E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bateritë e makinave, rrezik serioz për njeriun dhe mjedisin

22/02/2011  Konferencë në Shkodër, nis fushata senzibilizuese. Në Uznovë, Berat, njerëzit probleme në gjak

SHKODER- Reduktimi i rrezikut që vjen si për njerëzit, ashtu dhe për mjedisin nga bateritë e automjeteve ka qenë tema e diskutimeve të zhvilluara gjatë një konference të organizuar nga qendra mjedisore “EDEN” (qendra Mjedisore për Zhvillim, Edukim dhe Rrjetëzim) në qytetin e Shkodrës. Gjatë kësaj konference qendra “EDEN” lançoi fushatën ndërgjegjësuese “Bateritë! Trajtoji ato me kujdes! Mbro njerëzit dhe mjedisin! ”.

Sensibilizimi

Drejtuesit e konferencës u shprehën se fushata e filluar në Shkodër synon informimin e targeteve që merren me trajtimin e baterive, mbi ndryshimet në legjislacionin shqiptar dhe implikimet përkatëse në këto target grupe. Njëkohësisht, sensibilizimi ka të bëjë dhe me përdorimin e praktikave më të mira dhe më të sigurta gjatë trajtimit të baterive të automjeteve, si dhe orientimin e politikës shqiptare drejt standardeve evropiane. Ermelinda Mahmutaj, drejtore ekzekutive e qendrës “EDEN” shprehet se fushata sensibilizuese mbështetet nga delegacioni evropian në kuadër të projektit për mënjanimin e rrezikut për shëndetin dhe mjedisin që vjen nga bateritë e automjeteve. Projekti është “Reduktimi i rrezikut për mjedisin dhe shëndetin në Shqipëri nga bateritë e përdorura plumb acid të automjeteve”. Ky projekt ka nisur të zbatohet në vitin 2009 dhe është një projekt që zbatohet me financim nga Delegacioni Evropian në Shqipëri në kuadër të programit Cards, që ka nisur në vitin 2006. Janë marrë si zona pilot Shkodra dhe Tirana ku do të përqendrohet dhe zbatohet fushata. Ndërkohë, përveç këtyre dy zonave pilot, duke e parë si një problem ndërkombëtar, kemi vendosur që të përfshijmë në projekt dhe zonën hot spot të Uznovës në Berat. Në këtë zonë kemi bërë dhe analiza të gjakut të personave. Të gjitha këto rezultate pastaj do të interpretohen në raportin e një vlerësimi të përgjithshëm, për të arritur më pas në rekomandimet që do të dërgohen në ministritë përkatëse, të cilat janë shumë bashkëpunuese dhe mbështesin projektin, ndaj dhe kërkojnë që t’i ndajmë këto informacione më tej”. Drejtuesja ekzekutive e qendrës “EDEN”, Ermelinda Mahmutaj, në bazë të informacioneve të grumbulluara nga qendra EDEN, në vendin tonë funksionon një skemë për bateritë e përdorura plumb acid, por mungojnë praktikat e sigurta në realizimin e kësaj skeme. Nisur nga ky fakt, qendra “EDEN” në bashkëpunim me qendrën “Aahrus” në Shkodër do të zhvillojnë një fushatë sensibilizuese njëmujore për të informuar rreth dëmeve që shkaktojnë bateritë e automjeteve, kryesisht me grupet e interesit që merren me trajtimin e tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›