E Shtunë, 31 Tetor 2026

Taksitë e Tiranës në kaos, bashkia i ka lënë në udhëkryq

Problemet e taksistëve në kryeqytet duket sikur nuk kanë të sosur kurrë. Përveç problemeve të tyre ata që e vuajnë më shumë këtë kaos të taksive janë qytetarët. Meqenëse taksistët që paguajnë taksa janë të rrezikuar nga taksitë e palicensuara ata ngrenë çmimet e udhëtimeve madje edhe tani me urdhrin e vënies së taksimetrave taksistët janë të çorientuar. Ata thonë se ne jemi drejtë falimentimit për shkak të taksive të paligjshme që në kryeqytet i kalojnë të 600 taksitë, ndërkohë që një konkurrencë tjetër e pandershme po i vjen edhe nga shoferët e administratave shtetërore që gjatë pasdites punojnë si taksistë. Tani atyre ju kërkohet që të vënë një taksimetër që kushton rreth 350 euro pa llogaritur taksat që i paguajnë Bashkisë së Tiranës. Të ndodhur në këtë lloj situate ata janë shumë të pakënaqur dhe nuk dinë se çfarë të bëjnë tjetër veçse herë pas herë të ngrenë çmimet përderisa Bashkia e Tiranës nuk ka marrë ende as edhe një lloj mase për zgjidhjen e këtij problemi.
Taksistët drejtë falimentimit
Konkurrenca e paligjshme po falimenton taksistët taksapagues të rregullt dhe po pasuron "piratët". Kjo është dhe arsyeja pse shoqata e taksistëve ka organizuar herë pas here protesta. Madje para disa kohësh Sindikata e Pavarur e Transportit Shqiptar, nisi grevën e përgjithshme 1 ditore. Edhe pse kanë protestuar më parë, kanë kërkuar disa herë takime me ministrin e Transporteve, kanë dorëzuar kërkesat e tyre në qeveri dhe bashkinë e Tiranës, asnjë zgjidhje nuk kanë gjetur dot. Përfaqësuesit e Sindikatës së Transporteve janë përcjellë që te dera e institucioneve të mësipërme, pa u pritur nga askush...Kjo ka bërë që para pak kohësh, më në fund Sindikata të zhvillojë grevën e përgjithshme 1 ditore, si paralajmërim të një greve tjetër pa afat, në rast se nuk do të plotësohen kërkesat e tyre. Taksistët e licencuar kanë kërkuar nga institucionet shtetërore që të ndalojnë punën e taksive informale që po i çojnë drejt falimentimit. Informaliteti, jo vetëm në Tiranë por në gjithë Shqipërinë është 100 për qind. Ne po falimentojmë të gjithë sepse po na grabisin. Gjithë vendet e taksive zihen nga mjetet e komunave, tregon një taksist.
Zyrtarë dhe efektivë policie makinat e shtetit i përdorin për taksi.
Pas orareve zyrtare të punës, shoferë të administratës, punonjësit e saj dhe efektivë te policisë i përdorin këto makina në shërbimin taksi ilegalisht. informacioni vjen nga vetë taksistët, të cilët të bindur se citimi do u kushtonte shtrenjtë, parapëlqejnë tu ruhet anonimati. ndërkohë që janë të shumta zonat, ku këta "të fortët e shtetit", shoferë të drejtorëve, shefave në institucione shtetërore, punonjës të administratave dhe në disa raste edhe efektivë të policisë ushtrojnë këtë shërbim për qytetarët, që për ta është pa kosto materiale, pasi makina dhe nafta "buron" nga shteti, por me një kosto ligjore, nëse dikush i "vë re" apo nëse dikush do të guxonte të ngrinte dore mbi vetë shtetin dhe punonjësit e tij, të cilët shkelin ligjin.
