E Diel, 1 Nëntor 2026

Batërdi grabitjesh në nisje të 2011-ës, kapen dy banda



KORÇË/DURRËS – Kryefjala e këtyre ditëve të para të vitit 2011 kanë qenë grabitjet me dhunë nga persona me armë. Morisë së akteve kriminale iu shtuan edhe dy ngjarjet e fundit të ndodhura dje në Pogradec dhe në Durrës, ku strukturat policore kanë asgjësuar dy banda të organizuara vjedhjesh. Burimet zyrtare të Policisë së Korçës bënë të ditur se kanë arrestuar shtetasit Nardi Xhukellari dhe Halil Xaka, të cilët kanë qenë autorë të një grabitjeje me armë në një lokal në Pogradec më datën 3 janar të këtij viti. Edhe Policia e Durrësit njoftoi se finalizoi operacionin e koduar me emrin “Gomisti”, ku prangosi shtetasit Klodian Sejfullai, Alban Shahini dhe Igli Zhukri, të njohur si grabitësit e parave dhe sendeve me vlerë nëpër automjete.

Operacioni në Pogradec
Pas katër ditësh hetimi, zbardhet grabitja e një lokali në Pogradec, ku autorët janë me precedentë të rrezikshëm penalë. Burimet zyrtare të Policisë së qarkut të Korçës bënë të ditur se arrestuan shtetasit: Nardi Xhukellari, 31 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Verdovë të komunës Buçimas, i dënuar më parë me 5 vjet burg për vjedhje me dhunë në bashkëpunim dhe Halil Xaka, 29 vjeç, lindur në Krujë, i dënuar më parë për “dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit” dhe aktualisht në ndjekje penale për “trafikim femrash”. Dy personat e ndaluar kanë kryer bashkërisht grabitjen e lokalit në pronësi të shtetasit E. P., më 3 janar, në Pogradec. Policia e Pogradecit ushtroi kontrolle ndaj Xhukellarit, ku gjeti një pistoletë “Berreta”, një krehër me 7 fishekë dhe një kapuç maskë, të cilat, sipas policisë, i janë kapur në flagrancë në fshatin Pojan të Korçës. Ndërsa në banesën e tij u gjet dhe sekuestrua edhe një sasi prej 3.6 gramësh lëndë narkotike. Materialet në ngarkim të dy personave të ndaluar i kaluan për hetime të mëtejshme strukturave të Prokurorisë.

Grabitësit e mjeteve
Tre persona që fusnin duart brenda automjeteve dhe vidhnin gjërat me vlerë kanë rënë në prangat e policisë së Durrësit. Pas një sërë vjedhjesh të kryera prej tyre ka nisur hetimi ndaj shtetasve Klodian Sejfullai, Alban Shahini dhe Igli Zhukri dhe vetëm në orët e vona të mbrëmjes së enjte u finalizua aksioni i koduar me emrin “Gomisti”. Gjatë muajit dhjetor policia dokumentoi të paktën tre vjedhje të kryera nga ky grup, ku ishin marrë sasi të konsiderueshme parash dhe sendesh me vlerë. Tre të arrestuarit janë nga Tirana dhe udhëtonin drejt Durrësit me plane të qarta për të kapur prenë. “Në bazë të hetimeve të kryera rezultoi se shtetasit në fjalë, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe me persona të tjerë, në kohë e vende të ndryshme, kanë kryer vjedhje sendesh e vlerash monetare në automjete, duke përdorur kryesisht mekanizmin e shpimit të gomave të automjeteve (pasi arrinin t’iu shponin gomat mjeteve në lëvizje, iu bënin me dije drejtuesve të mjeteve defektin dhe ofronin ndihmën e tyre” – thonë burimet policore. Sipas tyre, në këtë moment, brenda në lojën e grabitjes futeshin bashkëpunëtorët, të cilët duke përfituar nga tërheqja e vëmendjes, kryenin vjedhje në automjet. Në këtë mënyrë ka rënë viktimë shtetasja M. P., së cilës iu morën 600 euro nga këta persona; shtetasi N. I. nga Gostivari i Maqedonisë, të cilit i morën një çantë me një sasi bizhuterish dhe një furgon me targë EL 3577 C, drejtuesit të të cilit i kanë vjedhur 945 000 lekë. Policia e Durrësit bën të ditur se po heton për zbardhjen e veprave të tjera penale që mund të kenë kryer këta persona.
Vetëm gjatë javës së parë të vitit 2011 janë shënuar disa raste grabitjesh, të cilat kanë brishtësuar ndjeshëm sigurinë për qytetarët.

