E Diel, 1 Nëntor 2026

Unioni Artistik Kombit Shqiptar, nis sezonin me tri festivale



Petrika GROSI
Tri aktivitete mbarëkombëtare, (festivale) mijëra artistë pjesëmarrës nga mbarë trevat shqipfolëse e diaspora, rikthim, pasurim e rivitalizim i traditës, këngës, valleve e folklorit të trashëguar brez pas brezi nga shqiptarët janë ato ç’ka do të ofrojë Unioni Artistik i Kombit Shqiptar me fillimin e kësaj vere, deri në fund të qershor ‘08. Në një konferencë për shtyp, mbajtur paraditen e djeshme në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit, presidenti i Unionit Artistik të Kombit Shqiptar e njëkohësisht president edhe i këtyre festivaleve, z.Azgan Haklaj sëbashku me grupin organizator kanë dhënë më tepër detaje mbi zhvillimin e festivaleve. I pari vjen më datë 24-25 maj “Bylisfonia”, që është Festivali Ndërkombëtar Polifonik dhe organizohet si bashkëpunim mes Unionit dhe Shoqatës Kulturore Artistike “Polifonia Shqiptare” me president z.Yzeir Llanaj. Ky festival që zhvillohet në Bylisin antik është në edicionin e dytë të tij dhe ka për synim që të sjellë eksperienca ndërkombëtare polifonike e njëkohësisht të kontribuojë në ruajtjen, pasurimin, zhvillimin e transmetimin e kësaj tradite te brezat e ardhshëm.
Aktiviteti i dytë madhështor që organizohet nga Unioni Artistik i Kombit Shqiptar në datat 12-15 qershor në Tropojë, është Sofra Dardane. Presidenti Haklaj tregon se në këtë eveniment, që është më i madhi dhe më i rëndësishmi i llojit të vet do të marrin pjesë mbi 40 grupe artistike shqiptare nga dhe mëse 1200 artistë. Aktiviteti i tretë që do të zhvillohet për dy netë në Sarandë dhe Konispol më 25-27 qershor ’08 është Festivali i dytë i Këngës dhe Valles Çame. Në këtë festival do të marrin pjesë 600 artistë, jo vetëm çamë, por edhe nga të gjithë ata që kanë lidhje me këngën dhe vallen çame, e veç tyre, nuk do të mungojnë të ftuarit specialë nga fushat e muzikës, artit, letrave, etj. I pyetur nga gazetarët nëse ndonjë nga këto aktivitete mund të rrezikojë zhvillimin për shkak të fondeve apo mosmiratimit nga Ministria e Turizmit, Kulturës Rinisë dhe Sporteve, Azgan Haklaj është përgjigjur se “Asgjë nuk rrezikohet. Ne e kemi treguar që i përmbushim deri në fund me dinjitet aktivitetet tona. MTKRS-ja i ka aprovuar projektet që kemi paraqitur. Gjithçka është në rregull”.

22 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›