E Diel, 1 Nëntor 2026

Batutat Nano-Berisha: Jo përjashtimit të Islamit

TIRANE-Kryeministri, Sali Berisha dhe lideri historik i së majtës, Fatos Nano pasi shtrënguan dje duart në promovimin e librit “Enver Hoxha”, të gazetarit, Blendi Fevziu, shkëmbyen batuta për përjashtimin e deputetit Kastriot Islami nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste.

Lideri i të djathtës dhe ish kryeministri socialist përmes shkëmbimit të batutave kritikuan përjashtimin e deputetit socialist duke e cilësuar atë veprim të gabuar të kreut të PS-së, Edi Rama. Gjatë eventit Berisha bisedoi me Fatos Nanon. “Sot batuta është vetëm e Kastriot islamit, çfarëdo që të ketë ndodhur sot ai është lajmi kryesor...kombi e ka mendjen vetëm tek Kaçi.. derisa t’i ‘pritet koka’ Njerëzit që kanë lexuar librin (“Enver Hoxha”) bëjnë lidhjen e fatit të Kaçit nesër (sot) dhe personazheve të librit të Enverit dhe atyre që kanë ndodhur në kohën e diktaturës. Të gjithë e dinë se çfarë do i ndodhë Islamit. S’kemi çti bëjmë dhe po reflektoi si Mehmeti nuk reflekton ai tjetri se është Enveri”, - deklaroi Berisha. 

Nga ana e tij, ish-kryetari i PS-së Fatos Nano në një prononcim për televizionin “Ora News”, e quajti gabim fatal për PS-në përjashtimin e Islamit. “Nuk jam unë personi i duhur që mund të përgjigjem për këtë. Kam besim që PS nuk mund të lëshohet kaq kollaj në ethet e së kaluarës si kjo që përshkruan edhe Fevziu në bibliografinë për Enver Hoxhën. Do të ishte një gabim fatal por unë dua të besoj se socialistët dinë të ruajnë solidaritetin dhe mbi të gjitha vlerësimin që mbajnë stabilitetin politik elektoral të partisë gjallë”, - deklaroi Nano. Kurse lidhur me lënien jashtë kryesisë të zërave kundër Nano u shpreh: Në eksperiencën dhe filozofinë time kjo është rruga e gabuar”. Për sa i përket partneritetit PS e PD për Presidencën, z.Nano theksoi: Kam thënë që me eksperiencën politike dhe filozofinë e krijimit të konsensuseve më të mëdha kombëtare në dobi të integrimit dhe përshpejtimit të axhendës europiane të Shqipërisë, jam, kam qenë dhe do jem prezent në axhendën politike të vendit jo vetëm tani por edhe në 2012, 2013 e më tej. Kjo nuk lidhet as kushtëzohet me ndonjë post të caktuar nuk lidhet me kuorume mbështetësish apo fansash, kjo është një imperativ që e ka çuar vendin para deri sot e që duhet të konsolidohet në mënyrë që mos biem viktima të ngërçeve të reja politike”. Ndërsa gjatë një bisede me Kastriot Islamin, kryeministri Berisha duke iu referuar përjashtimit të tij nga Partia Socialiste, i bëri “ftesë” deputetit të majtë të bashkohej më grupin e tij parlamentar. “Hajde nga PD-ja, se ne nuk të përjashtojmë,” - iu shpreh Berisha Islamit. Në ambientet e galerisë së arteve, gjatë pasdites së djeshme u zhvillua promovimi i librit të fundit të Blendi Fevziut, “Enver Hoxha”. Në promovim morën pjesë personazheve të njohur të spektaklit dhe politikës. Mes të ftuarve të shumtë u dalluan Kryeministri Sali Berisha, Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, Fatos Nano, Kastriot Islami, Pandeli Majko dhe figura të tjera politike të njohura. I pranishëm në event ishte edhe ambasadori i SHBA, Alexander Arvizu por mungonte kreu i PS-së Edi Rama dhe Presidenti i Republikës, Bamir Topi.

BATUTAT E BERISHËS ME NANON PËR ISLAMIN

SALI BERISHA: Si jeni z.Nano?
FATOS NANO: Unë mirë, po ju?
SALI BERISHA: Faleminderit
(Gazetarët): S’keni ndonjë batutë...
SALI BERISHA: Sot batuta është vetëm e Kastriot islamit, çfarëdo që të ketë ndodhur sot ai është lajmi kryesor...kombi e ka mendjen vetëm tek Kaçi..(qesh) derisa ti “pritet koka”
FATOS NANO: Është monedhë e re në treg...
SALI BERISHA: Njerëzit që kanë lexuar librin (“Enver Hoxha”) bëjnë lidhjen e fatit të Kaçit nesër dhe personazheve të librit të Enverit dhe atyre që kanë ndodhur në kohën e diktaturës. Të gjithë e dinë se çfarë do i ndodhë Islamit. S’kemi çti bëjmë dhe po reflektoi si Mehmeti nuk reflekton ai tjetri se është Enveri (qesh)
FATOS NANO flet për “ORA NEWS”
(Për përjashtimin e Islamit)
Nuk jam unë personi i duhur që mund të përgjigjem për këtë. Kam besim që PS nuk mund të lëshohet kaq kollaj në ethet e së kaluarës si kjo që përshkruan edhe Fevziu në bibliografinë për Enver Hoxhën. Do të ishte një gabim fatal por unë dua të besoj se socialistët dinë të ruajnë solidaritetin dhe mbi të gjitha vlerësimin që mbajnë stabilitetin politik elektoral të partisë gjallë.
(Për lënien jashtë kryesisë së PS të zërave kundër)
Në eksperiëncën dhe filozofinë time kjo është rruga e gabuar
(Për partnerët në PS e PD për Presidencën)
Kam thenë që me eksperiencën politike dhe filozofinë e krijimit të konsensusve më të mëdha kombëtare në dobi të integrimit dhe përshpejtimit të axhendës europiane të Shqipërisë, jam, kam qenë dhe do jem prezent në axhendën politike të vendit jo vetëm tani por edhe në 2012, 2013 e më tej. Kjo nuk lidhet as kushtëzohet me ndonjë post të caktuar nuk lidhet me kuorume mbështetësish apo fansash, kjo është një imperativ që e ka çuar vendin para deri sot e që duhet të konsolidohet në mënyrë që mos biem viktima të ngërçeve të reja politike.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›