E Shtunë, 31 Tetor 2026

RENEA prangos Agim Boriçin, të tmerrshmin e Fierit



Luan Kondi

TIRANË – Ishte prej kohësh në kërkim për disa vepra penale por vetëm dje ka rënë në prangat e policisë. Burime nga radhët e uniformave blu thanë për gazetën “Albania” se falë një informacioni të saktë forcat speciale kanë venë në pranga Agim Boriçin, një nga personat më të kërkuar të drejtësisë shqiptare. Boriçi akuzohet për të paktën tre vrasje të dokumentuara, por ai është i dyshuar edhe për disa të kryera në qarkun e Fierit. Bashkë me Boriçin është arrestuar edhe strehuesi i tij Sabri Sallaku, i cili kishte kohë që e fshihte për të mos rënë në prangat e policisë.
Operacioni
Informacioni ka dekonspiruar bazën ku fshihej 36-vjeçari. Por, duke parë rrezikshmërinë e tij uniformat blu preferuan që operacionin për kapjen e tij ta kryenin forcat elitë të policisë shqiptare, RENEA. Burimet thanë se pasi kanë bërë rrethimin e zonës duke mos i lënë asnjë mundësi ikjeje Boriçit, forcat speciale RENEA ndaluan shumëkërkuarin për vrasje. Sipas njoftimit për shtyp të Policisë së Shtetit, forcat RENEA në bashkëpunim me policinë e Tiranës dhe Fierit, përfunduan me sukses operacionin e koduar “ULPJANA”, për kapjen e të shumëkërkuarit Agim Boriçi, 36 vjeç, lindur e banues në Fier.
Akuzat
36 vjeçari Boriçi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, për dy vrasje të ndodhura në vitet 1994 dhe 1998 në Shqipëri. Ai është dënuar me vendim të formës së prerë me 20 vjet burgim për veprat penale “vrasje me dashje” të shtetasit Ervin Gjini, më 12 prill të vitit 1994, “vrasje me dashje”, të shtetasit Edmond Zefi dhe “vrasje me dashje” e mbetur në tentativë të shtetasit Agim Ulaj, më 5 qershor 1998. Po ashtu është shpallur fajtor dhe dënuar edhe për “mbajtje pa leje të armëve luftarake”. Shtetasi Agim Boriçi është i dyshuar edhe si autor i disa veprave të rënda penale të ndodhura në qarkun e Fierit. Gjatë operacionit për kapjen e të shumëkërkuarit u arrestua dhe shtetasi Sabri Sallaku, 42 vjeç, lindur e banues në Tiranë, për veprën penale të “përkrahjes së autorit të krimit”.

4 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›