Berisha: Titujt e pronësisë në Jug gati në maj 2013
Shqipëria do të ketë regjistrin e vetë të parë dixhital të pasurive të paluajtshme brenda muajit maj 2013. Premtimi ka ardhur dje nga kryeministri Berisha, gjatë konferencës për prezantimin e projektit “Të regjistrimit të pronave të paluajtshme në zonat bregdetare prioritare” të financuar nga Bashkimi Europian dhe me mbështetje të OSBE-së. Projekti i asistencës teknike prej 1,5 mln eurosh i cili do të aplikohet për një zonë nevralgjike turistike të Shqipërisë ka për qëllim të kompletojë regjistrimin e parë të pronës dhe të përditësojë regjistrimin ekzistues për 60,000 prona në zonat bregdetare të vendit nga Palase Gjoleka në veri deri në Xarrë në mënyrë transparente, duke shmangur korrupsionin. Kjo do t’i sigurojë pronarëve tituj të qartë pronësie dhe do të rrisë potencialet në atë zonë. Projekti në fjalë parashikon gjithashtu shenja të treja rrugore të instaluara në Sarandë, Selenicë dhe Armen. Sinjalistika rrugore do të instalohet në bazë të projektit sa më shpejtë edhe në gjashtë zona të tjera; Golem, Qendër Vlorë, Orikum, Lukovë, Delvinë dhe Dhiver me një kosto prej 103,000 euro. “Ky regjistër, në një farë mënyre, është dhe regjistri themelor i sistemit që bazohet në pronën private apo pronën shumëformëshe dhe ekonominë e tregut. Përpjekje të shumta po bëhen për finalizimin e këtij regjistri. Pronat e paluajtshme të përzgjedhura, apo territori i përzgjedhur nga ky projekt, i financuar nga BE dhe vendet mike dhe i zbatuar nga Prezenca e OSBE, duhet të pranojmë që janë njëkohësisht në një nga zonat më problematike, por edhe më të rëndësishme të vendit.”- u shpreh kryeministri Berisha. Ai e vlerësoi si shumë të rëndësishëm këtë proces pasi problematika e krijuar në këto zona ka ardhur si rrjedhojë e një përplasjeje midis Kodit Civil dhe ligjit të ndarjes së Tokës. E kjo përplasje, sipas Berishës, ka bërë që progresi në drejtim të certifikimit dhe të regjistrimit të jetë më modest, më diskret sesa në zona të tjera. “Por, nga ana tjetër, zhvillimet kanë sjellë dhe çdo ditë e më shumë po sjellin një vetëdije, në domosdoshmërinë e regjistrimit të pronësisë dhe zhvillimit të potencialeve të jashtëzakonshme që ekzistojnë në njërën prej zonave turistike më mahnitëse të Mesdheut. Në këtë kontekst, ky projekt është i një rëndësie nevralgjike për problemin e pronësisë në tërësi në vend, për ekonominë e tregut dhe zhvillimin e turizmit”, - tha ai. Gjithashtu, kreu i qeverisë siguroi se shteti disponon të gjitha mjetet dhe mundësitë që të realizohet ky projekt me qëllim pasjen e njërit prej regjistrave më solid të pasurive të paluajtshme në vend. Nga ana e tij, kreu i delegacionit të BE-së në Tiranë Ettore Sequi theksoi se ky projekt është një nga segmentet e rrugës për në Europë. “Titujt e qartë të pronësisë dhe siguria ligjore përbëjnë kushtet paraprake thelbësore, për zhvillimin e begatë të vendit dhe për thithjen e investimeve të huaja. Vetëm kur një sistem i tillë të jetë vendosur plotësisht, atëherë Shqipëria do të mund të kthehet në një terren tërheqës për investitorët e huaj për të krijuar veprime që çojnë drejt gjenerimit të punësimit” - u shpreh Sequi. Ndërsa, kreu i prezencës së OSBE-së në Tiranë Eugen Wollfarth u shpreh se projekti parashikon krijimin e regjistrit, pra regjistrimin dixhital. “BE dhe OSBE mbështesin financiarisht dhe teknikisht projektin, por dhënia e titujve të pronësisë është ekskluzivitet e shtetit shqiptar. Projekti në fjalë do të ndihmojë qeverinë për të rritur sigurinë e zotërimit, e cila është vendimtare për zhvillimin e qëndrueshëm të zonës bregdetare. Gjithashtu, ai do të sigurojë një bazë për zyrtarët dhe ligjbërësit të formulojnë ligje të përshtatshme, politika dhe procedura për të krijuar tituj pronësie të qartë dhe për të mbrojtur këtë të drejtë” - u shpreh ai. Në këtë projekt, bashkëpunimi me qytetarët do të jetë thelbësor për paraqitjen e dokumenteve që disponojnë në lidhje me regjistrimin e pronave.