Berisha: Ndëshkim ligjor dhunuesve në familje
Me shpresën se tashmë ka nisur një kapitull i ri i luftës për ndëshkimin e dhunës, Kryeministri Sali Berisha bëri dje apel që institucionet të përforcojnë qëndrimin e dhunës në familje deri në ndëshkimin me ligj. Z. Berisha vuri në dukje se dhuna në familje është një problem serioz ndaj të cilit duhet të luftojnë institucionet, por dhe vetë opinioni shoqëror. I ftuar në konferencën “Ne mund të ndalojmë dhunën në familje”, kreu i qeverisë bëri apel për më shumë punë dhe më shumë qëndrim ndëshkues, si shoqëror ashtu dhe zyrtar, ndaj këtij fenomeni, i cili ka në bazë diskriminimin shekullor gjinor. Kryeministri Berisha u bëri thirrje institucioneve shtetërore, të punojnë për uljen e rasteve të shënuara. Ndryshe nga ditët e kaluara, Berisha nuk lëshoi akuza direkte për dhunën në familje, por vuri në dukje se shoqëria duhet të përbuzë modelet e kësaj dhune dhe të asaj ndaj grave. “Dhuna në familje është shumë problematike. Përqindja e saj në raport me krimin tjetër është shumë e lartë dhe e papranueshme. Dhuna në familje nuk ka marrë përgjigjen e duhur shoqërore dhe zyrtare. Nuk kemi një opinion të fuqishëm shoqëror kundër saj. Nuk kemi një promovim të qëndrimit të prerë të shoqërisë kundër saj. Nuk kemi ligje për dënimin më të rreptë të dhunës”, - deklaroi Berisha. Ndërsa shmangu akuzat direkte të artikuluara fort kohët e fundit ndaj rivalit të tij politik, Edi Rama, Berisha ka deklaruar se shoqëria duhet të përbuzë modelet e dhunës familjare dhe bashkëshortes në familje duhet t’i jepet personaliteti i duhur. Sipas tij, është e domosdoshme që çështjen e dhunës në familje ta bëjmë të madhe dhe të mos kemi ndrojtje. Dhuna, - tha Berisha, - ka në bazë një diskriminim shekullor, gjinor. “Bashkëshortja nuk është as skllave as plaçkë, por një personalitet kryesor i familjes”, - pohoi Kryeministri Berisha. Edhe kryetarja e Kuvendit, e pranishme në konferencën e djeshme, apeloi për një qëndrim më të rreptë institucional ndaj dhunës brenda familjes shqiptare. Po dje kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, takoi përfaqësuesen e lartë të Institutit Ndërkombëtar Republikan, Karen Johnson, ku në qendër të bisedës ishte çështja e mbrojtjes së të drejtave të grave, sensibilizimi kundër dhunës në familje dhe kundër kancerit.