Selia blu "injoron" grevën
Partia Demokratike i "shuan" përfundimisht shpresat për kërkesat e deputetëve grevistë. Zëdhënësi i grupit parlamentar të PD-së, Aldo Bumçi, deklaroi dje se partia që ai përfaqëson nuk është njohur ende me letrën që grevistët i kanë dërguar Kryeministrit Sali Berisha dhe kryeparlamentares Jozefina Topalli. "Nuk jemi njohur ende në mënyrë zyrtare me përmbajtjen e letrës", është shprehur ish-ministri i kabinetit "Berisha", Aldo Bumçi. Partia më e madhe në Kuvend është përpjekur në këtë mënyrë të distancohet nga greva e urisë së një pjese të deputetëve të Kuvendit, ndërkohë që sot në mesditë pritet të mblidhet grupi parlamentar i Partisë Demokratike, i cili do të diskutojë për mënyrën e votimit dhe për qëndrimin që grupi i demokratëve do të mbajë sot në seancën plenare të Parlamentit, ku pritet edhe miratimi i Kodit të ri Elektoral.