Çdo taksi duhet të ketë taksimetër
Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë u bën thirrje taksistëve që të pajisin me taksimetër automjetet e tyre. Sipas burimeve zyrtare nga ky institucion, subjektet e licencuara për shërbimin taksi, që do të pajisen me taksimetër, duhet të sigurojnë dhe montojnë në automjetin e tyre aparatin përkatës, i cili plotëson kërkesat teknike-metrologjike ligjore. "Taksimetrat që do të vendosen në automjetet taksi të licencuara për shërbim në qytetin e Tiranës duhet që gjatë instalimit të taksimetrit të vendosin në memorien e taksimetrit tarifat.- shprehen burimet e mësipërme. Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Metrologjisë, pas instalimit dhe vendosjes së tarifave në memorien e taksimetrit, duhet kryer vulosja dhe subjektit të shërbimit taksi t'i lëshohet dokumentacioni përkatës, përfshirë dhe kartelën e taksimetrit të plotësuar rregullisht në të gjitha zërat e saj. Të njëjtat burime bënë të ditur se Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë nuk do të pranojë për verifikim asnjë taksimetër, që nuk ka të regjistruara në memorie tarifat e miratuara. Mësohet se llojet e miratuara të taksimetrave që lejohen të hidhen në tregun shqiptar dhe të vihen në përdorim deri tani janë, taksimetër bullgar tip "Taxi Elite LG", taksimetër bullgar tip "Emtax-100", dhe taksimetër italian tip"Digitex F3 Plus", ndërkohë që çdo aparat i tillë duhet të ketë memorie me të dhënat në gjuhen shqipe dhe duhet të jetë i pajisur me printer. Ndërkohë taksistët shprehen se vendosja e taksimetrave do të rëndojë mbi ata që punojnë në përputhje me ligjin dhe do të jetë favorizues për taksistët e paligjshëm, të cilët mund të ulin çmimet, në kushtet kur nuk paguajnë taksa dhe detyrime të tjera.
Ja sa kushton një udhëtim me taksimetër
Në mbledhjen e Këshillit Bashkiak do të përcaktohen tarifat e reja për shërbimin taksi. Tarifa më të larta në fundjavë e për ditë festash. Me tarifat e reja të sugjeruara nga Bashkia e Tiranës, pasagjerët do të kenë një pagesë fillestare ku nuk do tu matet koha, dhe kjo për dy kilometrat e parë është 250 lekë për taksitë dhe 400 lekë për fugonët. Më pas tarifat janë të ndara në tri zona, A, B dhe C, të cilat përcaktojnë distancat që duhet të përcaktojnë këto mjete. Zona A, përfshin distancën nga 5-7 km, ku 5 kilometra pas dy kilometrave të parë do të kenë tarifa 100 lekë për km, por ndërkohë do tu merret parasysh edhe koha në të cilën përshkohet kjo distancë, ku do paguajnë 25 lek/min. Ndërsa, zona B përfshin distancat prej 10 kilometrave, pasi janë përshkruar 2+5 kilometrat e parë, dhe tarifa që do të paguajnë udhëtarët kur lëvizin me taksi për këtë distancë do të jetë 85 lek/km, plus kohën që do e kenë mjetin në dispozicion, me tarifën 21 lekë/min. Ndërkohë, në zonën C bëjnë pjesë zonat me distancë mbi 17 kilometra. Tarifa që do paguhet për taksitë 4+1, është 80 lek/km, plus 20 lekë/min koha se sa do të zgjasë udhëtimi. Ndërkohë që në fundjave, në festat zyrtare dhe gjatë natës, pasagjerët do të paguajnë tarifa më të larta se ditët e tjera. Ndërsa, për sa i përket pasagjerëve që udhëtojnë me fugon (8+1), distanca fillestare prej 2 kilometrave do të kushtojë 400 lekë. Më pas, distancat e tjera dhe për fugonët janë ndarë po në tri zona, ndërsa për bagazhet bashkia e ka lënë që palët ta vendosin në konsensus mes tyre. Gjithashtu, në këtë vendim është përcaktuar se ora e parë e pritjes është 1900 lekë, ndërkohë për orët e tjera palët duhet të vendosin mes tyre.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›