Padia u depozitua dje në Prokurorinë e Përgjithshme
Tiranë - Për herë të parë një gjyqtar ndeshjesh bën padinë kundër një deputeti. Gjyqtari i Lushnjes ka depozituar dje padinë në Prokurorinë e Përgjithshëm kundër deputetit, Hajrulla Paturi si dhe ndaj tre lojtarëve. Burime pranë institucionit të akuzës pohuan për gazetën “Albania” se gjyqtari jo vetëm kërkon që të paditurit të ndiqen penalisht por edhe të dëmshpërblehet nga ata me 80 mijë euro. Të njëjtat burime sqarojnë se padia do të kalojë për në Prokurorinë e Krujës ku dhe pritet të shqyrtohet. Ngjarja ndodhi pak ditë më parë në qytetin e Fushë Krujës. Gazeta “Albania” ka mundur të sigurojë padinë e plotë dhe po e boton atë në numrin e sotëm.
K A LL Ë Z I M P E N A L
KALLËZUESI:
Shkelqim Guci, i biri i Avdyl dhe i Bedrije, i datëlindjes 1974, lindur e banues në Lushnje, Lagja “Skënder Libohova” me arsim të lartë, aktualisht inspektor edukimi pranë IEDP Lushnje.
TË KALLËZUARIT:
1-HAJRULLA PATURI i datl 1966, lindur në Krujë e banues në Krujë, me adresë Deputet pranë Kuvendit Popullor Tiranë.
2-INDRIT UJKA, futbollist me ekipin e futbollit “Iliria” Fushë Krujë.
3-INDRIT GJOKEJA, futbollist me ekipin e futbollit “Iliria” Fushë Krujë.
4-AFRIM DELIU, futbollist me ekipin e futbollit “Iliria” Fushë Krujë.
OBJEKTI:
-Kallëzim për ndjekje penale për veprat e goditjes, kanosjes, fyerjes e shpifjes për shkak të detyrës.
-Shpërblim për dëmin fizik e moral të shkaktuar në masën 80.000 euro.
BAZA LIGJORE:
Nenet 237, 238, 239/2 e 240/2 të Kodit Penal,
Neni 283 i Kodit të Procedurës Penale.
Nenet 608 e vijues të Kodit Civil.
PËRPARA PROKURORIT TË PËRGJITHSHËM TË SHQIPËRISË
Unë kallëzuesi jam punonjës i Insitutit të Ekzekutimit të Dënimeve Penale në Kosovë Lushnje ,me detyrë specialist edukimi. Njëkohësisht jam dhe i angazhuar në shërbim publik në pozicionin e “Arbitër futbolli” pranë Federatës Shqiptare të Futbollit që prej 1996. Jam arbitër futbolli dhe arbitroj ndeshjet në ligën superiore.
Më datë 30.03.2008 unë kam arbitruar si arbitër kryesor ndeshjen e futbollit në Fushë Krujë, mes dy ekipeve të kategorisë së dytë “Iliria” e Fushë Krujës dhe “Albpetroli” i Patosit. Bashkë me mua kanë albitruar dhe asistentët Arben Bejte e Laver Alla nga qyteti i Lushnjës dhe arbitër i katërt ka qenë Marjus Qose po nga Lushnja. Vëzhguesi i FSHF-së për këtë ndeshje ka qenë shtetasi Lirim Cuko nga Tirana dhe i deleguar i FSHF Zija Shaba po nga Tirana.
