Bastet spanjolle kuotojnë Kadarenë në dhjetë fituesit e Nobel
Romancieri i madh shqiptar Ismail Kadare është renditur si një nga 10 favoritët për marrjen e Çmimit Nobel për Letërsinë. Këtë herë është qendra spanjolle e basteve Ladbrokes, që zgjon debatin për Çmimet Nobel, duke renditur deri më tash në krye të listës si emrin më të kuotuar shkrimtarin izraelit Amos Oz. Kadare ndodhet në dhjetëshen e parë të listës së gjatë, me pikë të njejta me shkrimtarin çek Milan Kundera. Prej vitesh kandidat për Çmimin Nobel, shkrimtari i madh shqiptar fitoi në 2005-ën Çmimin ndërkombëtar "Man Booker Prize", ndërsa Spanja e nderoi pak muaj më parë me titullin “Princ i Asturias për Letërsinë”. Ismail Kadare i cilësuar nga kritika si një nga shkrimtarët më të mëdhenj të epokës, e shtroi rrugën e famës së tij në qarqet ndërkombëtare letrare qysh në vitet e diktaturës, me romanin “Gjenerali i Ushtrisë së vdekur”. Në krye të herës poet, më pas romancier e eseist, Kadare është personaliteti më i njohur i kulturës shqiptarë sot në botë. Fillimisht i botuar në Francë, romanet e tij janë përkthyer në plot 35 gjuhë. Si monumente në vetvete, romanet e Kadaresë për mesazhet universale, gjuhën e përkryer, figuracionin e rrallë gëzojnë popullaritet në qarqet letrare të kohës, duke e lakuar atë si një nga emrat më të rëndësishëm të letërsisë së sotme botërore. Këto vlera të shkrimtarit shqiptar, ishin edhe lajtmotivi i kërkesës që Presidenti shqiptar Bamir Topi, i drejtoi Akademisë Nobel, për çmimin letrar të këtij viti.