Studimi, një në 10 qytetarë rezulton i sëmurë me veshka
Emanuela Sako
Të prekurit nga sëmundjet e veshkave rezultojnë në shifra të larta. Studimi më i fundit ka treguar se raporti është një në dhjetë persona vuan nga veshkat. Specialistët sqarojnë se sëmundja ka prejardhje të ndryshme, por personat që janë më të predispozuar janë të gjitha ata që vuajnë nga hipertensioni dhe diabeti. Në Ditën Botërore të kësaj sëmundjeje raportohen shifra alarmante, ku personat e prekur janë të moshës mbi 30 vjeç. Në vendin tonë nuk ka të dhëna të sakta për personat e prekur, pasi një pjesë e të prekurve nuk drejtohen në spitale, por vetëm kur gjendja shëndetësore përkeqësohet. Ndërsa në të gjithë botën janë 500 milionë njerëz që vuajnë nga veshkat, ose rreth 10 për qind e popullsisë së botës. Sipas mjekëve nefrologë, megjithëse kjo sëmundje avancon ngadalë, pasojat që mund të lënë në shëndetin e njerëzve janë të mëdha. Prandaj këshillohet parandalimi i menjëhershëm i sëmundjes dhe evidentimi i saj në fazat e para.
Shkaktarët
Mjekët ende nuk mund të saktësojnë se cilët janë shkaktarët kryesorë që shkaktojnë këto sëmundje, por më i rëndësishmi mbetet trashëgimia. Sëmundjet e veshave shkaktohen edhe nga sëmundje të tjera kronike, siç janë diabeti, tensioni arterial dhe sëmundjet e zemrës. Rritja e sasisë së sheqerit në gjak ndikon drejtpërsëdrejti në shfaqjen me sasi të lartë të albuminës, duke e çuar pacientin drejt sëmundjes kronike të veshkave. Rreth 40 për qind e diabetikëve janë të predispozuar të vuajnë nga sëmundje të veshkave dhe kërkojnë kryerjen e transplantimit, dializës apo hemodializës. Por ky grup pacientësh është edhe më i rrezikuari për të humbur jetën më shpejt se ata persona që vuajnë nga sëmundje të tjera kronike. Kurimi jo i saktë dhe mungesa e marrjes së vazhdueshme e kurës nga pacientët rrezikon që shpeshherë ata të humbasin veshkën. Në këtë mënyrë transplantimi i veshkës është një operacion i vështirë dhe po aq vështirë që të gjendet dhuruesi. Për më tepër, ka një kosto të lartë.
Rritja
Specialistët në të gjithë botën theksojnë se pritet një rritje e numrit të të prekurve me veshka. Të dhënat tregojnë se në vitin 2015, në të gjithë botën mendohet se do të jenë 36 milionë persona që do të vdesin nga kjo sëmundje. Specialistët shprehen se kur veshka humbet funksionimin është e nevojshme kryerja e dializës derisa pacienti të gjejë një dhurues. Në vendin tonë numërohen rreth 164 pacientë, të cilët marrin këtë shërbim në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Gjatë tre viteve të fundit numri i të sëmurëve që trajtohen me dializë është rritur me 100 pacientë.
Shmangia e sëmundjes
Arrihet nëpërmjet kontrollit të hipertensionit arterial dhe albuminës, si dhe të nivelit të sheqerit në gjak tek të sëmurët diabetikë
Te të sëmurët kronikë me veshka është e nevojshme që tensioni arterial të mbahet nën 13080 mmHg, te i sëmuri që është me diabet këto shifra duhet të jenë nën 12575 mmHg
Te pacientët diabetikë vlera e albuminurisë duhet të jetë nën 30mg24 orë. Kjo realizohet nëpërmjet matjeve të vazhdueshme
13 Mars 2009