E Diel, 1 Nëntor 2026

Doganat e mbyllën 2010-n me bilanc pozitiv, arkëtuan 121 miliardë lekë



Ervin KOÇI

Administrata Doganore Shqiptare e ka mbyllur vitin 2010 me një bilanc pozitiv edhe pse plani nuk u realizua në masën 100%. Sipas statistikave të fundit të publikuara nga DPD-ja, gjatë vitit të kaluar administrata doganore arkëtoi 121.28 miliardë lekë, kundrejt 122.59 miliardë lekë të planifikuara, me një realizim të planit vjetor në masën 99%. Kështu Doganat arkëtuan në buxhetin e shtetit 121.28 miliardë lekë nga 106.91 miliardë të arkëtuara në vitin 2009, me një rritje prej 14.37 miliardë lekë ose 13.4%, rritje kjo më e larta në tre vitet e fundit. Vetëm gjatë muajit dhjetor u arkëtuan 12.22 miliardë lekë nga 12.56 miliardë të planifikuara, shifër kjo më e larta e arkëtimeve mujore nga kjo administratë. Krahasuar me muajin dhjetor 2009, në dhjetor 2010 janë arkëtuar 1.39 miliardë lekë më tepër ose 12.8% më shumë. Lidhur me planin e vendosur nga Ministria e Financave, administrata doganore arkëtoi 121.28 miliardë lekë, kundrejt 122.59 miliardë, me një realizim prej 99 për qind. Vetëm për muajin dhjetor u arkëtuan 12 miliardë e 22 milionë lekë, me një realizim prej 97.3 për qind. Sipas Drejtorit të Përgjithshëm të Doganave, shifra 12 miliardë lekë përbën nivelin rekord të arkëtimeve mujore nga DPD-ja.

Stimuluesit
Plani i të ardhurave doganore për vitin 2010 ka rezultuar i suksesshëm për arkën e shtetit, por jo sepse Doganat e realizuan planin por sepse përfituan nga disa “stimulues”. Në këtë mënyrë doganat siguruan rritje të ardhurash falë mekanizmave ligjorë si referencat dhe efektet që jep kursi i këmbimit. Realizimi i planit përkon me rritjen e akcizës për cigaren, e cila nxiti importin fiktiv të këtij produkti dhe të karburanteve, taksa e të cilave pësoi rritje në tremujorin e fundit. Dobësimi i lekut ndaj dollarit dhe euros me të paktën mbi 10 për qind, përdorimi i referencave në shkallën rreth 40 për qind, si dhe rritja e disa taksave për karburantet dhe cigaret kanë shërbyer si kamerdare për doganat shqiptare, duke garantuar të ardhura të bollshme për arkën e shtetit.

Akciza
Lidhur me mallrat e akcizës, te karburantet kemi një nivel zhdoganimi prej 52.260 tonë më shumë se një vit më parë. Në 2010 janë zhdoganuar në total 484.391 tonë nga 432.131 tonë të zhdoganuara në vitin 2009. Kujtojmë që çmimi i naftës në dy muajt e fundit pësoi rritje në bursa dhe shtrenjtimi ndikon direkt tek të ardhurat në buxhet, për shkak të taksave që janë gati sa 120 për qind e vlerës. Kurse cigaret janë zhdoganuar 436.3 tonë më shumë se e një vit më parë. Në 2010 janë zhdoganuar 4500 tonë, nga 4063 tonë të zhdoganuara në vitin 2009.

Eksportet
Eksportet shqiptare gjatë vitit 2010 kanë rritje në sasi e vlerë krahasuar me vitin 2009. Kështu volumi i eksporteve shqiptare shprehur në sasi ka qenë 2.386,8 mijë ton nga 1.465,8 mijë ton të regjistruar me të njëjtën periudhë të një viti më parë me një rritje prej 921 mijë ton ose 62.8% më shumë. Ndërsa si Vlerë të eksporteve shqiptare gjatë vitit 2010 është realizuar një volum në vlerën prej 75.3 miliardë lekësh, me një rritje prej 37.7 miliardë lekësh ose 100.3% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2009 ku u realizua një vlerë prej 37.6 miliardë lekësh eksporte. Gjatë vitit 2010 volumi i rieksporteve nga përpunimi aktiv pati një rritje prej 157.6 mijë ton ose 159.5% më shumë, ndërsa si vlerë llogaritet me 85.4 miliardë lekë me një rritje prej 20.1 miliardë lekë.

