E Diel, 1 Nëntor 2026

Bashkohuni në fundjavë, përjetoni Kosovën, aktivitet për promocionin turistik

Aktivitetin promocional turistik "Bashkohuni në fundjavë, përjetoni Kosovën", si një panair i destinacioneve turistike kosovare për ture turistike, startoi dje në Tiranë për të vijuar dhe gjatë ditës së sotme. Të pranishëm në këtë panair ishin mbi 70 operatorë turistikë, të cilët prezantuan resurset turistike kosovare të maleve të Sharit, Rrafshit të Dukagjinit, Rrafshit të Kosovës, Malësisë së Gjakovës, etj. Gjatë panairit promovues të biznesit turistik të Kosovës do të krijohen mundësitë për t'u njohur me të e për të marrë çmime e oferta për grupet turistike të tureve turistike si dhe për organizime turistike fundjavash. Për zëvendësministrin kosovar të Industrisë, Tregtisë dhe Turizmit, Jakup Krasniqi si dhe për Ambasadorin e Kosovës në Tiranë, Gazmend Pulaj, panairi synon vendosjen e bashkëpunimit me partnerët turistikë nga qytetet kryesore të Shqipërisë dhe nga jashtë, qytetarët shqiptarë me banim në qytetet më të mëdha, si Tirana, Durrësi, Shkodra,Vlora, etj, komuniteti ndërkombëtar që jeton dhe punon përkohësisht në Shqipëri, por edhe klubet shqiptare dhe ndërkombëtare, bizneset bankare, klubet dhe ekipet sportive. Ndërkohë që kreu i UOTSH, Sadik Malja, vlerësoi rëndësinë e ndërtimit të autostradës Durrës-Kukës-Morin, në kuadër të rritjes së bashkëpunimit mes operatorëve të të dy vendeve, por edhe lehtësi të tjera të krijuara nga qeveria shqiptare në kuadër të lëvizjes së lirë të qytetarëve dhe mallrave, siç janë edhe heqja e një sërë taksash doganore, etj. Vetëm disa ditë kur autostrada Durrës-Kukës-Morin  është inauguruar, destinacionet turistike kosovare nisën rrugën drejt Tiranës, në  panairin turistik "Bashkohuni në fundjavë dhe përjetoni Kosovën". Autostrada, projekti më i madh në Shqipëri, është me 4 korsi, 2 korsi në çdo drejtim. Ndërtimi i saj përfshiu edhe dy tunele paralele me nga 5.5 km, njëri prej të cilëve tashmë është funksional, por edhe 29 ura. Afro 4.5 km rrugë është mbi ura dhe struktura deri në 80 m lartësi. Autostrada do të lidhë bregdetin shqiptar me Kosovën, duke reduktuar ndjeshëm kohën e udhëtimit në këto destinacione në krahasim me rrugët ekzistuese, krijon kushtet për një lëvizje me shpejtësi 80-100 km/orë, duke realizuar lidhjen e Morinit, në kufi me Kosovën, me Durrësin për vetëm 2 orë e 30 minuta në kushte krejt normale, madje edhe në periudhat e dimrit. Ky aktivitet organizohet nga Unioni i Operatorëve Turistikë Shqiptarë, në bashkëpunim me organizatën turistike "KOTAS" Kosovë, e mbështetur nga USAID.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›