“The Independent”: Çmimet e ushqimeve rrezikojnë një uri globale
Shtypi britanik ishte përqendruar dje në paralajmërimet e Kombeve të Bashkuara rreth rritjeve të çmimeve të ushqimeve, që sipas OKB-së mund të shkaktojnë një valë të re të urisë anembanë botës. E përditshmja prestigjioze britanike “The Independent” në faqen e saj të parë ka pasur titullin “Po vjen Uria”. Gazeta thotë se, “rritjet rekorde të çmimeve të ushqimeve, e vendosin botën në rrezik, sipas OKB-së”. Gazeta thotë gjithashtu (gjithmonë duke iu referuar OKB-së) se, “trazira sociale që lidhen me ushqime, tensione gjeo-politike, inflacionin global dhe rritja e urisë në mesin e popujve më të varfër të botës do të jenë pasoja të mundshme të rritjeve më të fundit të çmimeve të ushqimeve që kanë arritur shifra rekorde”. Gazetës “The Independent” i ka thënë krye-ekonomisti i Organizatës së OKB-së për Ushqimin dhe Bujqësinë, Abdelreza Abbasian se, çmimet globale të ushqimit janë rritur çdo muaj gjatë gjashtë muajve të fundit. Gazeta thotë se pasojat më të mëdha të rritjes se çmimeve të ushqimeve, bien mbi popujt më të varfër në botën në zhvillim ku nivelet e pagave janë shumë më të ulëta në krahasim me vendet e tjera.
Çmimet e ushqimeve
Edhe e përditshmja The Guardian ka në faqe të parë artikullin që fokusohet në rritjet rekorde të çmimeve të ushqimeve. Sipas OKB-së nga qershori i vitit 2008 deri në dhjetor të kaluar çmimet e ushqimeve kanë qenë më të lartat që nga fillimi i mbajtjes së shënimeve në vitin 1990. Gazetë thotë se, ka frikë se mungesa e shirave në Argjentinë, apo përmbytjet në Australi mund të prekin çmimet e sheqerit dhe grurit ndërkohë që edhe moti i ftohtë në hemisferën veriore do të ndikojë negativisht në rritjen e mëtejme të çmimeve. Edhe e përditshmja “The Daily Telegraph” merret me problemet e mundshme që do të sjellin rritjet e çmimeve të ushqimeve. Gazeta thotë se familjet anembanë botës janë paralajmëruar nga organizata e OKB-së për ushqime dhe bujqësi se, rritjet e mëtejme të çmimeve të prodhimeve të përditshme do të vazhdojnë edhe gjatë këtij viti. Gazeta përmend si një ndër arsyet të rritjes së çmimeve të ushqimeve janë edhe të lashtat e dobëta të vitit të kaluar në Rusi. Gazeta thotë se situatën nuk e ka ndihmuar as vendimi i kryeministrit rus, Vladimir Putin për të ndaluar eksportet e grurit gjatë këtij viti. Ekspertët gjithashtu paralajmëron se rritja e çmimeve të ushqimeve do të jetë e pashmangshme pasi numri i konsumatorëve gjithnjë në rritje në Kinë dhe Indi gjithnjë e më shumë po e rrisin interesin për mishin.
BOX////////////////////////
Ushqimet, rritje rekord në dhjetor 2010
Çmimet e ushqimeve në tregjet kryesore të botës u rritën papritur në dhjetor, njoftoi OKB-ja, duke tejkaluar edhe rekordin e vitit 2008, kur rritja e çmimeve shkaktoi trazira në 61 vende në mbarë globin. FAO, që llogarit ndryshimin mujor të çmimeve në shportën bazë të ushqimeve, deklaroi de është fjala për rritjen më të lartë nominale që nga viti 1990. Nga qershori deri në dhjetor 2010, gruri, orizi, misri dhe soja pësuan një rritje dyshifrore çmimi, e cila tek gruri arriti 69 për qind dhe te misri 53 për qind.
Shkurt//////////////////////////////////////
INSTAT: Korrik-shtator 2010, ekonomia vijoi rritjen
Sektorët e ndryshëm të ekonomisë shqiptare kanë regjistruar aktivitet të çrregullt gjatë vitit që shkoi, por në tërësi, ekonomia ka njohur rritje të kënaqshme. Sipas statistikave më të fundit të publikuara nga Instituti i Statistikave, në 3-mujorin e tretë të vitit 2010 u rrit me 4.9%, kundrejt 3-mujorit të tretë të vitit 2009, ndërsa krahasuar me 3-mujorin e dytë të vitit 2010 u rrit me 1.6%. Rritjen më të madhe e shënuan degët si, bujqësia me 7.6%, industria shënoi një rritje prej 18.2%, dega Tregti, Hotele dhe Restorante pati një rritje prej 8.1%, aktiviteti i transportit në 3-mujorin e tretë të vitit 2010, u rrit me 12.9% krahasuar me të njëjtin 3-mujor të një viti më parë. Ndërsa me rënie gjatë kësaj periudhe paraqiten sektori i ndërtimit, me 22.0%, krahasuar me 3-mujorin e tretë të vitit 2009 dhe me 2.5% krahasuar me 3-mujorin para-ardhës, si dhe dega e post-komunikacionit, pati një rënie me 7.9% këtë 3-mujor, krahasuar me një vit më parë, por pati rritje me 3.7 % përkundrejt 3-mujorit të dytë të vitit 2010. Po sipas këtyre të dhënave, grupi i shërbimeve të tjera në 3-mujorin e tretë të vitit 2010, pati rritje me 12.0% kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë dhe 3.1% krahasuar me 3-mujorin paraardhës.
AKEP: Mbi 3 mijë aplikime për domain-in “.al”
Pas liberalizimit të plotë të domain-it “.al”, numri i subjekteve që regjistrohen on-line deri tani i ka kaluar 3 mijë aplikime. Zyrtarë të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare shprehen se kjo tregon suksesin dhe rëndësinë e këtij domain-i, pasi deri vitin e kaluar ky numër arrinte në 2 mijë aplikime, dhe domain-i ishte funskional që prej vitit 1998. Ky bum shpjegohet edhe me uljen drastike të çmimit, ku nga 75 dollarë, tani është bërë 2 mijë lekë për dy vjet. “Al”, është kodi shtetëror i Shqipërisë në rrjet, dhe përdorimi i tij sjell një seriozitet dhe prestigj më të lartë për kompanitë dhe subjektet tregtare e ligjore.
Tiranë-Durrës rritet bileta e udhëtimit nga shoferët
Fundviti në Durrës përveç shtrenjtimit të produkteve ushqimore është shoqëruar edhe me rritje prej 50% të biletës së udhëtimit drejt Tiranës, si me furgonë ashtu edhe me autobusë. Tashmë udhëtareve që shkojnë në Durrës nga kryeqyteti dhe anasjelltas u duhet të paguajnë 150 lekë. Për shoferët, rritja e çmimit të udhëtimit nuk ka si justifikim shtrenjtimin e karburantit, por fitimet e pakta që u ofron kjo punë. Kjo situatë më shumë duket se do të rëndojë mbi studentët që nisen nga qyteti bregdetar drejt kryeqytetit, por edhe atyre të tiranës që studiojnë në Universitetin e Durrësit.
8 Janar 2011