin e anëtarëve të KQZ-së nga 9 në 7, ku është marrë për bazë raporti i OSBE-së për zgjedhjet lokale të 2007-ës. Eksperti i PS-së ka theksuar se "aty flitet qartë për zvogëlimin e numrit të komisioneve, sepse numri i madh i tyre ka sjellë probleme në administrimin e zgjedhjeve". Po kështu, edhe eksperti i PD-së ka theksuar se "shtimi i numrit jo domosdoshmërisht sjell cilësi në vendimmarrje. Ai ka sjellë edhe probleme në administrimin e zgjedhjeve, pasi na duhet një kohë e shkurtër në nxjerrjen e rezultateve, në mënyrë që të ketë stabilitet procesi". Ekspertët kanë shpjeguar se përse nuk mund të pranohet propozimi i LSI-së që zgjedhjet të administroheshin nga përfaqësues civilë. "Tradita shqiptare ka provuar se ende nuk ka garanci dhe përfaqësim të mjaftueshëm, të paanshëm për të garantuar efikasitetin e komisionerëve", theksojnë ekspertët. Ata premtojnë se do të ketë transparencë, pasi çdo votë do të monitorohet nga kamerat dhe vëzhguesit, të cilët kanë po aq të drejta sa ç‘ka edhe grupi i numërimit të votave.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›