Universitetet, zbardhet përmbajtja e formularit A2
Jonida Tashi
Kandidatët që dëshirojnë të vazhdojnë studimet e larta duhet të plotësojnë edhe formularin A2. Megjithëse nuk është miratuar ende, specialistët e Arsimit, që po merren me hartimin e këtij formulari, shpjegojnë se ai nuk do të pësojë ndryshime thelbësore në përmbajtje. Kjo do të thotë se maturantët, edhe gjatë këtij viti, për të konkurruar për në universitet, do të kenë mundësi të zgjedhin 10 preferenca. Është e detyrueshme që të mbushen të dhjeta kutitë e preferencave, ndryshe formulari quhet i pavlefshëm. Nëse nuk keni 10 preferenca, kutitë mund t’i plotësoni me tre 0.
Ndryshimet
Përsa i përket futjes së elementeve të reja në formular specialistët pohojnë se është parashikuar që në formularin A2 të shtohen degët e reja që janë hapur vitin e kaluar në disa universitete të vendit. Gjithashtu, në listën e profileve të gjimnazeve do të shtohen edhe dy profile të tjera, duke e çuar në 50 numrin e profilit të shkollave të mesme në vend, nga 48 që ka qenë në Maturën 2008. Koeficientet e shkollave të mesme, që vlejnë për plotësimin e formularit A2, do të variojnë nga 1.0 deri në 1.4. Çdo degë e shkollës së lartë ka në dispozicion pesë koeficiente nga 1.0 deri në 1.4. (1.0, 1.1, 1.2, 1.3, 1.4), me të cilat vendos preferencën e saj për llojet e ndryshme të shkollave të mesme, që dallohen nga planet dhe programet që zbatojnë. Mundet të vendoset i njëjti koeficient për 2 e më shumë lloje shkollash. Secila nga tri notat e para (nota mesatare dhe dy notat për provimet e lëndëve të detyruara, Matematikë e Gjuhë-Letërsi), shumëzohen me koeficientet e vendosura nga dega e fakultetit, respektivisht për llojin e shkollës së mesme që ka kryer kandidati.
Degët
Me anë të formularit A2 merren të dhënat për notën mesatare të shkollës së mesme të maturantit dhe 10 preferencat e tij për programet e studimit në institucionet e Arsimit të Lartë. Para se të nisë plotësimi i formularit A2, Ministria e Arsimit do të publikojë listën e plotë të degëve të fakulteteve në 11 universitetet publike. Rreth 100 degët e 46 fakulteteve publike do të gjenden të listuara në formularin A2, i vlefshëm për përzgjedhjen e degëve të preferuara ku maturanti dëshiron të studiojë. Sipas rregullores së Maturës, më datën 30 qershor përfundon afati për përzgjedhjen e preferencave për të drejtat e studimit. Lista e degëve zë pjesën më të madhe të formularit A2. Nxënësit duhet ta lexojnë me shumë kujdes këtë listë, për të gjetur degët që preferojnë. Për secilin universitet të Shqipërisë janë renditur të gjitha degët e tij. Në krah të emërtimit të çdo dege ka një numër me 3 shifra, që përfaqëson degën. Duke ndjekur me kujdes listën e degëve, së pari ndaloni në universitetin ku dëshironi të ndiqni studimet. Lexoni me kujdes degët e atij universiteti dhe për një degë që preferoni, mbani shënim numrin e degës dhe emërtimin e saj, p.sh. në Universitetin e Tiranës: 010 Kimi Ushqimore. Po brenda të njëjtit universitet mbani shënim numrin dhe emërtimin e degëve të tjera të preferuara, p.sh. 021 Punë Sociale, e kështu me radhë. E para do të jetë dega që preferoni më shumë, e dyta ajo që preferoni nëse nuk do të fitoni në preferencën e parë e kështu me radhë. Mbi këtë bazë të preferencave do të shpallen fituesit për secilën degë, gjithmonë nëse kandidatët kanë mbledhur pikët e nevojshme.
Tarifa
Çdo kandidat që jep provimin/provimet me zgjedhje, paguan tarifën e Maturës Shtetërore në mënyrë individuale, sipas udhëzimit të posaçëm që dërgon MASH-i para se të dorëzohet i plotësuar formulari A2. Për të marrë formularin A2 nxënësi duhet të ketë kryer pagesën prej 15 lekësh.
Regjistrimi
Regjistrimi i çdo kandidati për provimin me zgjedhje konsiderohet i plotë në qoftë se krahas plotësimit me saktësi të çdo të dhëne të kërkuar, formularit A2 i bashkëngjitet mandatarkëtimi origjinal, që vërteton pagesën e tarifës së Maturës Shtetërore.
Formulari
Formulari A2 pranohet vetëm i shoqëruar me mandat-arkëtimi. Në qoftë se për arsye të ndryshme kandidati nuk merr pjesë në provimin me zgjedhje për të cilin ka bërë pagesën, kjo e fundit nuk kthehet.
Afatet
Formulari A2, së bashku me udhëzuesin për plotësimin e tij, duhet të miratohet nga MASH-i deri më datë 1 prill. Kandidatët që dëshirojnë të vazhdojnë studimet në shkollat e larta duhet të plotësojnë formularin A2 brenda datës 30 qershor dhe ta dorëzojnë atë në KSHMSH.
13 Mars 2009