E Diel, 1 Nëntor 2026

Todt: F.1 ka nevojë për më shumë spektakël

Deklarata
Presidenti i FIA-s zbulon planet se si ka ndërmend të ndryshojë Formula 1

Zhan Todt shfaqet në rolin e novatorit. Pasi ka mbushur 100 ditë në krye të FIA-s, ai ka ndërmend të ndryshojë disa gjëra në sportet motorikë, kryesisht në Formula 1, në mënyrë që garat të dhurojnë sërish spektakël dhe emocione. Deri më tani, ky sport i është nënshtruar revolucioneve që kanë rezultuar joefikase, por Todt duket se ka “recetën” për të realizuar objektivin e dëshiruar. Ish-menaxheri i skuadrës Ferrari nuk i ka kursyer kritikat për “kufizimin e buxhetit”, i miratuar në periudhën kur “cirkusi” drejtohej nga Mak Mosli: “Realisht nuk më pëlqen. Ai shërben si pretekst për shumë debate. Në anën tjetër, një skuadër e Formula 1 shpenzon shumë para për të ndërtuar një makinë që është vetëm 7-8 të mijtat e sekondës më e shpejtë se njëvendëshet e GP2, që kushtojnë jashtëzakonisht më pak. Një skuadër që shpenzon 200 milionë euro, mund të shpenzojë 50 dhe publiku as që nuk do ta vinte re ndryshimin. Por, kufizimi i buxhetit nuk është gjetja më e mirë: zgjidhja do të ishte aerodinamika e pandryshueshme. Një makinë nuk duhet të ndryshojë aerodinamikë në çdo cirkuit”. Kjo do të nxirrte në dukje aftësitë e pilotit. Një tjetër ide e Todt është ulja e elektronikës, duke bërë që drejtimi i makinës të kthehet si dikur, pra të bëhet më “njerëzor”: “Aerodinamika ka bërë që makinat e tanishme të jenë thuajse perfekte dhe shumë të thjeshta për t’u drejtuar”.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›