E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama, letër prefektit: Dokumenti juaj, i pambështetur në ligj

Kruja kërkoi bllokimin e fondeve

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, ka preferuar t’i përgjigjet vetë përmes një letre prefektit të Tiranës, Keltis Kruja, në lidhje me kërkesën e prefekturës për kontroll financiar. Në letrën e tij, e cila i drejtohet edhe Kryeministrit Berisha, Rama thekson se auditimi për fondin e veçantë i kërkuar nga prefekti i Qarkut Tiranë, është në kapërcim të kompetencave që burojnë nga kuadri ligjor në fuqi, duke ardhur në kundërshtim të plotë me dispozitat e legjislacionit për kontrollin e jashtëm të njësive vendore. “Dokumenti i miratuar nga ana juaj (i cilësuar si ‘Program–Auditimi’), është i papranueshëm, sepse është tërësisht i pambështetur në ligj. Ndaj, Bashkia e Tiranës ka refuzuar të auditohet nga ana e prefektit të Qarkut Tiranë për fondin e veçantë, duke ju komunikuar zyrtarisht se nuk do të njohë asnjë grup pune të ngritur për këtë qëllim”, deklaron Rama në letrën e tij. Po kështu, Rama thekson në letrën e tij se insistimi për të kontrolluar Bashkinë e Tiranës në kundërshtim me ligjin, përbën veçse pjesë të një sulmi politik të pushtetit qendror mbi Bashkinë e Tiranës dhe cenon rëndë parimet themelore dhe të rëndësishme të Kushtetutës, që kanë të bëjnë me decentralizimin e pushtetit dhe autonominë vendore. Nga ana tjetër, Rama në letrën e tij thekson se veprime dhe kërcënime të tilla nga ana e pushtetit qendror, sjellin si pasojë pengimin e punës së Bashkisë Tiranë për ushtrimin e funksioneve dhe kompetencave sipas ligjit, si dhe afektojnë drejtpërdrejt qytetarët e kryeqytetit në marrjen e të mirave dhe shërbimeve.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›