E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spanja doping dhe demtime ne Londer

Përfaqësuesja olimpike e Spanjës ka shumë probleme kur ka mbetur vetëm një javë nga starti i “Londër 2012”. Ekipi iberik ka përfunduar në furtunën e dopingut, ndërsa nën akuzë është atleti Angel Mulera, i cili do të konkurrojë në garën e 3 mijë metrave me pengesa.

Sipas të përditshmes spanjolle “AS”, Mulera ka përdorur substancën eritropoietin, e njohur ndryshe si EPO për të siguruar kualifikimin në Lojërat Olimpike. Gazeta ka publikuar disa e-maile që atleti ka shkëmbyer me përgatitësin e tij, ku flitej në mënyrë specifike për Mircera dhe Dinepo, që janë dy lloje eritropoietine.

Biseda është zhvilluar në gusht të vitit 2011, ndërsa Mulera ishte në Kore për Botërorin e Atletikës. Sportisti shkruante: “Në fillim të qershorit duhet të jem pak mirë”, ndërsa në e-mailin e radhës ai fliste më konkretisht: “A duhet të mos përdor më Mirceran dy javë përpara garave. Çfarë ndodh nëse më bëjnë një kontroll surprizë?”.

Në anën tjetër, trajneri i tij i rekomandon edhe recetën me substancën dopuese që atleti duhet të përdorë: “Do të ishtë më mirë që të nisje përdorimin e hormonit të rritjes Saizen, i cili të jep më shumë shpejtësi dhe nuk dallohet në kontrollin anti-doping. Duhet ta përdorësh dy muaj përpara Mirceras. Vajzat e skuadrës së kanoes e përdorin në aktivitete të rëndësishme”.

Më tej përgatitësi i shpjegonte Muleras edhe mënyrat e përdorimit të substancës në bazë të peshës trupore, duke i shpjeguar se në këtë mënyrë ka shanse që të shndërrohet “nga atleti i vendit të fundit në pretendentin për arin olimpik”. Ndoshta Mulera i ka ndjekur këshillat e përgatitësit, sepse pas një dëmtimi të gjatë u kthye në pistë më 8 korrik dhe menjëherë regjistroi një kohë që i siguroi “biletën” në Lojërat Olimpike.

Ndërkohë, një tjetër problem për Spanjën në “Londër 2012” është edhe mungesa e konfirmuar e Rafael Nadal. Ylli i tenisit botëror ka bërë të ditur se nuk do të marrë pjesë në evenimentin sportiv, pasi ka disa probleme fizike, të cilat ende nuk i ka kaluar. Në këtë mënyrë Nadal nuk do të arrijë të mbrojë medaljen e artë të fituar në Pekin 2008, ndërsa tani spanjollët duhet të zgjedhin një tjetër sportist që do të mbajë flamurin në ceremoninë e hapjes.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›