Bastet ne Itali prokuroria kerkon denim per Napolin

Re të zeza janë mbledhur mbi qiellin e Napolit dhe jo vetëm për shkak të humbjes së të dielës mbrëma në fushën e Interit. Për ta bërë gjendjen më zi ka menduar Prokuroria federale italiane e cila ka kërkuar dënim për klubin e Italisë Jugore për atë që cilësohet si rol i tij në skandalin e trukimeve të ndeshjeve.
Për të kaltrit e Macarrit është kërkuar heqja e 1 pike nga klasifikimi aktual i Serisë A, po ashtu një gjobë prej 100 mijë eurosh si dhe dënim i 3 prej lojtarëve.
Bëhet fjalë për kapitenin Paolo Kanavaro, zv/kapitenin Xhanluka Grava dhe ish-portierin e tretë të skuadrës Mateo Xhanelo. Prokuroria kërkon që ata të shpallen fajtorë për tentativën për trukim të ndeshjes mes Sampdorias dhe Napolit të datës 16 maj të vitit 2010 në Serinë A.
Për Kanavaron e Gravën është kërkuar dënimi prej 9 muajsh, ndërsa për Xhanelon masa e pezullimit është më e madhe, plot 3 vjet e 3 muaj.
E gjitha kjo mund të ndikojë në ecurinë e skuadrës napolitane që pretendon për titull këtë sezon duke qenë vetëm 5 pikë pas Juventusit kryesues në renditje, ndërsa ndodhet në vendin e tretë me 33 pikë.
Skandali i trukimeve në Itali vazhdon prej kohësh dhe njëra prej viktimave të tij më të mëdha ishte edhe trajneri juventin, Antonio Konte, i cili u dënua me 10 muaj pezullim, ndëshkim që u ul në 4 muaj.