Box
Tenton grabitjen e makinës, prangoset nga policia

TIRANË – Një 48-vjeçar është prangosur pasi ka tentuar që të vjedhë një makinë. Burimet zyrtare të Policisë së qarkut të Tiranës bënë të ditur se mbrëmjen e së enjtes u arrestua në flagrancë shtetasi Arben Sinani, 48 vjeç, banues në fshatin Shytaj të komunës së Petrelës. Sipas tyre, kapja e Sinanit u bë sepse teksa ndodhej në rrugën “Çamëria”, ka tentuar të vjedhë automjetin tip “Volkswagen Golf ”, me targë 530 KS 646, në pronësi të një shtetasi.

Arrestohet 34-vjeçari i dënuar për vrasje, i kap me 4.5 kg Cannabis

MIRDITË – Një person i dënuar me parë për akuzën e vrasjes u arrestua dje nga policia në Mirditë, pasi në banesën e tij u gjet një sasi droge. Burime të policisë kanë pohuar se shtetasi Fatmir Tuci, 34 vjeç, i dënuar më parë për vrasje, u arrestua për shkak se në banesën e tij është gjetur dhe sekuestruar 4.5 kg drogë Cannabis sativa. Policia ka njoftuar se shtetasi Fatmir Tuci, banues në Rubik, është dënuar më parë për veprën penale të “vrasjes”.

Arrestohen dy shqiptarë, shpërndanin kokainë në disa qytete italiane

ITALI - Dy shtetas shqiptarë u arrestuan nga policia italiane me akuzën e shpërndarjes së kokainës në lokale në disa qytete të Italisë. Sokol Pëllumbi dhe Ermal Konçi akuzohen se kanë kryer shitje kokaine për përdoruesit në disa lokale, përfshi Molise, Puglia, Campania, Lazio dhe Piemonte. Në momentin e arrestimit, dy shqiptarët u kapën me disa doza droge, por kontrolli në banesën e njërit prej tyre përfundoi me sekuestrimin e një sasie prej 2 kilogramësh kokainë të pastër. Edhe tre persona të tjerë me iniciale M. L., H. L. dhe C.F. akuzohen se kanë marrë pjesë në qarkullimin e drogës. Ata akuzohen se kanë kryer veprimtari të paligjshme me narkotikët në Romë, Latina Foxhia dhe Campania.
Sipas një zyrtari të policisë, shqiptarët u arrestuan pas denoncimeve të bëra nga vetë përdoruesit. Një prej blerësve, i cili së fundi nuk kishte para, ishte kërcënuar me jetë nga shqiptarët nëse nuk paguante detyrimin për dozat që kishte marrë “borxh” te shqiptarët duke shtyrë për më vonë pagesën e nevojshme. Kjo shërbeu si nxitje nga policia për të nisur hetimet, të cilat përfunduan me arrestimin e pesë trafikantëve të kokainës.

Prokuroria pezullon shefin e Pastrimit të Parave

FIER - Gjykata e Fierit ka marrë vendimin për pezullimin nga detyra të shefit të Zyrës së Pastrimit të Parave në Polici. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se Pandeli Gjoni akuzohet për veprën penale të korrupsionit pasiv. Masa e pezullimit nga puna u kërkuar nga Prokuroria e rrethit. Menjëherë pas vendimit të marrë në gjykatë pritet të nisin hetimet për akuzat që rëndojnë ndaj drejtuesit të sektorit të Pastrimit të Parave në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Fierit.

Gjykata e lartë shpëton egjiptianët e anijes “Evagelismos”

TIRANË - Gjykata e Lartë i ka dhënë fund kalvarit të marinarëve egjiptianë të anijes “Evagelismos”, që u bllokua në Portin e Durrësit marsin e vitit të kaluar për shkak të mosmarrëveshjes tregtare mes pritësit të mallit dhe transportuesit, që përfundoi në dyert e gjykatës. Vendimi i Gjykatës së Lartë i ka shfuqizuar vendimet e mëparshme të Gjyqësorit shqiptar, duke e nxjerrë çështjen jashtë juridiksionit të tij dhe lënë të lirë anijen dhe ekuipazhin prej 8 marinarësh, të cilët, herë pas here, në formë proteste për bllokimin e stërzgjatur dhe kushtet e këqija, tërhoqën vëmendjen e autoriteteve me zjarrvënie mbeturinash. Edhe pas kësaj, anija ndodhet në Durrës, por këtë herë e ankoruar në pontilin e portit, pasi certifikatat e lundrimit i kanë skaduar dhe pritet që porti i regjistrimit, flamurin e të cilit mban, ta pajisë me certifikatë të re ose certifikatë përjashtimi. Ishte dëmtimi dhe humbja e një pjese të ngarkesës me melaminë gjatë një stuhie detare që çoi në dorëzimin e cunguar të ngarkesës në Durrës dhe pretendimi për dëmshpërblim e çoi çështjen në gjykatë. Anija pasi ka kaluar 10 muaj në portin shqiptar pret të furnizohet me karburant, ushqime, ujë dhe artikuj të tjerë të nevojshëm për të nisur lundrimin e ndërprerë.

8 Janar 2011

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›