E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bastet per flaken olimpike

Hamendësimi i identitetit të personit që do të zhvillojë vrapimin e fundit me pishtarin olimpik në dorë dhe më pas do të ndezë flakën olimpike mbetet gjithmonë një diskutimeve të nxehta të Lojërave Olimpike. Kur kanë mbetur vetëm pak ditë nga starti i “Londër 2012”, anglezët po kombinojnë me kënaqësi dy prej hobi si sporti dhe bastet, pavarësisht sa qesharake mund të duken disa prej basteve.
Basti më i përhapur sipas “bookmakers”-ave ka qenë se cili do të ndezë flakën olimpike, simbolin e Lojërave në ceremoninë e 27 korrikut. Në Atlanta 1996 nderi i takoi legjendës së boksit, Muhamed Ali, në Sidni 2000 flaka olimpike u ndez nga Keti Frimen, ndërsa në Pekin 2008 i përzgjedhuri ishte gjimnasti Li Ning.
Për “Londër 2012” bastet shohin si favorit 50-vjeçarin Stiv Redgrejv, me koeficientin simbolik 0,3. Kjo për faktin se ai është britaniku më i suksesshëm në Olimpiada, duke fituar disa medalje të arta në pesë Lojëra Olimpike radhazi nga viti 1984 deri në 2000-shin. Rivali më i madh i Redgrejv duket se janë Dalej Tompson fitues i dekathlonit në Moskë në 1980-ën dhe në Los Anxhelos në 1984-ën dhe 83-vjeçari Roxher Banister. 
Në garë për të ndezur flakën olimpike janë edhe Keli Holms, e cila fitoi dy medalje të arta në Athinë 2004 dhe synon edhe dy medalje në “Londër 2012” dhe Kris Hoj, fitues i trefishtë i medaljes së artë në çiklizëm. Zhytësi i ri Tom Dalej është një pretendent serioz sëbashku me Lordin Sebastian Koe, presidentin e komitetit organizator të Londrës, ndërsa ndezja e flakës nga Devid Bekham duket disi më e vështirë,k me koeficientin 25.
“Bookmakers”-at kanë kuotuar me koeficientin 50 shanset e Princit Uilliam dhe Mbretëreshës, ndërsa nuk mungojnë edhe bastet e pazakonta, si nëse do të ketë shi në mbrëmjen e ceremonisë së hapjes, a do të pësojë kryebashkiaku i Londrës Boris Xhonson ndonjë incident ku mund ti digjen flokët, apo nëse mbi stadiumin olimpik do të shfaqet një UFO.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›