Daul: Ndoshta takim të ri Berisha-Rama, por jo për 28 qershorin
Kreu i grupit parlamentar të Partive Popullore Europiane, Joseph Daul, ka lënë të hapur dje mundësinë e një takimi të ri ndërmjet Kryeministrit Sali Berisha dhe liderit të opozitës, Edi Rama. Por ai ka zbehur shpresat se mund të ketë një presion të madh për transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit, duke sponsorizuar më shumë një përpjekje për të ndryshuar Kodin Zgjedhor për zgjedhjet e ardhshme. Politikani i lartë francez, i cili ishte një nga organizatorët e darkës së famshme në Strasburg, deklaroi dje pas një takimi me Kryeministrin Berisha se, “mund të avancojmë akoma më shumë në funksionimin e demokracisë në Shqipëri. Nëse do të duhet, do të ketë takime të tjera të nivelit të lartë. Pra, unë dhe zoti Martin Shultz kemi rënë dakord për të diskutuar mbi përmbajtjen e një dokumenti që është diskutuar nga teknicienët tanë, por deri tani më kanë thënë se nuk ka pasur propozime për të avancuar në lidhje me këtë dokument. Pra diskutimi mund të vazhdojë, ose të ndërpritet”. Ndonëse Daul theksoi në fjalën e tij se ai kishte ardhur në Shqipëri për ta prekur më nga afër politikën, drejtuesi i grupit më të madh politik të Parlamentit Europian gjeti rastin të tregojë diçka për negociatat e kryera midis ndërkombëtarëve dhe palëve shqiptare. Sipas Daul, në takimin e zhvilluar në Strasburg, të gjitha palët ranë fillimisht dakord për njohjen e qeverisë, respektimin e Kushtetutës së vendit dhe praninë e opozitës në Parlament. “Nuk donim të shkonim më larg dhe të fillonim: Hapni kutitë, mbyllni kutitë. Ne nuk mund të arrinim këtu, pasi ka një Kushtetutë, ka organizma ndërkombëtare që janë njohëse shumë të mira në fushën e të drejtave”, deklaroi Daul në fjalën e tij. Nisur nga kjo, politikani francez theksoi se pas pretendimeve të kryetarit të opozitës, Edi Rama, në tryezë, se rregullat demokratike përgjatë procesit zgjedhor nuk kanë funksionuar, ishte e udhës që këto pakënaqësi të eliminoheshin në zgjedhjet e ardhshme. “Rama na shpjegoi se rregullat nuk kanë qenë të mira, nuk kanë funksionuar, por atëherë le të ulemi rreth tryezës, t’i adaptojmë ato, atë çfarë nuk ka funksionuar, opozita le të bëjë propozimet e saj”, deklaroi drejtuesi i PPE-së në Parlamentin Europian. Nga ana tjetër, gjatë konferencës për shtyp, Daul theksoi se opozita duhet të kuptonte qartë se bojkoti nuk ishte rrugë e demokracisë. Sipas tij, pjesëmarrja e opozitës në Parlament dhe bashkëpunimi me mazhorancën është në të mirë të qytetarëve shqiptarë. Ndërkaq, kreu i qeverisë shqiptare, Sali Berisha, deklaroi se ai ishte i gatshëm dhe i vendosur të respektonte çdo vendim të opozitës shqiptare. “Për zgjedhjet e ardhshme, qeveria është e vendosur të pranojë çdo amendament që opozita e konsideron të nevojshëm, për t’i dhënë asaj sigurinë më të madhe të mundshme në pjesëmarrjen në zgjedhje”, premtoi Berisha. Po dje, Daul zhvilloi një takim edhe me zv.kryeministrin Ilir Meta. Në këtë takim, edhe Meta theksoi se mazhoranca është e hapur për dialog me opozitën dhe i ka ofruar kësaj të fundit të gjitha mundësitë. Pas takimit me Kryeministrin Berisha, presidenti i PPE-ve zhvilloi një takim edhe me Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli. Siç njofton zyra për shtyp e legjislativit, gjatë takimit me Kryeparlamentaren, Daul theksoi se opozita duhet të marrë përgjegjësitë e saj politike dhe legjislative për zhvillimin e vendit dhe të ardhmen e shqiptarëve. Ditën e sotme, përpara nisjes së tij për në Bruksel, Daul do të zhvillojë një takim edhe me Presidentin Bamir Topi. Në axhendën e kryetarit të PPE-ve nuk ishte parashikuar asnjë takim me përfaqësues të opozitës së vendit.
#