E Shtunë, 31 Tetor 2026

Batler: Dialogu në Kuvend jo në rrugë

19/01/2011  Zëdhënësja e Komisionierit Evropian Fule

Brukseli kërkon qartë që rruga të mos jetë alternativë për opozitën shqiptare. Natasha Batler, zëdhënësja e Komisionerit për Zgjerimin në Komisionin Europian, Stefan Fule thotë se rruga nuk është vendi i dialogut politik, për forcat politike të një vendi europian. Natasha Batler zëdhënëse e Komisionerit për zgjerimin në KE ka deklaruar qartë se rruga nuk është vendi ku bashkëpunohet.

“E kemi thënë disa herë që dialogu politik duhet të zhvillohet brenda institucionit të Parlamentit dhe jo në rrugë. Nuk është rruga, ku bëhet dialogu politik. Në rrugë nuk mund të bëhet dialog. Rruga, nuk është vendi i bashkëpunimit politik. Vendi i bashkëpunimit politik është Parlamenti. Parlamenti është një nga bazat e demokracisë. Nëse Shqipëria do të provojë se ka një demokraci të shëndetshme, duhet dialog politik mes partive të mazhorancës dhe opozitës brenda në parlament, për të bërë ligje me një shumicë të cilësuar, në mënyrë që të avancohet drejt një qasjeje evropiane”, ka thënë Batler.

Në thirrjen e saj për dialog, Batler kujton se mungesa e bashkëpunimit politik do të ndikojë drejtpërsëdrejti në ecurinë e procesit të integrimit në Bashkimin Europian. Natasha Batler zëdhënëse e Komisionerit për Zgjerimin në KE ka deklaruar se është thelbësore që liderët politikë shqiptarë të kenë një kulturë komunikimi mes partive të ndryshme brenda parlamentit. “Kështu funksionon në të gjitha demokracitë dhe ne presim që demokracia shqiptare të japë prova maturie. Është me të vërtetë thelbësore kjo për reformat që ju vetë evokoni. Ne ju treguam rrugën e duhur kur vlerësuam pyetësorin me përgjigjet e Shqipërisë, ne ju përvijuam një rrugë dhe ju treguam 12 prioritetet kyçe, përmes të cilave një nga me kryesorët është çështja e arritjes së një mazhorancës të cilësuar, për ligje të tilla si ai për shërbimin civil, apo çështje të tjera, pra është thelbësore te arrihet një mazhorancë e cilësuar. Çdo të thotë kjo? Kjo do të thotë që duhet të arrihet një bashkëpunim politik mes partive të shumicës dhe opozitës, pra është me të vërtetë e rëndësishme që, nëse Shqipëria nuk dëshiron të mbetet pas vendeve të tjera që gjithashtu kanë kërkuar kandidaturën, atëherë duhet të veprojë në mënyrë të vendosur në bazë të rekomandimeve të bëra nga KE, për tu përgjigjur atyre kritereve dhe atyre rekomandimeve. Kjo është me të vërtetë një çështje maturie politike dhe i bëjmë thirrje të gjithë partive politike të japin prova të përgjegjësisë politike dhe maturisë politike”, ka thënë Batler.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›