Batutat gjatë seancës:
Jozefina Topalli:
“është e vërtetë që pardje janë bërë të gjitha përpjekjet për të shtyrë procesin e votimit në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Europian për liberalizimin e vizave. Rama ka dështuar në përpjekjet e tij për të shtyrë votimin. Nuk është rasti për të pasur zi për një rast kaq të madh. Keni humbur shansin për një vit rresht për të kontribuar për këtë ditë”
Gramoz Ruçi:
“Jeni ju të mazhorancës deputetë kulisash dhe të korruptuar, jeni klientë komercialë, jeni të pabesuar të Kryeministrit tuaj. Ky është mesazhi që jep amendamenti. Na jepen argumente se po vendoset një standard amerikan. Sa mirë e kapni dhe e përdorni si argument Amerikën, por nëse duhet t’i vendosim ato, duhet të fillojmë nga transparenca e zgjedhjeve. Grupi i PS-së për të mos qenë fajtor, por as dëshmitar i këtij akti të turpshëm, merr vendimin që të largohet nga kjo sallë”.
Astrit Patozi:
“Për të ardhur deri këtu kemi shpenzuar ditë të tëra në Këshillin e Rregullores dhe gjetkë, ndërsa sot orë të tëra debatesh të panevojshme në këtë seancë maratonë. Sepse kjo është një çështje, që në kushtet e një klime normale komunikimi politik mes kampeve, do të mjaftonte vetëm 2 minuta negocimi mes kryetarëve të grupeve parlamentare për të gjetur kompromisin. Por në rrethanat kur sindroma e kutisë ka errësuar tërësisht logjikën e opozitës, paragjykimi dhe jo arsyeja, mosbesimi dhe jo mirëkuptimi mbizotërojnë, duke e bërë gjithçka të vështirë dhe bashkëpunimin institucional pothuajse të pamundur. është pikërisht ky sindrom dhe asgjë parimore që na sjell kaq të ndarë edhe sot në këtë sallë”.
Majlinda Bregu:
“Bëtë të gjitha përpjekjet për të ndalur liberalizimin e vizave, por nuk ia dolët. Shqipëria nuk është vetëm e mazhorancës, mos vini në siklet kot socialistët europianë”.
Namik Dokle:
“Ju bëj thirrje përsëri që të hapni kutitë, lironi vizat, shpëtoni ekonominë. Tashmë të gjithë e dinë dhe e kanë kuptuar, edhe miqtë tuaj, që i respektojmë si miq të Shqipërisë, se çfarë është taposur në atë kuti. Nga e vërteta nuk shpëtoni dot, por transparenca e zgjedhjeve do t’ju shpëtonte nga pengmarrja e një grushti pushtetarësh të korruptuar, manipulatorë dhe mashtrues”.
Edi Paloka:
“Përshëndetjet e kryesocialistit Rama ndaj europianëve për vendimin e liberalizimit të vizave janë si prezervativi pas seksit. Dikur përdorej shprehja si kofini pas të vjelit, por kohët e fundit kanë dalë shprehje të reja, si prezervativi pasi bën seks. Opozita po punon kundër integrimit të vendit. Ne jemi dhe nuk mund të mos jemi të shqetësuar për rrugën pa krye dhe atë energji të humbur që lideri juaj i opozitës po tenton të përçojë çdo ditë, duke e përcjellë opozitën në qorrsokakë. Ata pak zëra që duan të na kthejnë prapa dhe të mbajnë peng të ardhmen e këtij vendi, do të mbyllen përfundimisht në kutitë e zeza të aksidentit, që absolutisht do t’i rrëzojë nga politika shumë shpejt”.
Erion Braçe:
“Do të doja të thërrisja disa dëshmitarë, së pari zotin Topi, së dytin zotin Berisha në kohë të ndryshme, dhe zonjën Topalli në atë kohë nënkryetare e Kuvendit. Do të doja të thërrisja edhe zotin Olldashi dhe Mediu. Më 19 shkurt 2002, në kohën kur kryetar i Kuvendit ishte Namik Dokle, ju keni kërkuar votim të fshehtë për dekretet e Presidentit. Pse sot keni ndryshuar qëndrim?”
Viktor Gumi:
“Votimi i hapur i dekreteve presidencialë është një procedurë që u përgjigjet zhvillimeve të Parlamentit shqiptar dhe amendamentet e paraqitura nuk kanë përmbajtje antikushtetuese dhe as janë në shkelje të ligjit. Nisma për votimin e hapur kërkon të thyejë një mentalitet, ndaj duhet të shprehim besim në përzgjedhjen që bëjmë përmes votimit të hapur dhe nominal për dekretet e Presidentit”.
Damian Gjiknuri:
Kjo është një provë për parlamentarizmin. Amendimi i rregullores synon t'u heqë deputetëve edhe kështjellën e fundit të pavarësisë, që është vota. Me këtë akt, Kryeministri Berisha kërkon të heqë vullnetin e deputetit që shprehet me votën e fshehtë, duke tentuar të ushtrojë kontroll mbi votën e tij. Ky është një rrezik që kërcënon parlamentarizmin. Kjo është çështje votash dhe ju keni frikë nga rrjedhja e votave të mazhorancës".
Sokol Olldashi:
“Ne të gjithë dimë raste sesi trafikantë janë liruar, raste sesi shteti vidhet dhe askush nuk është akuzuar, ndaj edhe duhet përgjegjësi ndaj kësaj që ndodh në gjykatat tona. Duhet t’i dalim votës sonë përballë dhe jo t’i fshihemi, që t’u japim një shenjë atyre që na kanë dhënë votëbesimin, se duam të bëjmë një sistem gjyqësor në shërbim të tyre dhe jo një lojë turpi”.
Fatmir Toçi:
“I drejtohemi mazhorancës dhe kreut të saj Sali Berisha: iku koha e lojërave të fjalëve për të gënjyer shqiptarët. Opozita e bëri hapin e saj drejt konsensusit: hyri në Parlament, madje duke marrë pjesë në mënyrë aktive në të gjitha komisionet. Tani është radha juaj dhe vetëm e juaja. Një qeveri e përgjegjshme duhet t’i lexojë si duhet mesazhet që vijnë nga partnerët tanë ndërkombëtarë: kërkohet zgjidhje e menjëhershme e krizës.
Ne e kemi pranuar kompromisin, por nuk bëjmë lëshime ndaj transparencës, sepse transparenca ka të bëjë me të ardhmen tonë të përbashkët”.
Eduard Shalsi:
“Kredibiliteti i vendit është në dyshim, aftësia e klasës politike është në pikëpyetje përpara Bashkimit Europian, drejt të cilit ne duam të shkojmë. Mos neglizhoni ofertën tonë dhe mos harroni se në një sistem demokratik dhe pluralizëm nuk mund të ketë pozitë pa opozitë”.