E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha italianëve: Ejani investoni në Shqipëri

19/01/2011  Forumi ekonomik italo-shqiptar

Kryeministri Sali Berisha fton investitorët italianë, në veçanti ata të rajonit të Lombardisë për të shtrirë investimet e tyre në Shqipëri. Deklarata u bë gjatë forumit ekonomik italo-shqiptar që po zhvillon punimet në Milano, me praninë e rreth 100 biznesmenëve shqiptarë. Forumi ekonomik u konsiderua si një mundësi e shkëlqyer për bizneset e dy vendeve për të vendosur raportet me interes të përbashkët, gjatë takimit që Kryeministri Berisha pati më herët me kryetaren e Bashkisë së Milanos Letizia Moratti, Presidentin e rajonit të Lombardisë, Roberto Formigoni dhe Presidentin e provincës së Milanos, Guido Podesta. Formigoni theksoi se shumë biznesmenë lombardë kanë shtrirë me sukses aktivitetet e tyre në Shqipëri, ndërsa theksoi se Shqipëria nuk është vetëm një vend mik, por edhe një vend me potencial të jashtëzakonshëm. Kurse kryetarja e Bashkisë së Milanos, Moratti, vlerësoi rolin e komunitetit shqiptar në Itali. “Një shtyllë e fortë e miqësisë dhe e bashkëpunimit në nivel ekonomik, kulturor, shkencor dhe intelektual midis dy vendeve janë edhe studentët shqiptarë që studiojnë në universitete italiane, të cilët janë biznesmenët e ardhshëm, por dhe ura lidhëse midis dy vendeve”, - tha ajo. Në punimet e forumit, Kryeministri Berisha theksoi se Shqipëria është një vend në transformim të madh. “Ne jemi duke ndërtuar një infrastrukturë shumë moderne, ka pas qenë një infrastrukturë e botës së tretë, po mund tju sigurojë që në dy ose tre vjet, infrastruktura rrugore do të jetë më e re, më moderne në gjithë Ballkanin dhe më gjerë. Po bëjmë gjithçka të mundur për sa i përket infrastrukturës dixhitale. Para pesë viteve penetrimi në internet ishte 4.8% sot jemi shumë afër mesatares evropiane, 50 për qind do të shkojmë shumë më lartë”, u shpreh ai. Berisha u ndal te potencialet e mëdha energjetike që ofron Shqipëria natyrisht duke mos harruar edhe atë nukleare. “Potencialet e këtij vendi janë të jashtëzakonshme. Së pari, në fushën e të gjitha llojeve të energjisë. Në Shqipëri do të ndërtohen 440 hidrocentrale elektrike të madhësive të ndryshme, ndër ta edhe projekti më i madh i Evropës, kaskada e Devollit, me një vlerë prej një bilion eurosh, që do të realizohet nga austriakët dhe norvegjezët. Shqipëria fal pozicionit të saj gjeografik do të jetë në të ardhmen një vend shumë i rëndësishëm për kalimin e gazit dhe të produkteve të tjera energjetike, nga Kaspiku dhe rajone të tjera. Sot ka një perspektivë të madhe për naftën në vendin tim. Vetëm në një fushë, ai i Patos-Marinzës, ka rezerva që arrijnë në 2 bilionë barela, ka fusha të tjera për tu zhvilluar. Të dashur miq ne jemi të hapur edhe për energjinë nukleare, do të bëj gjithçka me investitorët italianë, me investitorë të tjerë, për të bërë që shqiptarët të përfitojnë nga kjo energji, më e pastër, më konstante dhe e mbaj këtë premtim për vendin tim”, tha ai më pas. Duke shtuar gjithashtu se një mundësi tjetër për investitorët italianë sipas Kryeministrit është edhe turizmi, pasi Shqipëria është përzgjedhur si destinacioni kryesor turistik për vitin 2011. “Investitorët italianë në fushën e turizmit mund të konsiderojnë seriozisht të investojnë në këtë vend që nëse ju shihni me kujdes zbulimi do të jetë një Zvicër me detin”, tha ai. Më pas, Kryeministri ftoi sipërmarrësit lombardë ta konsiderojnë Shqipërinë, e cila dallon sot për një treg të ri pune dhe mjaft dinamik dhe me një ekonomi në rritje, pavarësisht krizës ekonomike botërore. Duke falënderuar qeverinë italiane, Kryeministrin Berluskoni e ministrin e Jashtëm Fratini për ndihmën që i dhanë Shqipërisë në heqjen e vizave Kryeministri kujtoi se ky është bonusi më i madh që BE-ja i jep ekonomisë shqiptare. “Ekonomia shqiptare është një ekonomi dinamike, entuziaste, që në kohët më të vështira të rënies ekonomike evropiane dhe botërore, ka rezistuar. Jemi ulur nga 8% rritje ekonomike të 2008-ës, në 3.6 % në 2009-ën, në 2010 shpresoj 4,5%. Këtë vit pres një rritje më të madhe. Së pari heqja e vizave ka qenë bonusi më i madh që BE-ja i ka dhënë ekonomisë shqiptare. Edhe në këtë aspekt, investimi në vendin tim është një interes i madh”, tha ai. Kryeministri kujtoi se Italia është partneri i parë në të gjitha fushat, në fushën e investitorëve të huaj, në fushën e importeve e eksporteve.

Rritja ekonomike

“Ekonomia shqiptare është një ekonomi dinamike, që në kohët më të vështira të rënies ekonomike, ka rezistuar. Jemi ulur nga 8 për qind rritje ekonomike të 2008-ës, në 3.6 për qind në 2009-ën, në 2010-ën shpresoj 4,5%. Këtë vit pres një rritje më të madhe”.

Energjia nukleare

“Të dashur miq ne jemi të hapur edhe për energjinë nukleare, do të bëj gjithçka me investitorët italianë, me investitorë të tjerë, për të bërë që shqiptarët të përfitojnë nga kjo energji, më e pastër, më konstante dhe e mbaj këtë premtim për vendin tim”

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›