Ndeshja ka filluar në orën 15.30 dhe deri në orën 17.10 ka vazhduar normalisht dhe rezultati ka qenë 0-0. Në kohën që kam qenë duke arbitruar në fushë, akordoj një goditje dënimi në favor të ekipit udhëtues ”Albpetrol” reth 20-25 m larg portës së albpetrolit. Një lojtar I ekipit “Iliria” I cili bëri ndërhyrjen e gabuar, protestoi dhe unë e kam ndëshkuar me karton të verdhë. Në këtë moment në fushë hyn nga pankinat, një person me kostum civil i cili afrohet tek unë dhe më prezantohet me të gërë e më të bërtitur si deputet dhe njëkohësisht fillon duke më sharë nga dinjiteti i familjes dhe më kërcënon se “nuk del gjallë nga fusha e lojës” dhe më godet me grushta në anën e djathtë të fytyrës sime. Duke marrë shkak nga ky veprim anormal, jo qytetar e antiligjor i këtij personi, disa lojtarë të ekipit të Fushë Krujës , më godasin me grushta e shkelma për disa minuta. Unë u mbrojta me krahë e parakrahë duke ecur mbrapsh reth 20-30 m pasi mund të isha rrëzuar e të isha bërë pre e goditjeve vdekjeprurëse. Veç goditjeve këta lojtarë më shanin e ofendonin dhe ndërkohë nga tifozët vendas hidhen dhe sende të forta në fushë drejt meje e anësoreve. Situata u tensionua shumë dhe u ndërpre loja. Në fushë hynë pas goditjeve punonjësit e policisë. Mua më morën në mbrojtje punonjësit e policisë në fushë, ndërsa asistentët u morën në mbrojtje brenda në dhomat e zhveshjes. Loja u ndërpre për reth 10 minuta dhe unë u detyrova për shkak të situatës së krijuar të rifilloj lojën atje ku kish ndaluar. Loja vazhdoi dhe disa sekonda dhe unë e përfundova takimin ndonëse isha shumë keq dhe mjeku i ekipit të Albpetrolit më dha ndihmën e parë mjekësore në dhomat e zhveshjes. Pas ndeshjes kemi dalë nga stadiumi të shoqëruar me eskortë policie pas reth një ore e ca. Po pas ndeshjes kam bërë relacion me shkrim drejtuar Federatës duke përshkruar gjithë ngjarjet e ndodhura atë ditë në ndeshje.
Personat që më kanë qëlluar, kanosur, e fyer ishin personi i deklaruar si deputet, Hajrulla Paturi dhe sportistët Indrit Ujka, Afrim Deliu, Indrit Gjokeja. Nga sportistët këta ishin me kryesorët pasi pati dhe të tjerë që goditën. Faktin që Hajrulla Paturi ishte deputet e mora vesh të nesërmen nga shtypi.
Të nesërmen në datë 31.03.2008 deputeti Hajrulla ka dalë në intervistë në telivizionet Ora neës, Top Chanel , Vizion Plus e ka deklaruar se “unë e godita arbitrin Guci dhe ja bëra mirë. ”Në shtypin sportiv “Panorama sport” e “Sport Ekspres” ky person përsëri ka ripërsëritur më datë 1.4.2008 se “e kam goditur unë “ dhe ky person shpif për shak të detyrës për mua pasi thotë:” e kam goditur pasi ishte i korruptuar dhe i blerë me euro…” Ky fakt nuk qëndron absolutisht dhe dua të sqaroj se ka qenë një albitrim korrekt e dinjitoz për këto dy ekipe të kategorisë së dytë.
Unë pas kësaj ngjarje jam në shtëpi në gjendje shëndetësore jo të mirë pasi kam patur marrje mendësh, të vjella, dhembje koke, ekimoza në fytyrë, buzë, sy, kokë e gjithandej. Jam fotografuar privatisht në Lushnje më datë 30.3.2008 dhe jam paraqitur tek mjeku ligjor i cili ka lëshuar dhe raportin mjeko ligjor pasi unë ju drejtova Komisarjatit të Lushnjes.
Për këto veprime të kryera ndaj meje kërkoj:
Ndjekjen penale sipas objektit për personat e sipërshënuar.
Persona që kanë dijeni për ngjarjen veç meje janë dhe tre ndihmësat, vëzhguesi, e delegati I Fshf. Gjithashtu kanë dijeni për ngjarjen dhe sportistë e trajnerë të ekipit të Albpetrolit si dhe punonjësit e Fshf.
Ngjarja është filmuar nga kamera amatore dhe janë transmetuar nga kanali Top Chanel, Vizion Plus, Ora neës etj. Në datat 30.3.2008, 31.3.2008 e sot. Në këto filmime duket qartë dhuna e ushtruar ndaj meje.
Bashkëlidhur këtij kallëzimi një raport mjekoligjor me nr 115 datë 1.4.2008, një kopjo e relacionit të dërguar nga ana ime Federatës së Futbollit , një fotografi imja e bërë më dt 30.3.2008 dhe disa kopjo gazetash.
KALLËZUESI
Shkëlqim Guci
4 Prill 2008