E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përplasen katër mjete, dy të vdekur në Elbasan

AKSIDENTET/ Dy aksidente janë shënuar mbrëmjen e së shtunës në Elbasan, teksa 5 vetë kanë mbetur të plagosur

ELBASAN - Dy të vdekur dhe 5 të plagosur është bilanci i dy aksidenteve të regjistruara në Elbasan mbrëmjen e djeshme rreth orës 19:00. Aksidenti i parë është regjistruar në vendin e quajtur Pishat në afërsi të lagjes "Çamëria", rreth 5 kilometra në dalje të qytetit të Elbasanit. Dy mjete të tipit "Benz" janë përplasur me njëri-tjetrin ku për pasojë ka gjetur vdekjen në spital shtetasi Refat Dyrma.
Mësohet se mjeti me targë EL 2423 B me drejtues shtetasin Eduard Dyrma është përplasur me mjetin me targë TR 4844 L, me drejtues shtetasin Sulejman Debrova. Si pasojë e përplasjes mbeti i vdekur 70-vjeçari Refat Dyrma, pasagjer në mjetin me targë Elbasani, ndërsa mësohet se dy drejtuesit e mjeteve ndodhen të shtruar në spitalin kirurgjik, në gjendje të rëndë për jetën. Burime nga grupi hetimor i mbërritur në vendin e aksidentit për të zbardhur shkaqet, bëjnë të ditur se dyshohet që ka qenë një parakalim i gabuar që ka shkaktuar përplasjen, teksa ende vijojnë hetimet.
***
Ndërkohë, thuajse në të njëjtën kohë në Labinot-Fushë në rrugën nacionale Elbasan-Librazhd në afërsi të fabrikës së birrës, dy mjete janë përplasur me njëri-tjetrën, ndërsa njëri prej tyre edhe me një karrocë e për pasojë ka gjetur vdekjen karrocieri. Mësohet se ka gjetur vdekjen Rexhep Kumria, 40 vjeç, që po udhëtonte me karrocën e tij në drejtim të Elbasanit. Ndërsa të plagosur kanë mbetur Esat dhe Avni Duraku, përkatësisht 21 dhe 22 vjeç, si dhe shtetasi Osman Qosja, 57 vjeç, që udhëtonin në mjetet e përplasjes. Të dëmtuarit po marrin mjekim në spitalin kirurgjik të Elbasanit. Në aksidentin e dytë burime nga policia shprehen se nga hetimet e para rezulton se karroca është përplasur me një automjet e më pas po ky mjet është përplasur me një tjetër që i është afruar vendngjarjes. Mësohet se një nga shkaqet e aksidentit ka qenë fushëpamja e kufizuar, një parakalim i gabuar, si dhe errësira, që ka ndikuar te përplasja me karrocën e kuajve. Gjithsesi, në të dy aksidentet e ndodhura dyshohet se mjetet kanë shkelur rregullat e qarkullimit rrugor. Policia rrugore është duke përcaktuar fajtorët. Gjithsesi, janë shoqëruar drejtuesit e mjeteve që nuk kanë pësuar dëmtime të rënda dhe po punohet për të përcaktuar rrethanat në të cilat kanë ndodhur dy aksidentet fatale.
Aksidentet janë kthyer në shqetësimin më të madh për zonën e Elbasanit. Vetëm për vitin 2009 u regjistruan 36 të vdekur nga aksidentet, një numër dyfish më i madh se vitet e tjera.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›