BOX///////////////////////////////
Rritet zhdoganimi i cigareve, në Shqipëri shtohet dhe duhanpirja

Politika e qeverisë për rritjen e akcizës së cigareve, si një mënyrë për të frenuar duhanprirjen nuk ka dhënë rezultat. Të dhënat e fundit të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave tregojnë për një shtim të duhanpirjes në Shqipëri. Sipas statistikave, gjatë vitit 2010 u zhdoganuan 4500 ton cigare ose 436 ton më shumë se një vit më parë. Rritja e nivelit të zhdoganimeve tregon për hetim të konsumit të cigareve në vendin tonë. Qeveria ka rritur vazhdimisht akcizën e këtij malli, me qëllim që të frenohet duhanpirja. Rritja e fundit e kësaj takse hyri në fuqi më 1 janar të këtij viti. Akciza e cigareve u rrit nga 50 në 70 lekë për paketë, gjë që u shoqërua me rritje të çmimit të cigareve për konsumatorët në tregun e pakicës.

Shkurt/////////////////////////////////
Kontratë e re për furnizimin me ujë të qytetarëve

Krahas kontratës që konsumatorët do të kenë për furnizimin me energji elektrike, gjatë muajit shkurt do të nënshkruhet edhe një kontratë tjetër rregullatore për furnizimin me ujë. Kontrata për herë të parë merr parasysh të drejtat dhe detyrimet e konsumatorit dhe lind si nevojë e unifikimit të të gjitha kontratave të ndryshme që lidheshin mes konsumatorit dhe shoqërive të shpërndarjes së ujit të pijshëm, të cilat varen nga pushteti vendor në komuna dhe bashki të ndryshme. Në kontratë për herë të parë janë futur akte ligjore dhe nënligjore në mbrojtje të konsumatorit. Kjo kontratë, e cila merr parasysh edhe mbrojtjen mjedisore mund të konsiderohet një hap i rëndësishëm në rregullimin e marrëdhënieve tregtare mes konsumatorit dhe ndërmarrjeve të ujësjellësit. Gjatë këtij viti pritet që të përmirësohet ndjeshëm situata e furnizimit me ujë. Në kontratë parashikohen gjoba dhe ndëshkime për kundravajtësit dhe lidhjet e jashtëligjshme.

Kuponi tatimor, qytetarët: Nuk e marrim faturën për çdo blerje

Data 31 dhjetor ishte dhe afati i fundit i vendosjes së kasave fiskale nga subjektet e biznesit të vogël me TVSH-ë në të gjithë vendin. Megjithatë qytetarët shprehen se nuk pajisen me kuponin tatimor në çdo vend që bëjnë blerje. Sipas qytetarëve, më të rregullt në dhënien e faturave janë dyqanet dhe supermarketet ndërkohë që në tregje nuk pajisen asnjëherë me faturë tatimore me TVSH. Vendosja e kasave fiskale shkaktoi një sërë protestash prej tregtarëve, sipas të cilëve ishte e pamundur që të përballoheshin çmime aq të larta. Në këtë mënyrë qeveria i ofroi tregtarëve subvencionim dhe vendosi si afatin e fundit të vendosjes së kasave fundin e dhjetorit 2010.

Projekti energjetik, lidhje e re Vlorë-Sarandë

Operatori i Sistemit të Transmetimit të Energjisë njoftoi ditët e fundit se do të zbatojë një projekt për ndërtimin e një linje të re elektrike që lidh qytetet e Vlorës me Sarandën. Projekti përfshin ndërtimin e linjës 110 kV nga Babica e Vlorës në Sarandë, duke ndikuar pozitivisht në furnizimin e zonës turistike me energji. Kjo zonë është njohur vitet e fundit për ndërtimet intensive dhe rrjedhimisht edhe me nevojat e mëdha për sistemet e furnizimit me energji. Kompania ka premtuar se linja do të përmirësojë nivelin e tensionit të energjisë elektrike, si dhe furnizimin më të mirë me këtë produkt nga operatorët privatë.

8 Janar 2011

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›