Qeveria rrit përfitimet për paraplegjikët dhe tetraplegjikët
Këshilli i Ministrave miratoi dje një paketë vendimesh për trajtimin e kategorisë së invalidëve, paraplegjikë dhe tetraplegjikë. Duke prezantuar këtë paketë, kryeministri Berisha tha se me ndryshimet e miratuara në trajtimin e këtij kontingjenti rritet me mbi 60 për qind trajtimi i tyre, krahasuar me vitin 2005. Si pjesë e kësaj pakete, qeveria miratoi vendimin për rritjen e masës së mbulimit të shpenzimeve të paketës së materialeve higjieno-sanitare në masën 16 mijë lekë në muaj, nga 12 mijë lekë që është aktualisht. Gjithashtu, pjesë e ndihmës ndaj tyre është edhe akordimi falas të sasisë prej 80 litra naftë në muaj, e barabartë me sasinë që u akordohet deputetëve të Kuvendit. Kryeministri u shpreh se qeveria e konsideron plotësisht të drejtë kërkesën e tyre që personi kujdestar të gëzoj sigurimin shoqëror dhe ofron për këta persona pensionin bazë minimal të qytetit.
Licencat, së shpejti në njësitë vendore
Pritet që procesi për marrjen e licencave për ndërtim dhe transport do të thjeshtohet më tepër tani që ka kaluar për llogari të njësive vendore në vend. Kjo është arritur falë një projekti të Bashkimit Europian me disa shoqata të njësive vendore, i cili ka si synim thjeshtimin e procedurave për marrjen e licencave. Fillimisht, projekti është vendosur në 3 njësi vendore, një bashki, një komunë dhe një qark, për t’u zgjeruar më pas dhe në 22 njësi të tjera vendore. Projekti 2-vjeçar i zbatuar në këto njësi vendore ka rezultuar i suksesshëm. Sipas Albert Brojkës, drejtues i grupit të ekspertëve, projekti ka qenë i ndarë në tri faza. Së shpejti të gjitha rezultatet e projektit do t’u shpërndahen dhe njësive të tjera vendore në mënyrë për të thjeshtuar edhe më shumë procedurat e dhënies së licencave.
Bashkia, rikonstruktoi Çerdhen Nr. 26 në kryeqytet
Bashkia përfundoi rikonstruksionin e Çerdhes Nr. 26 në kryeqytet. Me një fond prej 22.800.000 lekësh nga të ardhurat e Bashkisë së Tiranës, është mundësuar rehabilitimi i Çerdhes Nr. 26 në kryeqytet. Kryetari i Bashkisë, Edi Rama, i pranishëm në inaugurimin e kësaj çerdheje, ka sjellë në vëmendje kërkesën e vazhdueshme të Bashkisë së Tiranës për vënien në dispozicion të pronave dhe të aseteve publike me qëllim kthimin e tyre në funksion të qytetarëve dhe komunitetit. Ai deklaroi se gjithçka është në dobi të brezit të ri dhe Bashkia ka marrë përsipër rehabilitimin e të gjitha ambienteve publike për fëmijët. Gjatë një periudhe të shkurtër Bashkia e Tiranës ka rehabilituar 37 shkolla dhe mjaft çerdhe. Njëkohësisht po rehabiliton mjaft rrugë dhe ambiente të tjera publike. Çerdhja Nr. 26 ndodhet në rrugën “Kongresi i Manastirit”, në Njësinë Bashkiake Nr. 3.
13 Mars 2009